Vendimi i Hagës u pasua nga një valë reagimesh edhe në botën e artit. Nga artistja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, te Elvana Gjata, Alban Skënderaj, Ylli Limani, Xhensila Myrtezaj dhe Capital T, mesazhet në rrjete sociale kishin një emërues të përbashkët: mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe kundërshtimin e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të saj.

Dua Lipa zgjodhi faktet simbolet e luftës

Pa një deklaratë të gjatë, Dua Lipa përdori dy postime në InstaStory.

Në njërin publikoi logon e UÇK-së me hashtagun "Liria ka emër", ndërsa në tjetrin ndau një grafik me të dhëna mbi luftën në Kosovë, ku përmenden viktimat civile, fëmijët e vrarë, gratë e dhunuara dhe qindra mijëra shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Ishte një mënyrë për ta zhvendosur vëmendjen te kostoja njerëzore e luftës.

Rita Ora: UÇK luftoi për Kosovën

Reagimit iu bashkua edhe Rita Ora, e cila ndau një fotografi të UÇK-së dhe e shoqëroi me fjalët: "Luftoi për Kosovën, të cilën e thërrasim nënë sot".

 

Elvana: Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet

Elvana Gjata e ndërtoi reagimin e saj rreth sakrificës së shqiptarëve të Kosovës, duke kujtuar familjet që humbën të afërmit dhe duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte një luftë për mbijetesë e liri.

elvana reagimNë mesazhin e saj, ajo argumentoi se një vendim gjykate nuk mund ta ndryshojë historinë e asaj lufte.

"Kjo është pa-Drejtësia më e madhe e bërë ndaj një populli që luftoi për mbijetesën! Për të drejtën për të lindur e rritur fëmijët në tokën vet, në gjuhën e vet, me kulturën dhe zakonet e veta! MARRE! Sot më dhemb Kosova. Më dhemb për ata që dhanë jetën, për nënat që humbën fëmijët, për familjet që humbën gjithçka dhe për një popull të tërë që luftoi jo për të marrë tokën e askujt, por për të mos u dëbuar nga e veta. Liria e Kosovës nuk ishte dhuratë. U pagua shtrenjtë. Me jetë. Me gjak. Me dhimbje që ende sot jeton në mijëra familje. Historia e një populli nuk mund të rishkruhet duke harruar pse ai u detyrua të luftonte. UÇK-ja lindi nga nevoja për liri dhe mbijetesë. Kosova është e lirë. Dhe këtë të vërtetë nuk e dënon dot askush."

Ylli Limani: Lufta për liri nuk mund të barazohet me pushtimin

Ylli Limani e përqendroi reagimin e tij te mënyra se si, sipas tij, po interpretohet lufta në Kosovë.

yll limani

Ai kundërshtoi çdo përpjekje për të vënë në të njëjtën peshore luftën e UÇK-së me veprimet e forcave serbe, duke thënë se historia nuk mund të ndryshohet nga një aktgjykim.

"Se di qysh e mban toka këtë padrejtësi! Qysh nuk shembet prej dhimbjes, kur çlirimtarët dënohen më rëndë se pushtuesit. Po dhemb heshtja e botës. Po dhemb pabarazia. Sot po mundohen me na bind që lufta për liri edhe pushtimi kanë peshën e njëjtë. Që ata që e mbrojtën shtëpinë e vet jon njësoj me ata që erdhën me tanka, djegën shtëpi, vranë e dëbuan ni popull prej tokës së vet. Historia jonë nuk rishkruhet me ni aktgjykim. Lufta jonë nuk barazohet me krimet e Serbisë. Sot zemra e Kosovës është në Hagë. JO NË EMRIN TIM!"

Alban Skënderaj: Po gjykohet edhe simbolika e luftës së UÇK-së

Në reagimin e tij, Alban Skënderaj la të kuptohet se vendimi nuk prek vetëm katër ish-krerët e UÇK-së, por edhe mënyrën se si shqiptarët e Kosovës e shohin luftën e tyre për liri. Ai bëri thirrje që, sipas tij, të mos heshtet përballë asaj që e konsideron një padrejtësi.

"Sot ndiej revoltë dhe trishtim të thellë. Ky vendim më dhemb dhe më indinjon. Nuk po dënohen padrejtësisht vetëm udhëheqësit e UÇK-së, por po hidhet baltë mbi atë që UÇK-ja dhe lufta e saj përfaqësojnë për ne dhe për historinë tonë. Një luftë që lindi nga nevoja për liri! Një popull që kërkonte të jetonte i lirë dhe të mbrohej përballë një regjimi që solli dhunë, dëbime, masakra dhe vuajtje të tmerrshme. Sot jam i revoltuar. Jam i lënduar. Dhe mbi të gjitha, nuk dua të hesht! Të bashkuar të protestojmë kundër kësaj padrejtësie!"

 

Mesazhe edhe nga Xhensila dhe Capital T

Edhe Xhensila Myrtezaj reagoi menjëherë, duke e cilësuar vendimin "turpi më i madh që mund të ndodhte ndonjëherë" dhe duke shkruar "Liri për çlirimtarët".

xhensila

Ndërsa Capital T publikoi vetëm një fjali të shkurtër, por me ngarkesë politike pikërisht për faktin se dënimi ndaj ish krerëve të UÇK-së u shpall në Hagë 'në emër të popullit të Kosovës':

"Jo në emrin tim. Jo në emrin e popullit të Kosovës."

capital t