Biznesi në vitin që vjen do të përballet me masa ndëshkuese të reja në rast kryen shkelje, të tilla si, mosregjistrim në organet tatimore, në rast se nuk lëshon faturë, kur lëshon faturë të parregullt, kur nuk ka të instaluar aplikacionin e ri të fiskalizimit apo kur nuk regjistron të gjitha shitjet që kryen. Në kuadër të vendosjes në zbatim të projektligjit të fiskalizimit, Ministria e Financave ka ndërhyrë në ligjin për procedurat tatimore.
Konkretisht të gjithë ata biznese që mbajnë dhe transportojnë mallra pa faturë tatimore për herë të parë do të ndëshkohen sipas kategorisë së biznesit. Pra, një biznes i vogël që kryen këtë shkelje do të gjoibitet me 25 mijë lekë, biznesi i mesëm me 50 mijë lekë dhe biznesi i madh me 75 mijë lekë.
Të gjitha këto gjoba ishin parashikuar të ishin dyfish më të larta, por pas kundërshtimeve në komisionionet parlamentare dhe shqetësimeve të ngritura nga biznesi u vendos që gjobat të ishin në këtë nivel. Të njëjtat gjoba do të ndiqen edhe për shkeljen e dytë që është për mosregjistrimin e të dhënave të sakta në faturë.
Ndërkohë masat ndëshkuese ndryshojnë në rast se subjekti nuk lëshon faturën tatimore pasi biznesi i mesëm dhe i madh do të paguaj gjobë për vlerën e papaguar të TVSH-së, pasi nuk ka paguar detyrimin që i takon. Pra, nëse një biznes i mesëm për këtë shkelje ka shkaktuar një dëm prej 60 mijë lekësh (TVSH e munguar), ai nuk do të paguaj gjobën e parashikuar prej 50 mijë lekë por do paguaj për dëmin që në këtë rast është 60 mijë lekë. E njëjta skemë do të ndiqet edhe për biznesin e madh, të gjitha këto ndryshime janë të parashikuara në nenin 123.
Dyfish më të larta janë gjobat për shkeljet për lëshimin, dërgimin dhe pranimin e e-Faturës, pasi gjobat janë 50 mijë lekë për biznesin e vogël, 100 për biznesin e mesëm dhe 150 për tatimpaguesit e mëdhenj. Për shkelje të përsëritur, pra kur një biznes kapet dy herë brenda vitit pa lëshuar faturë, atëherë gjobat dyfishohen dhe atij i bllokohet aktiviteti për 30 ditë. Në rast të shkeljes së tretë brenda një viti kalendarik, biznesi çohet për ndjekje penale. Këto masa ndëshkuese do të zbatohet në momentin që do të vihet në zbatim fiskalizimi.