Nga 1 herë në javë në shumë rrallë/
Shkaqet e ftohjes Rama-Meta

Nga 1 herë në javë në shumë rrallë/<br />Shkaqet e ftohjes Rama-Meta<br>
Kryeministri Edi Rama ka qenë i fundit i një “karvani” mjaft të gjatë takimesh që kreu i Shtetit Ilir Meta ka zhvilluar në kuadër të bisedimeve të pritshme mes Shqipërisë dhe Greqisë për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Meta i nisi këto takime me ish-presidentët Nishani, Topi, Moisiu, Meidani dhe Berisha, për të vijuar më tej edhe me ish-ministra të jashtëm si Tritan Shehu, ministri aktual i Jashtëm Ditmir Bushati dhe me ambasadoren greke në Tiranë.

Meta nuk e ka autorizuar ende Bushatin që t’i japë plotfuqinë grupit negociator, pasi është në pritje nga ky i fundit për disa informacione shtesë.

Por interesante është të vërehet se deri në cilën pikë janë ftohur marrëdhëniet mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, të cilët deri në majin e vitit të kaluar kalëronin mbi të njëjtën karrocë si fitimtarë të zgjedhjeve të 2013-s.

Gjatë mandatit bashkëqeverisës 2013-2017, takimet mes Ramës dhe Metës zhvilloheshin çdo të mërkurën në selinë e Kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, në prag të seancës parlamentare të radhës.

Edhe kësaj here, qe Rama ai që mori rrugën për te Meta dhe jo anasjelltash, pavarësisht përmbysjes së forcave në parlament dhe qeveri, ku Partia Socialiste ka shumicën dhe qeveris e vetme, pa LSI.

Por kaq e theksuar ka qenë mungesa e komunikimit mes dy figurave kryesore të shtetit për një çështje me interes kombëtar si pakti i ri mes Greqisë dhe Shqipërisë, sa këta të fundit ishin mjaftuar duke i dërguar mesazhe indirekte njëri-tjetrit nëpërmjet ekranit të televizorit.

Në fakt Rama ishte shprehur disa herë para medieve se nuk do donte të besonte se Presidenti i Republikës mund të kishte ndonjë axhendë politike të caktuar që mund ta zvarriste procesin e marrëveshjes së re me helenët.

Edhe vetë Meta, i ishte përgjigjur indirekt Ramës se do të zbatonte vetëm vendimin e Gjykatës Kushtetuesë për këtë gjë.

Por rezultati është se autorizimi presidencial nuk është dhënë ende, ndërkohë që negociatat jetike me shtetin fqinj për integrimin në BE  kanë mbetur pezull.

U desh që të shkonte puna deri në këtë pikë që Meta dhe Rama më në fund të takoheshin.

Këtë anomali në marrëdhëniet qoftë edhe vetëm institucionale, e kishte vërejtur edhe ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, i cili gjatë një deklarate në Report TV pak kohë më parë, deklaroi me tone të forta se dy liderët politikë duhet të linin mënjanë mëritë dhe të takoheshin si burra për interesin kombëtar të vendit.

Por tani që takimi mbërriti, mbetet për t’u parë nëse Meta do ta lëshojë autorizimin që do t’i hapë rrugën asaj që duket se do të jetë një marrëveshje që do të korrigjojë të metat e marrëveshjes së vjetër, kur Meta në qeveri me Berishën, u rrëzuan nga Kushtetuesja për lëshimet në favor të Greqisë, apo do të vazhdojë ta vonojë dhënien e tij, duke krijuar një ngërç kushtetues, që do ta vështirësonte dhënien e një opinioni pozitiv nga ana e Greqisë për Shqipërinë, në prag të raportit të shumëpritur BE-së për vendin tonë, që mund të niste çeljen e negociatave për integrimin përfundimtar në familjen e madhe evropiane.

Por dhënia e një autorizimi të tillë, do të hapte rrugën edhe për një sukses të mundshëm politik të qeverisë, si dhe do të stigmatizonte gabimin e së shkuarës nga opozita e sotme. E gjithë kjo kur në qendër të debatit politik është vënë investigimi i një reviste amerikane, që duket se po hedh dritë se cilat forca politike janë pro axhendës Evropiane në Shqipëri dhe se cilat përkudrazi po luajnë në favor të një axhende që ka për qëllim të përmbysë rrugëtimin euro-atlatik të vendit.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Himara zgjedhje më 4 gusht, rrëzohet kërkesa e Belerit për anulimin e dekretit të Begajt

Himara zgjedhje më 4 gusht, rrëzohet kërkesa e Belerit për anulimin e dekretit të Begajt