Për Emi Bregun, emocionet nisën që në momentin kur pa emrin e saj në krye të listës. E renditur e para në degën e Arkitekturës, herët në mëngjes iu drejtua Universitetit Politeknik për t’u regjistruar. Talenti në vizatim dhe mundësitë që ofron profesioni në tregun e punës, e kanë bindur Emin, se ka bërë zgjedhjen e duhur.
“Më morën shoqet në telefon edhe më thanë hap listën që të shikosh rezultatet. Vetëm kur pashë pastaj që isha e para direkt zgjova mamin dhe babin, lajmërova prindërit dhe të gjithë u gëzuam. E di që do punë, e di që do mund po jam ok. Pjesa e talentit dhe dorës për vizatim dhe interesi te historia e artit më shumë. Mendoj se ka treg pune këtu edhe prandaj mendoj më shumë që të qëndroj këtu”, thotë Emi Bregu.
Edhe për maturantë të tjerë, Arkitektura është më së shumti një pasion.
“Dua të bëj punën e arkitektit. Të arrij të bëhem në fillim pas të ushtroj profesionin brenda vendit”, tha maturanti
“E kam patur gjithmonë fiksim dhe pjesën e artit dhe kjo më shtyu që të zgjidh arkitekturën", tha një tjetër.
Në universitetin e Mjekësisë, të rinjtë që ëndërrojnë të veshin bluzën e bardhë, e konsiderojnë regjistrimin si nisjen e një rrugëtimi të gjatë e të bukur drejt profesionit të mjekut.
“Më në fund jam i regjistruar te universiteti edhe do të vazhdoj kapitull të ri. Kryesisht e kam menduar për neurologji edhe ka qenë ëndrra ime ngaqë është edhe pjesa më interesante”, tha i riu.
“Thjesht kam pasur gjithmonë dëshirë të ndihmoj njerëzit në nevojë, që e vogël. Prandaj e zgjodha. Ishte një nga zgjedhjet e mia të para pavarësisht që të gjithë mundësive të tjera që kisha”, tha një tjetër.
“Jo ndonjë emocion i madh se e prisnim këtë gjë, por që besoj se do kemi një rrugëtim shumë të mirë”, shprehet maturanti.
“Emocioni i prindit është gjithmonë po që dhe për fëmijën është sfidë normalisht, fillimi i ri, shkollë e re, ambienti i ri, qytet i ri”, shprehet një prind.
“E ka zgjedhur dhe jemi shumë të kënaqur. Me mundë, me sakrificë. Ëndër gjithmonë që në klasë të parë do bëhem doktor, do shërojë prindërit”, thotë një tjetër.
Pas përfundimit të fazave të para të regjistrimit, do të hapet edhe një periudhë çregjistrimi për maturantët që dëshirojnë të ndryshojnë degën dhe të rikthehen në garë për raundin e dytë.
Më 15 shtator, kandidatët që duan të provojnë sërish për të fituar degën e preferuar, do të mund të përzgjedhin deri në 10 preferenca të reja. Regjistrimet për raundin e dytë do të zhvillohen nga 25 shtatori deri më 4 tetor.








Komente
Komento