Nga lodrat te dhuna/ T’u blesh a të mos u blesh fëmijëve armë për festa?

Nga lodrat te dhuna/ T’u blesh a të mos u blesh fëmijëve armë për festa?

Foto ilustruese

Është ajo kohë e vitit, kur djemtë e shkollave fillore a nëntëvjeçare  bëhen grup e hedhin kapsollë në rrugicat e lagjeve me një lloj ekzaltimi të çuditshëm të fshehur mes tymnajës dhe zhurmës që lë pas baruti i plasur…Është ajo kohë e vitit, kur djemtë pak më të vegjël janë gati të qajnë e shtrihen përdhe derisa të marrin dhuratë atë automatikun e madh apo të paktën ndonjë nga personazhet e Fortnite, të pajisur me gjithfarëlloj arsenali armësh e deri tek super heronjtë , që ndonëse të veshur me petkat e personazheve pozitivë nuk u mungojnë  mjetet e luftimit me të këqijtë…Është ajo kohë e vitit që edhe prindërit më kundër përdorimit të këtyre lodrave luftarake, lëshohen para syve ngazëllues të të vegjëlve kur marrin dhurata. Ka edhe  të tjerë prindër, të cilët nuk presin festat e fundvitit për t’ua mbushur raftet djemve të tyre me të gjitha llojet e armëve.

“Ka një frymë gati militariste të edukimit të fëmijëve të sotëm. Arsenali i lodrave që përdorin janë kryesisht  mjete lufte – automatikë, kallashë, bomba, aeroplanë, tanke…Me një fjalë i  gjithë arsenali i mjeteve të mundshmet ushtarake gjendet tek të gjithë fëmijët”,  për Gazeta Si sociologu Gëzim Tushi, duke shtuar se kjo nuk është tregues vetëm i mentalitetit ballkanik të familjes shqiptare, por fenomen më i gjerë, botëror. “Fëmijët  janë nën  pushtetin e filmave që gjithashtu janë të dhunshëm, gjithashtu janë me përdorim të armëve, me vjedhje, me hajdutë, me policë…”

Sipas sociologut, edhe familja shqiptare ka rënë në kurthin e përgjithshëm të këtij edukimi. Ai vëren se fëmijëve meshkuj shpesh u plotësohet dëshira me lodrat luftarake.

“Kemi fëmijët, kemi nipërit tanë, që  sapo i çojmë në markete apo dyqane lodrash kërkojnë automatikë , mundësisht sa më të sofistikuar e megjithëse  janë gjashtë apo shtatë  vjeç ua  njohin edhe emrat armëve-lodra  më të sofistikuara e të markave më të fundit”, pohon Tushi, duke shtuar se ndryshimi i këtij mentaliteti apo nxjerrja nga këto korniza të deformuara që ka shoqëria, është i vështirë.

“ Sa i përket tipologjisë së përdorimit të lodrave dhe  ndarjes mekanike, “lodra  për meshkuj dhe lojëra për femra” është e diskutueshme. Në shoqërinë shqiptare do të jetë anomali të shohësh një vajzë me automatik apo tank lodër apo një djalë të ketë nga ato lodra që konsiderohen femërore.  Është një ndarje pak biologjike dhe nuk bëjmë dot revolucione kulturore dhe konceptuale për ta ndryshuar radikalisht”, thotë sociologu Tushi.

Megjithatë studimet e kryera në botën perëndimore nuk tregojnë ndonjë lidhje shkencërisht të bazuar, mes përdorimit të lodrave- armë në fëmijëri dhe agresivitetit në moshë të rritur.

“Të gjithë e kanë një teori joformale shkak-pasojë se loja me armë në fëmijëri çon te përdorimi i armëve të vërteta, kur të rriten. Nuk ka prova shkencore që sugjerojnë se lojërat luftarake do të çojnë më vonë tek agresiviteti në jetën reale”, thotë psikologu i fëmijëve Michael Thomson, autor i librit “Është djalë! Zhvillimi i birit tuaj nga lindja në moshën 18 vjeç”.

Zakonisht vërehet se nga mosha dy apo tre vjeçare,  shfaqen edhe parapëlqimet e qarta gjinore kur vjen fjala tek lojërat – djemtë priren kah loja agresive, si lufta me përbindëshat, ndërsa vajzat priren të angazhohen më shumë me kukullat apo lojëra që përfshin familjen.

“Nuk mund të themi se është i lindur apo ka lidhje me të mësuarit social. Si djalë i vogël nuk je shumë i fuqishëm; e megjithatë me një armë ndihesh shumë i fuqishëm dhe heroik”, ka shpjeguar psikologu i fëmijëve Thompson, në librin e tij.

Por përdorimi i këtyre lodrave shpesh çon në konfondimin e fëmijëve për të dalluar armën e vërtetë nga ajo kinse, e përdorur për kohën e lojës, duke çuar shpesh në pasoja fatale dhe tragjike, mendon sociologu Gëzim Tushi. Akoma me pasoja më të rënda, të vërejtura edhe  tek disa  prindër shqiptarë, është të mësuarit e djemve të vegjël me armë mbajtje të vërtetë që në moshë fare të mitur.

“Në këtë rast, fëmija është krejtësisht i papërgjegjshëm,  sepse nuk arrin ta ndajë lodrën nga arma e vërtetë  dhe mendon se përdorimi i armës është lojë, shaka dhe ky konfondim nuk e ngarkon dot me përgjegjësi fëmijën, por prindërit që janë të pakujdesshëm për të siguruar në kushtet e duhur armën, që bëhet pastaj burim rreziku ose për suicid, ku fëmijë kanë vrarë veten duke luajtur me to, ose duke u marrë jetën një anëtari tjetër të familjes”, mendon sociologu, ku rasti më i fundit ishte ai i një fëmije shtatë vjeçar, që shkrepi këmbëzën e një arme të vërtetë duke plagosur rëndë të atin, i cili më pas gjeti vdekjen në spital. Raste të tilla në Shqipëri ka pasur edhe më parë.

“Duhet të jemi të kujdesshëm e të gjejmë mënyra për të zëvendësuar logjikën e lodrave me armë luftarake, me lodra të tjera më humane e të ndikojnë në zhvillimin e imagjinatës, kreacionit  intelektual, të cila janë në treg e që mund të bëhen të përshtatshme edhe  për meshkujt”, mendon sociologu Gëzim Tushi.

Por një studim i kryer nga Universiteti Metropolitan i Londrës gati 20 vjet më parë, ka zbuluar se fëmijët që nuk lejoheshin të luanin me lodra armë, nisnin të besonin se po bënin diçka të gabuar. Ata sërish luajnë, por  fshehtas, shpjegonte studiuesja Penny Holland, autore e “Ne nuk luajmë me armë këtu”. “Sa më shumë fëmijët të lejohen të luajnë lirshëm, aq më të angazhuar bëhen dhe imagjinata lulëzon”.

Por problemi i dhunës, veçanërisht në shoqërinë shqiptare, shpjegon sociologu Tushi, ka rrënjë të thella.

“Ne vijmë nga një shoqëri patriarkale, maskiliste, e cila ka favorizuar mashkullin e sidomos mashkullin e fortë,  mashkullin “trim”, i cili i del zot vetes, në gjendje të përballet me tjetrin e të triumfojë,  jo gjithmonë në rrugën e  arsyes,  por kryesisht në rrugën e forcës.  Dhe  kjo limfë edukative buron në gjirin e familjes”, mendon Tushi, duke thënë se ngjarje tragjike si ajo e para pak ditëve, që përfshiu një fëmijë shtatëvjeçar , nuk duhet analizuar si  një precedent rastësor, por si element thelbësor, që ka të bëjë me formatin e edukimit të fëmijëve të sotëm e veçanërisht të djemve.

“Ka pasur gjithnjë një lloj dikotomie mes edukimit të vajzave dhe edukimit të djemve. Duke menduar se vajzat janë të brishta, ato do të bëhen nëna,  bashkëshorte dhe nuk do t’u duhet forca dhe nga tjetër,  përgatiten djemtë që do të jenë burrat e ardhshëm , të cilët do t’i dalin zot jetës duke përdorur të gjitha llojet e mjeteve”, thotë sociologu Tushi, i cili shton se  kohët e fundit vihet re një theksim i metodave të “akscentimit të mashkulloritetit, të tipareve që janë jo aq shumë humane, por që konsiderohen adekuate në traditën tonë, me përfytyrimin që kemi për mashkullin”.

Tushi nuk e sheh rastësor fenomenin e bullizmit, kryesisht tek djemtë.“Kjo limfë e dhunës injektohet që në fëmijëri e të ushtrosh dhunën, nuk ka nevojë vetëm për forcën fizike, por edhe  mjetet e përdorimit  si shkopinjtë, armët e të tjera si këto   po i perfeksionojnë fëmijët  me këto metoda brutale , të dhunshme dhe u deformojnë personalitetin dhe zhvillimin”.

