Një ambient i sekuestruar nga aktivitetet kriminale është kthyer në galeri publike, duke i dhënë kryeqytetit “Public Galeri”, një qendër e re për artin dhe kulturë në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe jo vetëm.

Punimet e para që u shpalosën në ekspozitën “‘Creatio Ex Ordine “ të organizuar nga  Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK)  ishin ato të katër zyrtarëve të Policisë së Shtetit Neritan Nallbati, Idajet Faskaj, Edmond Rizaj dhe Ardian Fezollari. Kurator i ekspozitës është artisti Shpend Bengu.

Në ceremoninë inauguruese morën pjesë Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, Ministri i Brendshëm  Besfort Lamallari, Kryeadministratorja e AAPSK,  Risena Xhaja, drejtues të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, përfaqësues të trupit diplomatik, etj.

Në fjalën e saj, zëvendëskryeministrja Koçiu tha se projekti përfaqëson një qasje të re në administrimin e pasurive të konfiskuara, duke i kthyer ato në vlerë të shtuar për komunitetin, në funksion të zhvillimit social dhe kulturor.

“Është një moment shumë i veçantë, e kemi kuruar bashkarisht, bashkë me fotografët dhe piktorët që kemi këtu. Kjo ekspozitë ka dy veçori kryesore: mbart një mesazh të veçantë, është një mjedis që është produkt i një aktiviteti kriminal që është sekuestruar dhe menaxhohet nga Agjensia e Aseteve të Sekuestruara, e cila, pjesë të planit të punës së saj, ka bërë pikërisht rikthimin e këtyre ambienteve të krijuara nga pasuri të krimit në dobi të komunitetit dhe sot edhe të artit.  Sot jemi dëshmitarë të një pune kreative të artit të realizuar jo nga artistë por nga efektivë të Policisë së Shtetit. Të gjitha tablotë e ekspozuar këtu janë dëshmi ë punonjësve dhe efektivëve që sot vijnë si njerëz të zakonshëm me talentin e tyre.  Kush do ta imagjinonte që pas uniformës fshihen talente të tilla? Një përgëzim të jashtëzakonshëm për të gjithë. Ky transformim është një shembull i qartë i mënyrës se si drejtësia dhe qeverisja e mirë mund të prodhojnë rezultate të prekshme për qytetarët. Ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara është një hap i rëndësishëm drejt një shteti më transparent dhe më pranë komunitetit” tha Koçiu

Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vuri theksin tek dimensioni i sigurisë dhe të luftës kundër krimit.

“Çdo pasuri e konfiskuar është rezultat i një përpjekjeje të gjatë të institucioneve të rendit dhe drejtësisë. Transformimi i tyre në hapësira publike si PUBLIK Galeri tregon se lufta kundër krimit nuk përfundon me sekuestrimin, por vazhdon duke kthyer këto pasuri në dobi të qytetarëve. Ky është një vend që dikur dominohej nga paligjshmëria, ndërsa sot i jep hapësirë artit dhe rinisë. Është një mesazh i fortë për të rinjtë, për të refuzuar modelet negative të fitimit të shpejtë në rrugë të paligjshme dhe për të zgjedhur zhvillimin përmes talentit dhe kontributit në shoqëri,” u shpreh Lamallari.

Lamallari vlerësoi gjithashtu kontributin e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët përmes artit dhe krijimtarisë së tyre kanë bërë të mundur realizimin e kësaj ekspozite, duke përcjellë një mesazh të rëndësishëm për shoqërinë.

Ndërkaq, AAPSK bëri të ditur se operacioni masiv për lirimin dhe pastrimin e hapësirave publike të zëna nga mjete dhe materiale të konfiskuara do të shtrihet në të gjithë vendin në të mirë të komunitetit.