‘Nga KombinArt te investimet në Bulevardin e Ri’, Veliaj tregon projektet e reja për kulturën dhe artin në Tiranë

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilluan një takim me artistët e Tiranës, me të cilët biseduan për disa nga projektet ikonike që pritet të realizohen në kryeqytet me fokus artin dhe kulturën. Veliaj renditi disa nga investimet e kryera nga Bashkia e Tiranës për artin dhe kulturën në kryeqytet, duke filluar nga Amfiteatri i ri e deri te KombinArt, lagjja e re në Kombinat, ku do të ketë disa ndërtesa ekskluzive për instalacione, skulpturë dhe pikturë.

“Kemi futur një traditë shumë të mirë në shkolla, të cilat i pajisim edhe me një sallë koncertore, siç rasti sallës ‘Tonin Arapi’ te Liceu, apo ‘Avni Mula’ te shkolla ‘Servete Maçi’, ose te shkolla ‘Lasgush Poradeci’ në Kombinat. Po mundohemi të mbjellim këtë lloj akupunkture artistike në qytet. Kemi edhe kinemanë ‘Maks Velo’, e cila përdoret edhe nga kundërshtarët tanë për takime. Po bëjmë një ndërhyrje shumë të madhe në Kinostudio dhe sapo morëm mbrapsht kinema ‘Agimin’ nga privati, e cila do të hapet së shpejti. Jemi duke punuar me një kompani prestigjioze për zonën e artistëve te Komuna e Parisit, po ashtu po punojmë për ‘KombinArt-in’; pra, të kemi disa ndërtesa ekskluzive për instalacione, skulpturë dhe picture. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe tek lagja e re ‘5 Maji’”, tha Veliaj.

Mandej, ai foli edhe për disa investime të tjera që do të vendosen në Bulevardin e Ri të Tiranës. Veliaj tha se është gjetur zgjidhja për punimet te Teatri i Ri, kur tha se për hyrjen e makinerive të mëdha do të përdoret hapësira te ish-Drejtoria e Burgjeve, mes Ministrisë së Transporteve dhe Torre Drinit, në mënyrë që Pedonalja të vazhdojë normalisht.

“Gara e parë që hapëm për Bulevardin e Ri ishte për Pallatin e Ri të Koncerteve sepse ajo që kemi është ezauruar si hapësirë. Ka mbërritur dita që opozita bën fushatë me luftë ndaj Amerikës, luftë me pemët dhe me artistët, çka do të thotë se shumicën e gjërave i kemi rregulluar në atë farë feje, sa tani jemi duke diskutuar për bindjen e Noizy-t dhe Rita Orës. Në anën tjetër të Bulevardit të Ri është përcaktuar hapësira për një muze të artit modern. Edhe Teatri i Kukullave do të jetë një tjetër hapësirë e restauruar”, tha Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:17
Veliaj: Rikthejmë Bienalen e Tiranës

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë një takimi me artistë të mirënjohur të Tiranës, dha lajmin për rikthimin e Bienales së Tiranës. Ai u shpreh se vendimi për rikthimin e këtij eventi të rëndësishëm është marrë dhe është lajm i mirë për të gjithë artistët.

“Pasi u informuam për kohën kur Edi [Rama] organizonte me shumë pasion Bienalen e Tiranës, kemi marrë një vendim që, tani që kemi mbaruar historinë e pandemisë, të tërmetit dhe inflacionit të luftës dhe gjerat janë kthyer në realitet, të rikthejmë Bienalen e Tiranës, çka besoj është një lajm i mirë për të gjithë artistët”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi edhe dy fjalë për akuzat që kundërshtarët politikë kanë bërë ndaj artistëve, të cilët po mbështesin transformimin e Tiranës në këto vite.

“Në betejën që historia të fitojë mbi histerinë ne duhet të jemi bashkë. I gjithë ky invazion që një pjesë e politikës i bën artit dhe kulturës, duke thënë: ‘Janë paguar me taksat e shtetit’, - patjeter sepse edhe një artist ka fëmijë për të rritur, mund të jetë sëmurur me Covid, duhet të mbajë familjen, ka nevojë të paguajë qeranë e shtëpisë ose kredinë në bankë - duhet të përballohet me mirësi dhe në mënyrë të fisme si argument. Patjetër që artistët do paguhen. Ata janë njerëz që kanë bërë shkollë, që rrisin familje, që duhet të paguajnë gjithashtu taksa, tatime, qera dhe kredi. Ndaj, kjo histeria që këta thonë se po e bëjnë këtë me taksat, - çdo gjë bëhet me taksat, edhe asfalti, edhe ndriçimi me taksat, edhe pastrimi që po ndodh tani në shesh me taksa behet - duhet të dinë se arti është gjithashtu një shërbim publik dhe në këtë sens duhet të jemi të gjithë në një front, për të bërë më shumë histori e më pak histeri”, u shpreh Veliaj.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve