Qeveria e Georgia Melonit është gati të miratojë një projektligj të ri për emigracionin, të paralajmëruar prej disa ditësh nga vetë ekzekutivi. Teksti pritet të përfshijë rregullat për zbatimin në Itali të Paktit të ri Europian për Azilin dhe Migracionin, si dhe disa dispozita që ishin hequr nga paketa e sigurisë e miratuar javën e kaluar.

“Javën e ardhshme vjen një akt i dedikuar plotësisht emigracionit, me norma shumë të rëndësishme për të ndalur mbi të gjitha emigracionin e paligjshëm”, pat deklaruar Meloni në emisionin “Dritto e rovescio”.

Një nga masat që është përmendur deri tani është ajo që ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, e ka quajtur “bllokadë detare”.

Sipas gazetës La Repubblica kjo masë do të lejonte ndalimin e hyrjes në ujërat territoriale italiane në rast “kërcënimi të rëndë për rendin publik ose sigurinë kombëtare”, duke përfshirë rrezikun konkret të akteve terroriste ose infiltrimit të terroristëve.

Bllokada mund të vendoset edhe nëse konstatohet një “presion i jashtëzakonshëm migrator” që rrezikon menaxhimin e sigurt të kufijve. Masa do të zgjasë jo më shumë se 30 ditë, por mund të zgjatet deri në gjashtë muaj.

Projektligji mund të përfshijë gjithashtu rregulla më të forta për bashkimet familjare dhe një riorganizim të sistemit të pritjes së emigrantëve.

Në draftin e përgatitur në dhjetor, një ligj me tetë nene për zbatimin e Paktit të ri europian, parashikoheshin rastet kur përfitimet mund të zvogëlohen ose të hiqen, por edhe kufizime të mundshme të lirisë së lëvizjes, masa ndalimi, si dhe mbrojtje për të miturit dhe personat vulnerabël, së bashku me programe integrimi dhe formimi.

Teksti rregullon edhe njohjen e mbrojtjes ndërkombëtare, duke ripërcaktuar statusin, arsyet e përjashtimit ose revokimit, lejet e qëndrimit dhe dokumentet e udhëtimit. Parashikohet gjithashtu reformim i procedurave për shqyrtimin e kërkesave për azil, në mënyrë që ato të lidhen më ngushtë me vendimet për riatdhesim.

Në mënyrë të veçantë përmendet rikthimi i ashtuquajturit “sistemi Shqipëria”, që do të lejonte transferimin e personave në vende të tjera për të kryer procedurat e azilit, në rast se ekzistojnë marrëveshje me “vende të treta të sigurta”.

Ende nuk është e qartë nëse në tekst do të përfshihet edhe norma e quajtur “salva Almasri”, e parashikuar në draftet e mëparshme, që lejonte dorëzimin në shtetin e origjinës të një personi të konsideruar të rrezikshëm për sigurinë kombëtare ose për marrëdhëniet ndërkombëtare.