‘Nga Papa, Çurçilli, Musolini dhe Mbreti Zog, te Çaplini, personalitetet që mbajtën ‘Borsalino’! Historia e panjohur kapelës së famshme

‘Nga Papa, Çurçilli, Musolini dhe Mbreti Zog, te Çaplini, personalitetet që mbajtën ‘Borsalino’! Historia e panjohur kapelës së famshme

Historia e kapelës së famshme, me një stil të bukur, tejet e preferuar edhe në kohët modern, e ka zanafillën 160 vite më parë, kur Xhiuzepe Borsalino, do të ishte krijuesi dhe themeluesi i markës së njohur e i modelit të veçantë që mori emrin e tij. I lindur në vitin 1834 në Venecia, në një familje të varfër, ai emigroi në Paris, ku filloi punë si nxënës rrobaqepës e, pak vite më vonë merr diplomën e mjeshtrit, për kapele, pasionin e tij.

Pas kësaj ai kthehet në Itali, dhe me 4 prill 1857, (nisur si një kapele alpine), do të niste historia famëmadhe e kësaj marke, kur ai 23-vjeç,, do të hapte në Aleksandri, të parin sektor artizanal për prodhimin e kapeleve, dhe më pas, ndërton një më të specializuar (shtatë javë duhej për të bërë një të tillë), për ta transformuar më vonë në një manifakturë gjigante, duke qëndruar 43-vite në krye të asaj, që ai krijoi.

Gjatë një udhëtimi në Zelandën e re, ai arrin një marrëveshje me rritësit vendas të lepurit, për të marrë lëkurën me vlerë të tyre, më e lirë se në Itali, që i premtonin produkt me çmim të ulët, duke ruajtur kualitetin. Sipërmarrës i jashtëzakonshëm, inteligjent, ai gjeti mundësitë që ofronte tregu ndërkombëtare, një zinxhir me vlerë globale. Në vitin 1888, kompania, arriti një prodhim deri 2.500 kapele në ditë, ndërsa në vitin 1900, ajo ishte firma më e përhapur e, që eksportonte në mbarë botën, për ta bërë “Borsalinon”, lider të kapeleve të luksit.

Pas vdekjes (1900) trashëgiminë, një ndërmarrje me 1000 punëtorë, ai ia la djalit, Terezio, i cili tregoi se e njihte mirë zanatin e marrë nga i ati, duke e shtuar në mbi 2.500 punonjës dhe deri ditën kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Borsalino, arriti një prodhim në 2.000.000 kapele. Për ta rikujtuar, me nismën e Bashkisë së Aleksandrisë dhe “Borsalino S.p.A.”, u përurua një muze me fazat e ndryshme historike që karakterizonin industrinë e kapelës “Borsalino”, përfshirë mostrat e të gjitha llojeve të prodhuara nga krijimi, një vendosje kronologjike në një katalog (1857-2000), duke i ofruar vizitorëve, rreth 2.000 kapele të formave e ngjyrave të ndryshme.

Të gjitha këto, të paraqitura në veshjet e stilit që kanë shënuar fazat e saj, cilat ishin përzgjedhur për të mbrojtur historinë dhe trashëgiminë estetiko-kulturore. Kapelja për burra e gra dhe ligji i ashpër i modës “Borsalino”, ishte një kapelë dimri e bërë, shoqëruar nga një kupolë në formë koni e prerë, si dhe buza e butë me gjerësi të mesme, e shtrirë në rrethin e saj, si një kurorë. Fillimisht një modë e grave të shekullit të XX-të, “Borsalino” u përdor rreth vitit 1920, si një aksesor nga burrat e klasës së pasur, te çdo ngjyrë, por e zezë, kafe dhe e kuqe, për gratë ishin më të zakonshmet.

Prodhimi i kapeleve të cilësisë së lartë, kërkonte përdorimin ekskluziv të lëkurës së lepurit. Popullariteti i saj, u rrit në mënyrë dramatike jashtë Italisë, kur kjo markë u përhap gjithandej, duke pushtuar tregjet më të rëndësishme: Nga qyteti tradicional i Londrës, për të zëvendësuar Lobabin, (1930) një kapelë të ngjashme në formë, por sidomos SHBA-ës, ku kapelet e prodhuara në Aleksandri, ishin objekt i përdorimit, frekuentimit edhe nga yjet e Hollywood. Ndonëse dy konfliktet botërore të luftës, krizat e madhe ekonomike, patën efekte negative në drejtim të volumit të prodhimit, ajo mbeti një ndërmarrje e fuqishme.

Me vdekjen e Terezio Borsalinos, moda e kapeles filloi të “perëndojë” dhe numri i kapeleve të shituar në Itali e Amerikë, pati rënie, gjë e cila i detyroi pasuesit të reduktojnë punëtorët, të zvogëlojnë ndërmarrjen dhe ta spostojnë atë në Spineta Marengo. Nga fundvitet ’50-të e deri në fillim të ’60-të, “Borsalino”, humb popullaritetin e, nuk ka interesin si më parë, kryesisht në Amerikën Perëndimore, e njohur për përdorimin e saj. Hollimi i lidhjeve e nyjeve, duke krijuar kapele me tehe te shkurtra, dhe për më tepër, reduktimi i madhësisë së makinave në mesin e viteve ‘50-të, e bëri të vështirë mbajtjen e saj gjatë udhëtimit.

Në fillim të viteve ’70-të, “Borsalino”, u konsiderua një kapitull i mbyllur, e përdorur vetëm nga burrat e moshuar, ato nostalgjikë. Por, jo e lënë në harresë, ajo do të ringjallej e rifituar popullaritetin, edhe nga fakti se, pasuesit e Xhuzepe Borsalinos, ruajtën traditën, antikitetin e saj, si pjesë e pandarë e look-ut, për gra e burra, ndonëse e transformuar me ngjyra, forma, modele nga më të zakonshmet, deri tek ato me shirita të zinj, me vija të bardha, verore, dimërore, moderne etj., me shifra, nga 1.300. deri në 1500. euro një e tillë.

E preferuar nga Papa, Musolini, Çurçill e Al Kapone, Kapelja “Borsalino”, ka periudhat e shkëlqimit të saj, falë personaliteteve të mëdha, të njohur e me famë në politikë, art, sport, në veçanti aktorët dhe admiruesit e modës, që e kanë mbajtur atë. Ndër klientët të kepeles aleksandrine, ka qenë edhe një shenjtor, Xhiovani XXIII-të, nga një Kardinal në fillim, pastaj një Papë, i cili mbante gjithmonë një “Borsalino”.

Por edhe Musolini, Çurçilli, shoqëruar me një puro, Eduardi VIII-të, apo novelisti Heminguei. Por edhe nga kriminelët e njohur historisë, si Al Kapone, të cilit nuk i mungonte asnjëherë kapelja mbi kokë, që e shoqëronte gjithmonë bosin mafioz, përtej oqeanit, një dëshirë dhe kapriçio e tij, për ta blerë e shëtitur në Neë York me të. Në një farë mënyre, kapelja “Borselino”, ishet kthyer në një simbol, një aureolë për personazhe që, kanë kërkuar famë, në aspektin pozitiv, por dhe atë negativ. “Borsalino”, ikona e Hollyëood, nga Al Paçino, te Çaplini!

Kapelja “Borsaliono” mori famë edhe si ikonë e kinemasë, duke qenë një pjesë e rëndësishme e saj dhe në epokën e artë të Hollivudit, ku të gjithë përdornin “Borsalinon”. E preferuar dhe e adaptuar, futur në zhanrin, imazhin e gangsterit, policit, të investiguesve privatë, pasi ishte pikërisht “Borsalino”, hija e të cilës, krijonte një personazh enigmatik.

Në filmat hollivudianë të viteve ‘40-të, ajo është përdorur në rolet me karaktere të tilla, për të mbuluar fytyrën e mundësuar në realizimin me shumë lehtësi të aventurave më të rrezikshme. Ajo ishte e frekuentuar, nga aktorë e njohur të kinematografisë të viteve ‘30-‘40-’50-të, si Al Capone, madje i famshmi Padrino, nuk mund të mos e kompletonte veshjen e tij, pa “Borsalinon” italiane.

Po kështu, aktorët H. Bogart, Gregori Pek, K. Gebëll, aktoret Greta Garbo, Ingrid Bergman, etj. “Borsalino”, është e lidhur edhe me Çarli Çaplin, komikun me famë botërore, e cila e shoqëronte atë, në të gjithë filmat fantastikë, xhiruar në vitet ‘20-të të shekullit të kaluar. Në Itali, nga Toto te Marcelo Mastroiani, që në filmin 8 e 2/2, me regjisorin Frederiko Fellini (1963), aktori italian, mban një “Borsalino”, që pas suksesit, do ta përdorte jo vetëm në filmat e tjerë, por dhe në jetën e përditshme.

Pastaj Jean Paul Belmondo, në filmin “Deri në frymën e fundit”, ku aktori francez, në shumë pjesë, mban kapelen ikonë. Për të ardhur tek ato modernë, Leonardo Di Kaprio, në filmin “Shutter Island”, të regjisorit M. Skorceze (1910), bashkë me M. Ruffalo, ku kapelja, është simbol i dy detektivëve federalë. Herrison Ford, në rolin e një arkelogu, tek “Indian Johns”, pas të cilës Ford, nuk do ta braktisë më, “Borsalinon” e tij.

Edhe Roberto De Niro, në filmin “Të paprekshmit” (1987), interpreton bosin mafioz, Al Capone, me të përhershmen “Borsalino” në kokë. Po kështu edhe Roberto Beninji, në mjaft role e skena, është me një “Borsalino”. Edhe në botën futbollistike, flokët me brilantinë bashkë me “Borsalinon”, shoqëronin emrin, famën, preferencat dhe dashuritë e bujshme të grave me sportistët e njohur.

Nga vestern, tek dashuritë romantike dhe  filmat e Kinostudios

“Borsalino”, ka qenë elementi kryesor në historinë e filmave të këtij profili pra vestern, xhiruar apo që i referohen kohës së “kaubojsave” (1865-1890), dhe ajo është prezente në shumicën e tyre. Tipikë janë ato serial, të regjisorit italian Serxho Leone, “Për një grusht me dollarë”, “Për një dollar më shumë”, “Na ishte një herë Ëest”, me aktorët Klint Insvud e, Li Van Klif. Apo prodhimet klasike amerikane në këtë zhanër me Xhon Uein, Gregori Peck, Çarls Bronson, Klaudia Kardinale, etj.

Shumë e preferuar, “Borsalino” ka qenë edhe për aktorin Alen Delon, i cili është protagonist ne disa filma, që kanë referencë të qartë për “Borsalinon”, edhe në titull: “Borsalino”, filmi vitit 1970. me Alen Delon e Jean Paul Belmondo; “Klani i dy Borsalinove”, (1971); “Borsalino & Co” (1974) sërish me me Alen Delon; “Clouzot& C, kundër Borsalino & C.(1977)”. Madje për realizimin e këtyre filmave, Delon, me “Borsalinon”, është vendosur në reklamat e filmave, pas një marrëveshje të aktorit, me ndërmarrjen e prodhimit të tyre.

Një pjesë emocionale romantike të saj, “Borsalina”, e ka si një dëshmitare unikale e skenave e dashurive të mëdha. Në filmin “Casablanca” (1940), skena e lamtumirës në aeroport, midis Ingrid Bergman dhe Hamprye Bogard, ka mbetur në historinë edhe për faktin që, të dy protagonistët e dashuruar, mbajnë “Borsalino”. Ishte edhe ky një moment që, ja shtoi famën botërore, kapeles së famshme. Pa harruar filmat e dashurive klasike, me protagonistë yjet e Hollivudit, Klar Gebël në “Rruga e erës”, apo një Marlond Brando, me kapelen e njohur.

“Borsalino”, ka shoqëruar gjithashtu edhe këngëtarët e Rock & Roll, ato të muzikës botërore, nga Frank Sinatra, grupin “Blues Brothers” me Xhemjs Belushin, Aadriano Çelentanon, deri te Majkëll Xhekson, në “Smoth Criminal”, (1987) ku Mbreti i muzikës Pop, paraqitet me një “Borsalino” të bardhë, duke regjistruar një sukses të madh edhe, te fansat me moshë të re. Deri edhe në filmat artistikë shqiptarë, “Borsalino”, është përdorur kryesisht nga aktorë në rolet episodike, kryesisht për të mbuluar e maskuar fytyrën e heroit, shoqëruar me një pardesy të gjatë, një palë syze të errëta, gjatë një aksioni, atentati, apo nga ata që ndiqnin ilegalët, në filmat me temë nga Lufta.

Por, edhe nga zyrtarë, tregtarë të lidhur me fashizmin e pushtetin, që simbolizonin borgjezin, të pasurin në ngjarjet e kohës. “Borsalino” ka qenë e mbajtur gjithashtu, jo vetëm në filma por, dhe në jetën përditshme, nga regjisorët e aktorët e aktorët e famshëm të skenës dhe kinematografisë shqiptare, si: Sandër Prosi, Ndrek Luca, Sulejman Pitarka, Prokop Mima, Mihal Luarasi, Llazi Sërbo, etj.

Nga Mbreti Zog, tek intelektualët, të diplomuarit e kthyer në Shqipëri.

Gjatë periudhës së mbretërimit, Ahmet Zogu e ka përdorur “Borsalinon”, në evenimente ceremoniale, data festive, siç shihet në fotot e kohës. Në veçanti, Mbretëresha Geraldinë, shumë moderne, thuajse çdo dalje në publik, apo pritje, në krah të Mbretit, e ka shoqëruar me një kapele, sigurisht me “Borsalino”, kapelen e elitës. Por, jo vetëm familja Mbretërore, në vitet ‘30-të, “Borsalino” është frekuentuar kryesisht nga zyrtarë, tregtarë, artistë, funksionarë, drejtues bankash, punonjës të administratës, italianë, të huaj, gratë e tyre, etj., ndërsa qeleshja, ishte më masive, e shoqëruar me borzilokun, lulen me erë që vendosej tek veshi dhe që zëvendësonte parfumin e kohës.

Në mërgim, “Borsalino” është mbajtur nga personalitete, midis tyre Faik Konica në SHBA-ës, pastaj nga ata që erdhën nga Perëndimi, apo vendet e Lindjes pas përfundimit të studimeve, mjekë, profesorë, artistë, shkrimtarë, regjisorë, inxhinierë, piktorë të njohur, si Odhise Paskali, Nexhmedin Zajmi, e të tjerë, por edhe shkrimtarë e akademikët Sterjo Spasse, Aleks Buda, Eqerem Çabej, etj., kanë qenë disa nga përdoruesit e “Borsalinos”. Po kështu, ndër të paktët personalitet të artit e kulturës të periudhës së komunizmit, që kanë mbajtur “Borsalinon”, ka qenë poeti i famshëm Lasgush Poradeci, i cili e pati përdorur atë që nga periudha e studimeve në Vjenë në fillimin e viteve ’30-të dhe deri sa ndërroi jetë në vitin 1988, duke mos e hequr kurrë nga koka.

Preferohej ajo e zezë, por edhe ngjyra kafe, ishte e modës. Në Shqipëri, frekuentimi i saj vijoi deri më 1960-ën, pastaj duke u reduktuar e kufizuar, për t’u mbajtur nga byroistë, udhëheqës, ministra, disa intelektualë të njohur, artistë, pensionistë, pasi influenca kineze edhe në veshje, kishte ndikimin e saj, duke e zëvendësuar kapelen italiane me kasketën, e përdorur masivisht në popull, udhëheqje, si dhe nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit në vitet ‘70-të.

“Borsalino”, objekt bisedimesh në Parlamentin e Monarkisë

“Borsalino”, ka qenë “problem”, edhe në parlamentin shqiptar të periudhës së Monarkisë së Zogut, i cili miratoi një projekt-ligj, që deputetët duhet të mbanin të gjithë “Borsalino”. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga shtypi i asaj kohe, ku midis të tjerash, thuhet: “Projekt Ligja për ndalimin e mbulimit të grave dhe për kapelën e nëpunësve, e dalë nga komisioni, u votua me duartrokitje. Dje Parlamenti ka mbajtur një mbledhje shumë të shkurtër e në ballë të rendit të ditës, ishte projekt-ligja për zbulimin e grave dhe rrëzimin e qeleshes, që doli jashtë jo vetëm nga komisioni, por krejt nga Parlamenti jashtë. Dhe me të vërtetë, është një kënaqësi e posaçme të admirosh simpatikun deputet të Dibrës, Hafiz Xhemali, me një kapele “Borsalino”, kafe të mbyllur, ultramoderne si format e ngjyrë.

Gjithashtu, fare bukur i ri kapela Hafiz Naipit, deputet i Shkodrës…! Shumë elegant, me një kapelë gri të mbyllur mbi krye, zbret nga automobili z. Abdurrahman Mati…! Deputeti i Kosovës, z. Salih Vuçiterni, me një “bombë” të zezë mbi krye, duket si personalitet evropian. Dje ka qenë dita e parë që deputetët erdhën në Dhomë me kapela. Por, asëll, demonstracioni i kapelës, u bë qysh pardje, të diel, kur 20-25 personalitetet nga jeta jonë politike, deri atëherë konservatorë, dolën nëpër Tiranë me kapela në krye, në një mënyrë pak a shumë demonstrative…”! (Gazeta “Drita”, v.1 nr. 82, 9 mars, 1937, f.1)

Në “Kursal”, teatër, stadium me “Borsalino”!

Ka qenë traditë, sjellje e detyruar, sidomos nga aristokratët, ata me kulturë e formim perëndimor, apo një pjesë e vogël e popullsisë në qytetet kryesore të Shqipërisë, që në lokalet e preferuara, në stadiume, evenimente kulturore, artistike, nuk mund të hyje pa “Borsalinon” që shoqëronte kostumin e kompletonin veshjen e tij. Në ato të Tiranës, si në “Kursal”, lokal në qendër, i njohur dhe me famë, apo në Pastiçeri “Venecia”, “Internacional”, Kafe “Durrësi”, apo në “Kafen e Madhe” në Shkodër, fotot e kohës, na e ofrojnë këtë fakt.

Po kështu edhe në disa qytete të tjera, është përdorur nga burrat, sidomos ato të elitës. Ka një fakt shumë interesant: Ndonëse me popullaritet dhe përdorur, pas viteve ‘45-së, ajo nuk shitej, apo tregtohej në Shqipëri, as edhe në dyqanet e njohura e të famshme të Tiranës, si “Zingoni”, ajo me valutë apo, me ‘Dyqani Komision’. Ajo vinte nga të afërm që jetonin jashtë, kryesisht në perëndim, nga njerëz që udhëtonin, zakonisht në Bashkimi Sovjetik, dhe shtete të tjera të Lindjes, ose të mbetura në familje nga koha e Italisë.

Te “Sporti”, një foto provokuese…!

Në Tiranën e viteve ‘50-‘60-të, për të nxitur meshkujt, pasionet e tyre me pozicione e qëndrime provokuese, duke imituar aktorët, personazhet e njohur të filmave, fotografët kryeqytetas, të ofronin të pozoje edhe një foto me kapelen “Borsalino”, që ata e mbanin në dyqan, apo në vitrinë. I famshëm ka qenë Veseli, fotografi te “Foto Sport”, në hyrje të “Rrugës së Barrikadave”, nga ana jugore, madje edhe sot, brezat e të atyre viteve, ruajnë fotot me “Borsalino” (6×6), me stampën tradicionale të tij.

Në ndonjë rast, ajo mbahej edhe nga ndonjë lustraxhi, të cilit i mjaftonte një “Borsalino” e vjetër, mustaqet spic të holla përmbi buzë, për të imituar personazhin e njohur, Raxh Kapuri, me kapelen që shoqëronte veshjen ditore të tij. Pa harruar mitikun, Ali Pazari, kur sistemonte biçikletat në stadium e Pallatin e Sportit, gjithmonë me “Borsalino”, për t’i dhënë rëndësi evenimentit, duke tërhequr edhe vëmendjen e atyre pak të huajve, që vinin në Tiranë.

Kapelja për udhëheqësit dhe byroistët

Një “Borsalino” ka qenë e preferuar edhe nga drejtues shteti, apo presidentë. Në historinë e atyre të Shtëpisë së Bardhë, sidomos nga Ronald Regan si ish-aktor Hollivudi, një frekuntues sistematik i saj. Në Bashkimin Sovjetik, është mbajtur nga udhëheqësit historikë, madje, Nikita Hrushovi, gjatë vizitës në Shqipëri, zbriti nga avioni në Rinas, me një “Borsalino” të bardhë. Por jo vetëm ai, edhe pasuesit e tij, deri te Mikail Gorbaçov. Në Shqipëri, ka qenë pjesë shoqëruese e veshjeve zyrtare të udhëheqësve, të anëtarëve të Byrosë Politike, kryesisht të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, në daljet publike, tribunat e parakalimeve, pritje zyrtare, përvjetorë, etj.

“Borsalino”, nuk ka qenë e preferuar nga udhëheqësit kinezë, Mao Ce Dun, Çu En Lai, por as Stalini, Hitleri, fare pak nga Tito. Edhe pse në kohët moderne, gjithmonë e më shumë ajo duket e “braktisur” nga Hollivudi, presidentë, e në lokale, teatër, opera, shfaqje, stadium, mund të futesh edhe pa “Borsalino-n”, madje sot, të tërheq vëmendjen kur dikush e përdor, shëtit, apo shkon në zyrë, parlament me një të tillë, “Borsalino”, nuk ishte vetëm e atij që e ideoi, apo ndërmarrjes në Alesandria, që e prodhoi, por kapelja e famshme, ishte dhe mbetet një histori, e bërë me pasion, kurajë dhe talent/ Memorie.al

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Artan: 05/04/2023 07:06

    Shume fine. Dikur kap pas deshire te hapja nje dyqani te tille me emrin: " Kapeleri Lenin " Nuk di pse Kisha ket deshire...

    Përgjigju
  • Iris: 03/04/2023 03:19

    Kapelet /Borsalino/ ne perendim njihen me teper si /Fedora/,por jane e njejta gje me shume pak ndryshime.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë