Kombëtarja shqiptare ka nisur sot grumbullimin për dy ndeshjet e fundit në grupin e Ligës së Kombeve kundër Finlandës dhe Bjellorusisë. Mesfushori Julian Shehu thotë se mbështetja e tifozëve në ‘Air Albania’, në ndeshjen e parë kundër Finlandës, do të ndihmojë për objektivin e vendit të parë, ndërsa portieri Berisha thotë se do të mundohet ta mbajë portën e paprekur.
Jualian Shehu
Si ka ndryshuar mesfusha me Maran në krahasim me periudhën më herët?
“Mënyra se si po luan ekipe tani, më ofensiv dhe më agresiv, ka dhënë frytet e veta. Ne ndihemi mirë në fushë dhe rezultatet janë ato që trajneri kërkon dhe është çdo gjë në rregull deri më tani.”
A do ta ruajë Shqipëria kryesimin e grupit?
“Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Duhet të japim maksimumin. Presioni është pjesë e lojës, por ne jemi profesionistë dhe duhet ta përballojmë. Ta bëjmë lojën për rezultat maksimal. Është objektiv të qëndrojmë në vendin e parë dhe besoj se deri në fund do ia dalim.”
Finlandën e njihni, a do jetë ndryshe fakti që luajmë në ‘Air Albania’?
“I vetmi ndryshim është që luajmë në shtëpi dhe mbështetja e tifozëve është e shumë e rëndësishme për ne dhe kjo do të jetë shtysë e madhe që të marrim maksimumin nga kjo ndeshje.”
Detyra ndryshe dhe specifike në mesfushë për Julin Shehun nga Maran?
“Detyrat nuk janë shumë specifike. Kanë ndryshuar pak për gjithë ekipin. Mundohemi të jemi të gjithë më shumë agresiv.”
Shehu ke qenë titullar me Sylvinhon, si mund të rikthehesh për të patur çelësat e mesfushës?
“Janë zgjedhje të trajnerit dhe ne si lojtar i rrespektojmë. Sa kohë të na jepet duhet të japim maksimumin se këtu jemi për kombëtaren. Nuk jemi në klub. Sado të më jepet mundësia do të jap maksimumin për ekipin kombëtar.”
Etrit Berisha, a ka revansh pas gabimit dhe kartonit të kuq në Finlandë?
“Nuk do e marr si revansh. Çdo ndeshje ka historinë e vet. Ne duhet të fokusohemi të objektivi që kemi. Ftojmë tifozët të na përkrahin në stërvitje. Ka rëndësi të jenë afër dhe të fitojmë këtë ndeshje që të marrim vendin e parë.”
Përgjegjësi pas kartonit të kuq, që më pas solli edhe humbjen e pare?
“Janë gjëra që kanë ndodhur dhe s’mund të kthehen mbrapa. Ishte një moment që ndryshoi rrjedhën e lojës. Ishte ndoshta edhe një fatkeqësi që solli shumë vështirësi. Unë mendoj se gjithsesi e kishim ndeshjen në kontroll edhe pas atij gabimi. E kemi kaluar atë moment dhe tani çdo gjë e kemi në dorën tonë. Dëshira është shumë e madhe që të kënaqim tifozët. Ne e pamë edhe me San Marinon që kishte shumë tifozë. Nëse vijnë sërish për ne do ishte një nder shumë i madh.”
Shumë ndeshje pa pësuar gol me ekipin tënd?
“Ka qenë një moment shumë i mirë, që kam përjetuar në klub. Dua ta vazhdoj këtë edhe me kombëtaren. Lojën e parë me kombëtaren nuk pranova gol, por ne e kemi me shumë rëndësi këtë ndeshje. Shpresoj ta shfrytëzoj formën time për këtë ndeshje.”
A është Shqipëria më mirë se Finlanda?
“Kemi lojtarë më kualitativ. Lojtarë me eksperiencë, por nuk duhet nënvlerësuar Finlanda. Mendoj se në ndeshjen e fundit morëm një mësim shumë të mirë kundër San Marinos. Aq më pak Finlanda që ka lojtarë të mirë, por ne luajmë në shtëpi dhe dëshira është të dalim sa më mirë te kjo ndeshje.”
Caprille te Shqipëria dhe si ndodhi gabimi me Finlandën. A ishte urdhër i trajnerit për të luajtur me këmbë?
“Nuk kam informacion për Caprilen. Për gabimin ishte ndryshim mendje në momentin e fundit. Unë desha të vazhdoj të luaj topin në krahuin e djathtë dhe e ndryshova në momentin e fundit. Doja ta rikuperoja sërish topin. Bëra një kontakt. Nuk mendoj se ishte kontakt i madh, por kundërshtari e shfrytëzoj momentin. Duam të dalim para me qarkullim topi dhe besoj duhet të vazhdojmë me këtë pavarësisht se gabimet ndodhin. Kjo na jep vetëbesim dhe nuk besoj se duhet të merret si gjë shumë e madhe.”












Komente
Komento