Furnizuesi i Tregut të Lirë nuk do të jetë më i detyruar të furnizojë me energji elektrike klientët e tensionit 6 kilovolt, prej 1 janarit të vitit të ardhshëm. Pasi dolën në treg të lirë abonentët e rrjeteve, 35 kV, 20 kV dhe 10 kilovolt, tashmë liberalizimi do të përfshijë edhe 2300 subjekte të lidhura në tensionin 6 kilovolt. Pra edhe këto subjekte do të ekspozohen ndaj çmimeve të tregut të lirë.
Administratori i Furnizuesit të Tregut të Lirë, Albi Gjenerali tha në “Panairin e Energjisë’ se këto biznese do të kenë të drejtën ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre të energjisë, teksa sqaron rëndësinë e këtij procesi.
“Ndikimi i ndaljes së klientëve në treg të lirë ka qenë shumë pozitiv edhe për barrën publike, në kuptimin e fundit të shërbimit universal, sepse tashmë këta klientë që le të themi i kanë të gjitha kapacitetet të sigurojnë një energji me çmim mbase dhe më konkurrues se furnizuesi i mundësisë së fundit nuk janë më barrë shtetit për t'i furnizuar me anë të Shërbimit Universal që është një shërbim që shihet si i domosdoshëm kritik për të gjithë qytetarët e edhe bizneset të vogla dhe të mesme le të themi”, tha Gjenerali.
Por, Gjenerali thekson se këto subjekte edhe pse dalin në treg të lirë, përsëri mund të zgjedhin Furnizuesin e Tregut të Lirë për tu blerë energji elektrike, pasi ju ofron çmim stabël që rishikohet çdo vit.
“Portofoli jonë aktual kemi rreth 4000 klientë në rrjetin 35, 20, 10 KV dhe presim dhe 2300 klientët e rinj që dalin në treg të lirë nga 1 janari 2026, të jenë pjesë e portofolit tonë, dhe patjetër që pjesa më e madhe e tyre do të jenë kjo sepse ne e garantojmë një çmim stabël përgjatë gjithë vitit të tyre të furnizimit, që i bën ata të marrin masat ekonomike, teknike, financiare për të qenë më stabël dhe ata te bizneset e tyre”, thekson ai.
Çmimi i energjisë elektrike për klientët që kanë dalë në treg të lirë por që kanë lidhur kontratë me FTL për këtë vit është 18.3 lekë pa TVSH. Njëkohësisht të gjithë këta klientë që ndër vite kanë dalë në treg, mund të zgjedhin edhe operator tjetër për tu furnizuar me energji, të cilët çmimet i caktojnë në bazë të lëvizjeve në bursë.
Komente












