Bashkia e Tiranës thotë se po vijon aksionin e gjerë të pastrimit në të gjithë kryeqytetin, me ndërhyrje të përditshme në rrugë, lulishte, kënde lojërash, sipërfaqe të gjelbra dhe zona të banuara.

Sipas Bashkisë, një nga problematikat me të cilat përballen ekipet në terren është hedhja e mobiljeve, kolltuqeve, krevateve, pajisjeve të vjetra dhe mbetjeve të tjera voluminoze pranë koshave apo në hapësira publike.

Në kuadër të aksionit, mjetet e Bashkisë po punojnë për grumbullimin dhe evadimin e këtyre mbetjeve, ndërsa qytetarëve u kërkohet të mos i depozitojnë ato në rrugë. Për largimin e mbetjeve voluminoze mund të kontaktohet kompania publike Eco Tirana, në numrin 04 433 0250, ekipet e së cilës kryejnë tërheqjen e tyre.

Bashkia bën me dije se gjatë javës strukturat e pastrimit kanë ndërhyrë në 11 njësitë administrative urbane, si dhe në lagjet nr. 12, 13 dhe 14, duke kryer pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, rrugicave, këndeve të lojërave dhe lulishteve.

Aksioni ka përfshirë gjithashtu pastrimin e partereve të gjelbra, mbledhjen e barit dhe mirëmbajtjen e urave përgjatë lumit Lana, si dhe sipërfaqet e gjelbra në Bulevardin e Ri dhe Bulevardin “Zogu I”.

Sipas njoftimit, ekipet kanë vijuar punën edhe në blloqet e banimit, tregjet publike, trafikndarëset dhe lulishtet kryesore të qytetit, ndërsa ndërhyrje të posaçme janë zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin “Nënë Tereza”.

Bashkia e Tiranës njofton se aksioni do të vijojë me fokus në pikat problematike dhe në largimin e mbetjeve të hedhura në mënyrë të parregullt në hapësirat publike.