TIRANË- Një 26-vjeçar nga Kruja është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se po transportonte një armë zjarri për ta shitur.
Nikolin Dedej u kap nga policia në zonën e Kthesës së Kamzës, teksa po udhëtonte nga Kruja drejt Tiranës.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti një pistoletë, e cila dyshohet se do të shitej në kryeqytet. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti dhe telefoni i 26-vjeçarit.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që po levizte drejt Tiranës, me armë zjarri, në automjet, finalizuan operacionin e koduar “Price”, gjatë të cilit u arrestua te vendi i quajtur “Kthesa e Kamzës”, shtetasi N. D., 26 vjeç, banues në Krujë.
Nga kontrolli në automjetin që drejtonte 26-vjeçari u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) që dyshohet se ishte siguruar dhe po transportohej me qëllim shitjen në Tiranë.
Vijon hetimi për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast kriminal, si dhe për dokumentimin ligjor të të gjitha rrethanave të tij”, njofton Policia.
Policia po vijon hetimet për të zbuluar nëse persona të tjerë janë të përfshirë në shitjen e armës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento