Nga Bangladeshi në Irak
terroristët godasin sërish

Nga Bangladeshi në Irak<br />terroristët godasin sërish
Dy persona janë arrestuar lidhur me sulmin e disa ditëve më parë në Daka të Bangladeshit, ku humbën jetën 20 vetë. Një nga të arrestuarit është një prej atentatorëve, ndërsa tjetri një person që fillimisht ishte trajtuar si një prej pengjeve të shpëtuara ditën e premte. 

Ndërkohë, nga hetimet ka dalë në dritë se njëri nga atentatorët ishte djali i një deputeti të partisë në pushtet. I ashtuquajturi Shteti Islamik deklaroi se ishte pas sulmit, por qeveria në Daka e mohon këtë. Personi që më parë mendohej se ishte një nga pengjet u ndalua pas mbikëqyrjes së pamjeve të sulmit të filmuara nga një dëshmitar, i ndodhur në një ndërtesë pranë vendit të ngjarjes. Autoritetet kanë deklaruar se pamjet lënë të besohet se personi mund të jetë i lidhur me atentatorët.

Ndërsa i arrestuari tjetër, djali i politikanit, ishte shpallur i humbur nga prindërit pasi ishte zhdukur që prej dhjetorit. Ata e njohën fëmijën e tyre pasi fotografitë e agresorëve u publikuan në rrjetet sociale.

Autoritetet lokale ndërkohë i kanë identifikuar të pestë ata dhe deklarojnë se i përkasin grupit Muxheheidinët e Bangladeshit. “Ata janë anëtarë të organizatës JMB, nuk kanë lidhje me Shtetin Islamik”, ka deklaruar ministri i Brendshëm Asaduzzaman Khan. 
Por ajo që u ka bërë përshtypje autoriteteve është se të rinjtë vinin nga familje të kamura. Pak orë pas identifikimit të tyre, rrjetet sociale janë mbushur me komentet e shokëve të klasës, që shprehen të habitur për veprimet e 5 të rinjve.
 
Egjipt
Një anije që po kërkon eshtrat e viktimave të avionit të “EgyptAir”, që u rrëzua në Mesdhe në muajin maj, ka rikuperuar të gjitha trupat e piketuara në det. Anija nga Mauritania “John Lethbridge” po lundron tani drejt Aleksandrisë në Egjipt, ku eshtrat do të analizohen nga prokurorë dhe specialistë të Mjekësisë Ligjore, para se të shkojnë në Kairo për testet e ADN-së. Më vonë, mjeti lundrues do të kthehet në vendin ku besohet të jetë rrëzuar avioni, për të kërkuar për trupa të tjerë. “Airbus A320” po fluturonte nga Parisi për në Kairo, kur u rrëzua më 19 maj me 66 persona në bord.

Në një deklaratë, komisioni për hetimin e aksidentit të avionit të “EgyptAir” tha se anija mauritaneze kishte nxjerrë nga uji të gjitha mbetjet njerëzore të diktuara më herët në zonën e aksidentit. Ai shtoi se ekspertë mjekoligjore nga Egjipti dhe Franca mbikëqyrën procesin e rikuperimit të trupave.
Ndërkohë, sipas asaj që bëri të ditur komisioni të shtunën, kartat e memories së regjistruesit të zërave në kabinë nuk janë të dëmtuara dhe hetuesit do të mund të nxjerrin informacione të dobishme prej tyre.

Hetuesit egjiptianë konfirmuan javën e kaluar se kutia e zezë e avionit me numër fluturimi “MS804” kishte konfirmuar praninë e tymit në kabinë. Regjistruesit e të dhënave të fluturimit dhe zërit u nxorën nga thellësia e 3.000 metrave në Mesdhe. Kutia e dytë, ajo e regjistruesit në kabinë po i nënshtrohet proceseve riparuese në Paris. Shkaku i tragjedisë nuk dihet ende, por ekspertët janë më të orientuar drejt teorisë së një defekti teknik.
 
Irak
Qeveria irakiane shpalli tri ditë zie kombëtare pas sulmit me bombë në kryeqytetin Bagdad, ku u vranë të paktën 165 persona e u plagosën 225 të tjerë. Një kamion frigorifer i mbushur me eksplozivë u hodh në erë në qarkun e Karradas, ku njerëzit po bënin blerje me rastin e mbylljes së muajit të Ramazanit. Pamje nga vendi i ngjarjes treguan sesi e gjithë zona ishte përfshirë nga flakët. Sipas grupeve të shpëtimit, familje të tëra ishin shfarosur dhe shumë viktima ishin djegur në atë farë mase, sa identifikimi i tyre ishte i pamundur.

I ashtuquajturi Shtet Islamik mori përsipër autorësinë e sulmit, duke thënë në një deklaratë të shpërndarë “online” se, ai ishte kryer nga një shtetas irakian, si pjesë e operacioneve të vazhdueshme të sigurisë.
Kryeministri Haider al-Abadi vizitoi zonën e populluar kryesisht nga sunitë të dielën, por autokolona e tij u prit me zemërim nga turma. Më vonë, teksa shpalli 3 ditë zie, zyra e kryeministrit shtoi se Abadi e kuptonte reagimin e banorëve.

Bombardimi, që ndodhi rreth mesnatës së të shtunës, është më vdekjeprurësi që ka goditur Irakun në një vit dhe vjen një javë pasi forcat irakiane çliruan qytetin e Falluxhas nga ISIS. Operacionet e kërkimit e pastrimit të zonës po vazhdojnë ende dhe, sipas një pjesëtari të forcave të mbrojtjes civile, do të duhen disa ditë përpara se të rikuperohen të gjitha trupat e viktimave.
Pas shpërthimit të kamionit frigorifer në qendrën popullore të Al Hadit, një tjetër bombë shpërtheu në një tjetër zonë të banuar nga shiitë në veri të kryeqytetit, ku mbetën të vrarë 5 persona.

Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se sulmi i fundit forcon edhe më shumë mbështetjen e tyre për forcat irakiane në luftën kundër ISIS. Mbrëmjen e së dielës, Abadi njoftoi rritjen e masave të sigurisë rreth vendit dhe kërkoi instalimin e një sistemi të avancuar për inspektimin e automjeteve në pikat hyrëse të Bagdatit dhe në rajone të tjera.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në lagjen ‘Boje’ të Krujës, vijon të digjet pylli me pisha, helikopteri ndërpret punën

Zjarri në lagjen ‘Boje’ të Krujës, vijon të digjet pylli me pisha, helikopteri ndërpret punën