Burime të Report Tv kanë bërë të ditur, se aleatët i kanë kërkuar Bashës ndryshimin e sistemit zgjedhor, një sistem që do të maksimizonte votën e tyre. Po të njëjtat burime kanë theksuar se tema e reformës zgjedhore nuk duhet të anashkalohet dhe pjesë e diskutimeve të jetë sërish implementimi i teknologjisë. Në këtë pikë, siç është mësuar, Basha u ka thënë aleatëve, se do të kërkohet një sistem që do të përfaqësojë më mirë qytetarët shqiptarë.
Një temë e dytë e rëndësishme që kanë prekur aleatët ka të bëjë me zgjedhjet vendore që do të mbahen vitin e ardhshëm. Siç kanë bërë të ditur burimet e Report TV, aleatët i kanë kërkuar kreut të opozitës ndryshimin e hartës territoriale, duke rishikuar ndarjen aktuale me 61 njësi bashkiake.
Një shqetësim të tretë që kanë ngritur aleatët e Bashës janë raportet e PD me LSI-së. Lidhur më këtë, nga burime është mësuar se aleatët e kanë pyetur Bashës se deri ku shkon bashkëpunimi i PD me LSI-së.
Kryedemorkati Basha nuk e ka anashkaluar këtë çështje, duke dhënë sqarime përkatëse. Basha u ka thënë aleatëve të pranishëm në tryezë se, PD do të bashkëpunojë me çdo forcë politike që kundërshton qeverisjen e Ramës dhe kërkon rrëzimin e saj në një afat kohor më të afërt.
Ndërkohë, Basha ka shtuar se aleatët politikë të PD janë ata që ishin në tryezë me të. Në tryezën e thirrur sot nga Basha ishte i pranishëm kreu i PR, Fatmir Mediu, ai i LZHK-së, Dashamir Shehi, kreu i PAA, Agron Duka, kreu i Partisë Demoristiane, Nard Ndoka. Takimi mes aleatëve dhe Bashës zgjati plotë 90 minuta.
d.b/shqiptarja.com

VIDEO











