Skema ishte e thjeshtë në dukje, por gjigante në përmasa. Fluturime nga Meksika, valixhe plot kokainë dhe korrierë amerikanë që mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar pa asnjë bagazh. Në aeroportin e Manchesterit, droga merrej dhe shpërndahej nga grupe të krimit të organizuar, mes të cilëve edhe dy shqiptarë nga Liverpuli.
Bëhet fjalë për Elton Hallaçin (32 vjeç) dhe Artur Iseberin (27 vjeç), të dy banues në Liverpool, të cilët bashkë me anëtarë të tjerë të rrjetit, janë dënuar nga një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar, pas një hetimi të gjatë të National Crime Agency që u krye vitin e shkuar.
Sipas dosjes hetimore, rrjeti drejtohej nga persona të bazuar në SHBA dhe Meksikë, të cilët organizonin transportin e kokainës së pastër përmes fluturimeve nga Cancun në Meksikë drejt aeroportit të Manchesterit. Korrierët amerikanë udhëtonin pa bagazhe dhe prisnin valixhet që mbërrinin nga Meksika, duke ndjekur udhëzime me mesazhe nga një organizator i njohur si “Nate”.
Më 11 maj 2024, tetë valixhe mbërritën nga Cancun dhe Barbados. Pesë prej tyre iu dorëzuan Hallacit dhe Iseberit, ndërsa dy të tjera u morën nga bashkëpunëtorët britanikë. Një valixhe u la pas dhe u hap nga autoritetet kufitare, ku u zbuluan 20 pako me nga një kilogram kokainë secila. Hetimi tregoi se vetëm atë ditë shqiptarët kishin marrë rreth 100 kilogramë kokainë.
Skema u përshkallëzua më 31 maj, kur në Manchester u futën 300 kilogramë kokainë të pastër, me vlerë rreth 24 milionë paund, të shpërndara në 12 valixhe. Vetëm një nga 7 korrierët e dërguar arriti të merrte një valixhe dhe ta dorëzonte në një adresë në Bury. Valixhet e tjera u sekuestruan, secila e pajisur edhe me pajisje gjurmimi.
Arrestimet u kryen më 17 qershor 2025. Gjatë kontrolleve, hetuesit gjetën në pronësi të Hallacit një makinë Jaguar me hapësira të fshehta për transport droge, si dhe fletore të shkruara në shqip, ku përshkruhej me detaje ndarja e kokainës: 30 kg për Bradford, 35 kg për Londër dhe 8 kg për Birmingham.
Të pandehurit u filmuan edhe nga kamerat e sigurisë në aeroport, ndërsa një nga korrierët kishte fotografuar një prej tyre pas dorëzimit. Ditën e arrestimit, Iseberi tentoi të largohej nga çatia e banesës, ndërsa në dhomën e bashkëpunëtorit të tij u gjetën armë të ftohta.
Në prag të gjyqit, Hallaci, Iseberi dhe një prej bashkëpunëtorëve britanikë pranuan fajësinë për kontrabandë kokaine dhe posedim me qëllim shpërndarjeje. Një tjetër i akuzuar u shpall fajtor vetëm për posedim. Dënimi përfundimtar pritet të shpallet në një seancë të ardhshme.
Komandantja e NCA-së, Cat McHugh, deklaroi se rrjeti kishte lëvizur “sasi të mëdha kokaine që kanë shkaktuar dëme serioze në komunitete”, duke theksuar se hetimi kërkoi mijëra orë pune dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Komente






