Nga Ian Gillan te Luizi, 450 euro në mes

Nga Ian Gillan te Luizi, 450 euro në mes

Luiz Ejlli

Në fillim të vitin 2007, u dha lajmi që në Tiranë do të zbarkonte më i famshmi britanik grup i Hard-Rockut, “Deep Purple”, me në krye solistin e jashtëzakonshëm Ian Gilan. Padyshim “Deep Purple” nuk ishte në ditët e tij më të mira. Kitaristi i jashtëzakonshëm Riçi Blakmor nuk ishte pjesë e gripit dhe as tastjeristi me famë Xhon Lord. Për më tepër Ian Gilan ishte 62 vjeç. Kam qenë dhe vazhdoj të jem idhtar i këtij kompleksi muzikor, aq sa shumë më herët se kaq mendoja se po të vinte ky grup hard-rroku në Tiranë, do të blija një biletë me çdo çmim, mjaft që ta ndiqja drejtpërdrejt.

Grupi mbërriti në Tiranë. Isha i bindur se grupi në fjalë, i prenotuar në arena të përbotshme, do të kishte një biletë me një kosto të madhe, për më tepër që koncerti jepej në një sallë të mbyllur si ai i Pallatit të Kongreseve kapaciteti i të cilit është 2200 vende. Por çuditërisht sigurova një biletë prej 4 mijë lekësh të reja, që asokohe kapte vlerën e 25 eurove. Le të themi se sot, për shkak të inflacionit dhe ngritjes së çmimeve, kjo biletë ngrihet në dyfishin e saj; 50 euro. Pra me 50 euro arrita të shihja një koncert fantastik, në një performancë elektrizuese prej dy orësh, të një grupi legjendë.

Kjo ka të bëjë me të kaluarën e 16 viteve më parë.

Rrodhën ujërat, çmimet e biletave ndryshuan. Mirëpo çuditë nuk kanë të sosur.

Tanimë po qarkullon rëndshëm lajmi se për të parë premierën e “Big Brother” çmimi fillon me 500 euro, eeeee… kush e di ku e ka fundin.

Ta marrsha të keqen ta marrsha.

Demek, 50 euro me pa Ian Gilan e Ian Peis dhe 500 Euro për të parë Luizin dhe Krisin.

A ia vlen të paguash kaq shumë para?

Pyetja mund të marrë vlerën e një milion dollarëve për të marrë një përgjigje të saktë. Por në fakt përgjigja është badiava fare.

Në marsin e vitit 2007 shqiptarët nuk kishin kaq shumë para nëpër duar. Megjithatë 25 euro ishte fare pak për të parë një legjendë. Sot shqiptarët kanë shumë herë më tepër, e në përpjesëtim dhe u duhet të paguajnë më shumë. Për më tepër kur bëhet fjalë për të parë idhujt e tyre.

Çdo kohë nxjerr idhujt e vet. Çdo njeri ka idhujt e tij.

Sot Luizi është kthyer jo më një fenomen, por në një ikonë. 133 ditët e ngujimit e kthyen atë në xhevahir. Vendi ku ai ka fjetur tanimë do të kthehet në tyrbe. Vend i mirë. Shqiptarët do shkojnë të ndezin qirinj. Do hedhin dhe monedha, sipas zakonit. Do luten e do falen.

Sepse kështu nis epopeja e përjetësisë.

Luizi është kthyer në fenomen. Ai i ka bërë të gjithë bërë vete. Njerëzit kanë shpenzuar duke dërguar me dhjetëra herë sms me emrin e tij për ta mbajtur si lojtar në shtëpi. Por xhepat nuk u janë zbrazur. Tani pritet të japin goditjen e fundit, 500 euro për një natë spektakli.

Aferim u qoftë!

Sepse është premtuar se kjo natë do të jetë magjike. Do të ketë surpriza. Ndoshta dhe fishekzjarre.

Pastaj, kur i ke 500 euro pse të mos i shpenzosh.

Harxhoje paren, mos kurse/ Nuk vlen një kursimtar

Kërce, këndo edhe dëfre/ Se gjo nuk merr në varr.

Me të drejtë në fakt. Se të gjithë e kena prenotu nga një biletë edhe për atje: jo vajtje-ardhje.

Por bileta nuk ka vetëm spektakli i Big-ut. Të shkosh sot e të shohësh një shfaqje teatri, biletën e pret me 3, 5 ose maksimumi 7 euro. Dhe kur çmimi shkon 7 euro, ngrihet sherri. Mirë që u rrit çmimi i bukës po u rrit dhe çmimi i teatrit. Ushqimi shpirtëror. Kësaj i duhet thënë: ndal! Kjo është ngritje e paarsyeshme e çmimeve dhe duhet të reagojë ministria e linjës dhe vetë Këshilli i Ministrave. Po ky është abuzim, tek e fundit.

Po, po… sherri ngrihet për një dymijëlekoshe. Prandaj salla e teatrit nuk mbushet asnjëherë plot. Se çmimi është i shtrenjtë e njerëzit mezi ia dalin.

Se si më duket e gjitha kjo. Mos vallë jemi në ëndërr?

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • EDI ne hall:: 05/05/2023 13:39

    Mjeksia shqiptare duhet urgjentisht te percaktoje mjekimin e shqiptareve se po na ikin per lesh...Te gjendet ndonje ilac qe te eleminoi vartesine nga idiotet qofshin keta mediatik apo politik.Edhe keta shqiptare qe nuk po emigrojne jane te infektuar...Nuk kam se c'tju bej as une EDI as qeveria ime...

    Përgjigju
    • Popullfakir: 05/05/2023 20:56

      Vetem shiko kush eshte udheheqes i ketuj populli qe nga hajdut Zogu, Enver Kopili, Sali Vrasesi, Fatos Bixhoslia,Edwin Sulltan Psikopari, ske pse te komentosh me shume.I meritojme sepse ky popull jemi ne, I meritojme.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja