Zgjedhjet/ Nga 11 janari, qeveria e bashkitë ‘kyçen’ për fushatë, ndalohen legalizimet e bonuset! KQZ skuadër për monitorimin e politikanëve në internet

11 janari nuk është vetëm data kur nis regjistrimi i emigrantëve për të votuar për herë të parë përmes postës, por edhe dita kur qeveria dhe bashkitë vendosen nën kufizime, pasi ata nuk mund ta përdorin shtetin, për të ruajtur apo marrë pushtetin.

Në respektim të Kodit Zgjedhor, 4 muaj përpara zgjedhjeve ndalohet përdorimi i burimeve shtetërore në aktivitete që kanë ndikim elektoral.

Kjo detyron qeverinë, ministrisë, çdo institucion tjetër publik, përfshirë edhe bashkitë, që për çdo aktivitet publik që do të kryejnë, të njoftojnë KQZ-në 5 ditë përpara. Nëse Komisioni vlerëson se aktiviteti i parashikuar i jep një avantazh elektoral partisë në pushtet, e ndalon atë.

Kështu, zyrtarët ndalohen të promovojnë nga 11 janari në 11 maj, investime të kryera, në rrugë, rindërtim, energjetik dhe çdo sektor tjetër, duke shmangur kështu skenat e inaugurimeve para elektorale me prerje shiritash.

Nuk lejohet shpërndarja publike e certifikatave të legalizimeve apo dokumenteve të tjera të pronësisë. Është e ndaluar që administrata publike apo shkollat, brenda orarit zyrtar të përfshihen në punë partie, përfshirë këtu edhe shpërndarjen në rrjetet sociale të propagandës elektorale.

Në këtë periudhë, shteti nuk është i lirë të heqë apo emërojë nga puna njerëz, përveç rasteve specifike.

Qeverisë nuk i lejohet të japë bonuse në këtë fashë para zgjedhjeve, as të shpërndajë para apo të falë taksa apo detyrime të tjera. Rritja e pensioneve apo e ndihmës ekonomike është e ndaluar, por këtë vit pensionistët do të marrin 50-100 euro përpara zgjedhjeve, sepse qeveria e ka marrë këtë vendim më herët dhe jo në fashën e kufizimeve 11 janar-11 maj.

Ndalohen po ashtu edhe koncesionet e paparashikuara.

Për këto zgjedhje, KQZ ka ngritur edhe një skuadër monitorimi në rrjetet sociale, për të ruajtur politikanët, nëse ata postojnë ndonjë aktivitet që nuk e kanë deklaruar pranë Komisionit.

Shkeljet e këtyre rregullave nga shumë eksponentë në zgjedhjet e shkuara, detyruan KQZ-në që të gjobiste dhjetëra drejtues institucionesh, deputetë apo kryetarë bashkie.

SI.E./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Media greke: Dritan Rexhepi, shqiptari që ndërtoi kartelin e kokainës, nga ‘investitori’ grek në ‘Escobarin’ e ri të perandorisë së drogës

Media greke: Dritan Rexhepi, shqiptari që ndërtoi kartelin e kokainës, nga ‘investitori’ grek në ‘Escobarin’ e ri të perandorisë së drogës