Mineralet e rralla
Republika Popullore shtyn me një vit kontrollet mbi lëndët e para kritike.
Kina ka pranuar të shtyjë me një vit kufizimet mbi metalet e rralla dhe mbi të gjitha lëndët e tjera të para kritike, thelbësore për kompanitë teknologjike amerikane. Kjo është pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes: kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja 100% nga data 1 nëntor erdhi pikërisht pasi Xi Jinping kishte vendosur kontrolle të konsiderueshme mbi eksportet, që përktheheshin në kufizime të forta për vendet importuese. Megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë lidhur marrëveshje për furnizime me qeveri të tjera (së fundmi edhe me Ukrainën), ato mbeten fortësisht të varura nga eksporti kinez. Edhe sepse Pekini nuk kufizohet vetëm me një lloj monopoli mbi furnizimet, por dominon gjithashtu sistemet e përpunimit dhe të rafinimit.
Rrjeti social
Shitja e platformës në SHBA, por ByteDance do të mbajë një kuotë prej 19,9%.
Nuk ka ende firmë nga Trump dhe Xi mbi marrëveshjen për shitjen e aktiviteteve amerikane të TikTok-ut një konsorci investitorësh amerikanë, por tashmë duket se është çështje kohe, marrëveshja është arritur. Plani i Shtëpisë së Bardhë parashikon ndarjen e aktiviteteve amerikane nga ByteDance (kompania mëmë kineze), e cila gjithsesi do të mbajë një kuotë prej 19,9% në shoqërinë e re. Platforma në Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë të përdorë algoritmin origjinal me licencë, dhe falë kësaj lejeje do të përfitojë një pjesë të të ardhurave më të larta se ato që i takojnë sipas pjesës së saj në shoqëri. Marrëveshja ka si synim kryesor ruajtjen e sigurisë së të dhënave të përdoruesve amerikanë, duke kapërcyer kështu shqetësimet e ngritura nga Kongresi.
Produktet bujqësore
Qeveria kineze rihap dyert për bishtajoret. Uashingtoni: “Ka një nevojë të madhe.”
Kina do të rikthejë importin e sojës amerikane. Pjesa e tregut kinez është jetike për fermerët amerikanë: në vitin 2024 Pekini kishte blerë mbi 22 milionë ton sojë (gati gjysmën e prodhimit amerikan), me një vlerë prej 12,5 miliardë dollarësh. Por më pas erdhi lufta e tarifave dhe blerjet nga Shtetet e Bashkuara u ndalën që nga maji i kaluar. Kina kishte vendosur të furnizohej diku tjetër, kryesisht në Brazil dhe Argjentinë. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tani ka kërkuar të qetësojë menjëherë fermerët: “Në të vërtetë Kina nuk e ka mbuluar ende të gjithë nevojën e saj për sojë për dhjetor dhe janar, dhe presim që ajo të duhet të rifillojë blerjet.” Në muajt e mëparshëm, administrata amerikane kishte propozuar shitjen e sojës edhe në Itali, e cila megjithatë e konsumon në sasi të vogla.
Vendet e tjera
Malajzia, Tajlanda, Kamboxhia dhe Vietnami: Hiqen barrierat për Azinë Juglindore.
Trump kryesoi nënshkrimin e marrëveshjes së paqes midis Tajlandës dhe Kamboxhias, duke marrë meritat për të, por mbi të gjitha presidenti amerikan nënshkroi disa marrëveshje tregtare me këto dy vende dhe me Malajzinë e Vietnamin. Përmbajtjet nisin nga marrëveshjet për tarifat: pjesa dërrmuese e tyre hiqet nga vendet aziatike, ndërsa SHBA-të i mbajnë për momentin në nivelin 19% (20% për Vietnamin). Ka pastaj marrëveshje të veçanta në fusha të tjera: me Tajlandën dhe Malajzinë, marrëveshjet kanë të bëjnë me eksportin e lëndëve të para kritike. Ndërsa marrëveshjet e tjera kanë për qëllim krijimin e një tregu të gjerë për eksportet amerikane. “Jemi të kënaqur që po krijojmë partneritete më të fuqishme në sektorët e energjisë, teknologjisë, inteligjencës artificiale, mineraleve kritike dhe në fusha të tjera,” deklaroi Trump./La Repubblica
Komente












Me Kinen nuk ben dot te fortin Trump por ulet ne bisedime se per ndryshe ja bllokon rubinetin per metalet e rralla
Përgjigju