Një britanik me një biçikletë, një bllok shënimesh dhe një kureshtje të pashtershme për Shqipërinë. Udhëtimi i Bernard Newman, shkrimtarit dhe gazetarit anglez nis në këtë formë në Shqipërinë e viteve ’30-të. Ai përshkoi vendin nga lindja drejt veriut, duke lënë një nga përshkrimet më të gjalla të Shqipërisë së asaj kohe.
Newman hyn në vend nga Maqedonia e sotme, kalon Elbasanin, Matin dhe ndalet në Shkodër, duke e përfshirë këtë udhëtim në librin “Albanian Back-door”, një vepër që ende nuk është përkthyer e plotë në shqip.
“Bernard Newman nuk ishte thjesht një aventurier. Ai ka bërë një përshkrim shumë të plotë të Shqipërisë në një periudhë të rëndësishme historike, kur interesat italiane dhe ato britanike për Ballkanin përplaseshin vazhdimisht. Libri i tij është një burim me shumë vlerë dhe meriton të përkthehet profesionalisht në shqip.”, thotë për “Report TV”, gazetari dhe studiuesi Adi Darsi.
Një pjesë e këtyre dëshmive të Newman vijnë edhe në librin më të ri të studiuesit Adi Darsi, “Mati - Shënime udhëtimesh në Luginën e Mbretërve”.
Vepra mbledh për herë të parë shkrimet e dhjetë udhëtarëve e studiuesve shqiptarë dhe të huaj, që kanë kaluar në Mat nga shekulli XVII deri në vitin 1936.
Mes tyre, Bernard Newman zë një vend të rëndësishëm, me fragmente të sjella për herë të parë në shqip. Udhëtari britanik përjeton në Mat edhe një nga episodet më interesante të rrëfimit të tij.
“Ai e kishte pagëzuar biçikletën e tij ‘George’, sipas emrit të mbretit të Britanisë. Kur hyri në Mat, gratë u larguan nga frika sepse nuk kishin parë kurrë një biçikletë. Burrat iu afruan me kureshtje dhe e pyetën: ‘Nga i dalin plumbat kësaj?’, duke e ngatërruar me një armë.”, vijon Darsi.
Gjatë udhëtimit, Newman takon në Elbasan edhe albanologen britanike Margaret Hasluck, një nga studiueset më të rëndësishme të Shqipërisë. Përveç studimeve të saj, Hasluck la edhe mijëra fotografi, mes tyre një fond të pasur për Matin, pjesa më e madhe e të cilit mbetet ende pak e njohur. Pas Matit, Newman vijon drejt Shkodrës, qytet që e përshkruan me hollësi, duke ndalur te jeta e përditshme, njerëzit dhe atmosfera e kohës. Shënimet e tij sot konsiderohen një dëshmi e rrallë për Shqipërinë e viteve ’30-të.

Komente
Komento