Duhet të tregojmë shumë  kujdes me fëmijët që  rrisim,  këshillon sociologu, duhet të jemi të shqetësuar për këto  doza agresiviteti.

Sipas studiuesve të huaj, media e dhunshme është ajo që luan rol më të drejtpërdrejtë në sjelljen agresive tek fëmijët, shumë më shumë sesa lodrat luftarake.  Edhe sociologu Gëzim Tushi e pohon këtë.

“Ka një lloj imperializmi kulturor të medias,  që ndikon fort në shformimin e fëmijëve”, thotë ai, duke shtuar se “po t’i bombardosh fëmijët  24 orë në ditë me filma të dhunshëm, policorë, me kriminelë që organizojnë stratagjema të ndryshme për të organizuar akte të caktuara kriminale sikur ua injektojmë këtë lloj edukate dhe stil jetese”, thotë Tushi.

Megjithëse filmat dhe programet janë në dorë të televizioneve dhe jo prindërve, këta të fundit duhet të bëjnë seleksionim kulturor dhe të përshtatshëm me moshën. Kjo duhet të bëhet, thotë Tushi, në komunikim dhe marrëveshje me fëmijën.

Sipas sociologut, imazhet televizive e filmike lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme në psiken e fëmijës. “Kanë një forcë shumë të madhe sugjestionuese, janë arketipa të forta strukturore që ndikojnë në psikologjinë e fëmijës dhe pastaj ndikojnë për keq në formimin e personalitetit”, thotë ai.

Studiuesit e huaj thonë se nëse fëmija juaj nis të shfaqë agresivitet gjatë lojës, i ndryshoni programet televizive. Me prindërit që shpesh i shpërfillin mesazhet e ekspertëve të sjelljes së fëmijëve, nuk është çudi kur sheh një gjashtëvjeçar që u tund shpatën moshatarëve të tij gjatë orës së lojës në sheshpushimin e bllokut të banimit,  se ai është sulltani e do t’u presë kokat.

Mjaftojnë qoftë edhe pak sekonda, përballë një promoje të serialit turk  “Osmani”, që edhe një fëmijë katër vjeç të të thotë se është film “me prerje kokash”.

Por faji apo përgjegjësia nuk duhet kërkuar vetëm tek lodrat apo televizioni, por tek institucionet bazë të edukimit të fëmijëve.  

“Fakti që kemi këtë kriminalitet të rritur në shoqërinë tonë, nis nga edukimi i gabuar anti-qytetar i fëmijëve tanë. Nëse  do të vazhdojmë të mos edukojmë fëmijët si qytetarë, por si njerëz të dhunshëm, që përdorin arsyen e forcës, në vend që t’u mësojmë të përdorin forcën  e arsyes, atëherë do të thotë se edhe në të ardhmen do të kemi nivele të larta të krimit në familje dhe në shoqëri”, thotë Tushi, duke i gjetur ‘mëkatarët’ tek familja dhe shkolla, gjithaq. 

“Institucionet kryesore të edukimit qytetar të fëmijëve nuk po e luajnë siç duhet rolin e tyre, nuk po e luan as shoqëria që i ka rrethuar fëmijët e vegjël me  këtë rreth vicioz, të ngushtë, të idesë së forcës dhe idesë së përdorimit të mjeteve të forcës”, thotë Tushi, duke e cilësuar dhunën dhe krimin monopol të meshkujve, që injektohet së pari në familje.

“Që kur pritet kordoni ka një lloj determinimi midis femrës dhe mashkullit fëmijë. Tek vajza përpiqemi të formojmë një lloj kornize edukative dhe morale, sipas stereotipit të konceptit tradicionalist që kemi ne për femrën – e butë e sjellshme – megjithëse edhe këtu ka shumë probleme.  Tek  meshkujt ka një tjetër strukturë,   e cila në konceptin e familjes shqiptare  kërkon mjete të tjera e  module të tjera për t’i bërë ata më të fortë, më të rezistueshëm, më të përballueshëm në konfliktet që kanë”.

Nëse familja  ka stof  patriarkal të qëndrueshëm, nëse marrëdhëniet brenda saj janë të përshkallëzuar në një dikotomi gjinore  me një dallim të prerë me thikë  mes femrave dhe meshkujve, e gjitha  kjo thotë Tushi,  do të  injektohet në kulturën e formimit të fëmijëve.

“Kam përshtypjen që ka një lloj braktisjeje edukative, së pari nga nivelet e ulët të prindërit, nga mungesa e përgjegjësisë atërore dhe amësore në familje, të cilët nisën nga parimi se po t’u japim djemve një edukatë të butë, të tepërt, kulturalisht të zgjeruar, do të thotë se do t’i bëjmë të squllët e të pa rezistueshëm përballë dallgëve dhe presioneve që do t’u vijnë nga shoqëria. Në këtë kontekst ka shumë prindër që mendojnë se është e domosdoshme që fëmijët t’i bëjmë të fortë, në kuptimin më polivalent të fjalës forcë”, thotë sociologu, ndërsa këta prindër mendojnë se diktohen nga rrethanat e jashtme për t’i edukuar djemtë që të bëhen të fortë.

“Nga ana tjetër është edhe shkolla. Mendoj se edhe në shkollë, e cila  është një institucion i  formimit qytetar të fëmijëve,  nuk bëhet aq shumë punë sa duhet. Shkolla e ka larguar vëmendjen nga edukimi qytetar, nga etika, humanizmi, nga komunikimi dhe zgjidhja komunikuese e konflikteve”.

Sipas sociologut Tushi, në shkollë ka më shumë konflikte sesa në familje, mes  të rinjve. “Shkolla që duhet të ishte një vatër e latimit, zbutjes,  formimit qytetar të fëmijëve, sidomos të meshkujve është bërë një qendër dhune, ku gëlon përdorimi i thikave, armëve, grushteve dhe të gjithë mjeteve të tjera që janë kundërsens me  edukimin e fëmijëve”, thotë ai.

Këtë e pohon edhe kryetarja e Dhomës së Ndërmjetësuesve të Shqipërisë, Drita Avdyli, e cila thotë se ka plot raste ku kryhet proces ndërmjetësimi mes adoleshentëve në shkolla, raste këto konfliktesh apo përdorimi dhune, të sinjalizuar nga psikologët e shkollave.

“Në fund të fundit, nëse duam të bëjmë një ndrysim të madh konceptual dhe eduaktiv të fëmijëve tanë, veçanërisht të meshkujve, duhet të ndryshojmë parametrat në këto institucione kryesore të  edukimit siç janë familja dhe shkolla. Nuk ka institucione epifenomenale jashtë këtij realiteti dhe që të mund  të ndikojnë në formimin e tyre”, thotë sociologu Tushi, duke e vënë theksin tek përgjegjësia e rritur tek prindërimi dhe te mësuesit.

Por ndonëse dhuna dhe agresiviteti në moshë  të rritur tek meshkujt nuk është thjesht dhe vetëm ekskluzivitet i armëve-lodra, dy vjet më parë përdorimi i tyre për lojë përfundoi tragjikisht rrugëve të Karaçit, në provincën Sindh të Pakistanit. Dy djem adoleshentë po shkrepnin fotografi ndërsa mbanin në dorë një pistoletë lodër për ta postuar më pas në Facebook, kur një oficer policie, hapi zjarr ndaj tyre, pa asnjë paralajmërim, duke sjellë vdekjen e të miturve.

Më 2018-, qeveria e provincës Sindh ndaloi prodhimin, shitjen, blerjen, përdorimin dhe shfaqjen e armëve-lodra për të mbrojtur fëmijët nga familjarizimi me armët, që shpesh çojnë në sjellje të papërgjegjshme me armët.

Por ndërsa dhuna po bëhet e pashmangshme nga programet e filmat në televizion apo edhe lojërat në internet, që kanë për audiencë fëmijë në mosha fare të mitura, duket se të mos ua plotësosh dëshirën për t’ blerë atë automatikun e fundit apo atë shpatën e madhe nuk ka për të ndryshuar asgjë. E megjithatë, në debatin e madh të roleve gjinore, tek ndikimi apo mos ndikimi i lodrave  të dhunshme tek djemtë, nga diku duhet nisur dhe prindërit duhet të jenë më syçelë për t’u informuar se një lodër sot mund të ndikojë për mirë ose për keq, tek një i rritur mot... Gazeta 'SI'

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 30/12/2020 05:02

    Une kur isha e vogel kisha lodrat qe preferohen per vajza,por ama babai me kishte blere edhe nje pushke e dy pistoleta.Kuptohet qe i kishte zgjedhur vete,por ama me pelqenin.Me vone me shpinte te lojrat te rruga e Elbasanit,ku dhe aty zhvillova nje shije per qitjet me arme.Me vone pata rastin te provoj armet e verteta.Mund te them se kenaqesia qe kam ndiere nga testimi i armeve,sidomos atyre reale,ishte si ekstazi,si dicka qe s'ke te ngopur.Por nuk jam dakord qe armet preferohen vetem nga djemte,ka plot femra,perfshi dhe veten,qe jane admirues te armeve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës