Nga “Kthimi” tek “Zajednica”

Nga “Kthimi” tek “Zajednica”
Nën administratën e UNMIK-ut me kërkesë të Serbisë filloi procesi i “kthimit”. Ky proces i cili ishte njëri nga “Standardet para Statusit” opinionit publik në Kosovë dhe gjithë qytetarëve iu propagandua si kthim i serbëve lokal aty ku kishin jetuar para luftës. Përtej asaj që propagandohej “kthimi” do të përgatiste terrenin për planet e Serbisë.

Në Kosovë nuk po ktheheshin as serbët që kishin jetuar këtu e as aty ku kishin jetuar. Kolonë nga gjithë zonat e luftërave në Jugosllavi po “ktheheshin” në Kosovë. Po ata nuk po “ktheheshin” aty ku kishin jetuar serbët sepse: a) aty nuk kanë prona dhe b) sepse aty nuk iu nevojiteshin Serbisë në planet e saj për zgjerim në Kosovë. Serbia përmes këtij procesi i “kthente” kolonët e rinj në tri lokacione:
 
1. Në vendbanime ku duhet forcuar shumicën e brishtë të popullsisë serbe. Duke qenë të vetëdijshëm se nataliteti i shqiptarëve është më i madh dhe do të bëhej rrezik për përqindjen e popullsisë në të ardhmen, Serbia përmes kthimit forcoi atë shumicë të popullsisë serbe.
 
2. Në vendbanimet ku serbët janë pakicë përmes kthimit bëhen shumicë. Duke ditur që vendbanimet me popullsi të përzier ku serbët nuk janë shumicë nuk do të mund t’i kontrollonte, Serbia përmes kthimit po i bënte serbët shumicë në ato vendbanime.
 
3. Në vendbanime që lidhin enklavat serbe. Serbia e vetëdijshme se lidhja territoriale e “enklavave” do të përfshinte edhe vendbanime me popullsi shqiptare të cilat do të ndikonin në përqindjen e popullsisë, ktheu serbë në vendbanime që nuk ishin në administrim të “enklavave” por territorialisht do t’i lidhnin ato.
 
Përmes “kthimit” në këto lokacione ku i duhej, Serbia tashmë ishte e gatshme të fillonte negociatat për decentralizimin në Kosovë i cili nuk do të bëhej për të afruar pushtetin te qytetarët (siç do të duhej të ishte), por për të krijuar komuna me shumicë serbe.
 
Kosova, edhe pse eksperiment ndërkombëtar me etiketim si multietnike po kryente një proces monoetnik vetëm e vetëm që t’i plotësoheshin apetitet Serbisë.
 
Përmes procesit të decentralizimit u krijuan pesë komuna të reja, të gjitha me shumicë serbe.
 
Përderisa negociatorët e asaj kohe (që janë po të njëjtit edhe sot) premtonin që në fund të negociatave do të bashkonin Mitrovicën, përmbyllën negociatat për decentralizim me krijimin e Komunës së Mitrovicës Veriut. Ndarja e Mitrovicës u zyrtarizua përmes krijimit të kësaj komune. Përveç kësaj u krijuan edhe komunat: Graçanica, Parteshi, Ranillugu dhe Kllokoti. Poashtu territori i komunës së Artanës (Novoberdës) u trefishua, por jo duke i përfshirë vendbanimet e afërta por duke i përfshirë vendbanimet serbe, pavarësisht se këto vendbanimet kanë më afër Gjilanin.
 
Përveç faktit që këto Komuna u krijuan me bazë etnike këto komuna gëzuan kompetenca shumë më të zgjeruara se Komunat tjera në Kosovë. Komuna e Mitrovicës së veriut do të mund të krijojë e menaxhojë Universitet përderisa këtë të drejtë nuk e ka as Prishtina si kryeqytet. Këtyre komunave iu mundësua lidhja mes vete si dhe lidhja me Serbinë. Serbia ka të drejtë të financojë projektet e këtyre komunave pa pasur nevojë të marrë leje nga Qeveria e Kosovës por vetëm duke e njoftuar atë.
 
Edhe pse me kompetenca të zgjeruara, Beogradi nuk i dëshiron komunat vetëm si Komuna, por i dëshiron të bashkuara nën kupolën e “Zajednicës”. Bartja e kompetencave, edhe ashtu të zgjeruara të këtyre komunave, në një institucion si “Zajednica” e kthen mbrapsht decentralizimin. Tash Serbia dëshiron centralizim të kompetencave aktuale të komunave dhe zgjerim të kompetencave të cilat do t’i atribuohen “Zajednicës”.
 
“Zajednica” është autonomia e serbëve në Kosovë. Duke e ditur që “Zajednica” nuk është kërkesë e serbëve lokalë por kërkesë e Serbisë, “Zajednica” është në fakt Serbia në Kosovë.
 
Populli i Kosovës i ka treguar Serbisë se nuk ka vend në Kosovë, andaj edhe më 9 janar duke protestuar, e saktësojmë se Serbia nuk ka vend në Kosovë dhe asnjë Qeveri e Kosovës që e mbron interesin e Serbisë nuk do të mund të qëndrojë.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Dhunohet infermieri në krye të detyrës te “Nënë Tereza”, arrestohet 23-vjeçari

Tiranë/ Dhunohet infermieri në krye të detyrës te “Nënë Tereza”, arrestohet 23-vjeçari