Në një nga zonat më të shtrenjta të Londrës, vetëm pak metra nga pallati ku jetojnë Princi William dhe Kate Middleton, gjenden dy apartamente luksoze. Pronari, sipas një hetimi mediatik, është Mojtaba Khamenei, djali i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei.
Apartamentet ndodhen në Kensington, në perëndim të Londrës, dhe kanë pamje drejt ambasadës izraelite. Vlera e tyre vlerësohet të kalojë 50 milionë paund. Afërsia me ambasadën ka ngritur edhe shqetësime për sigurinë, pasi ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se ndërtesat mund të përdoren për mbikëqyrje.
Pronat ndodhen në katin e gjashtë dhe të shtatë të një ndërtese luksoze dhe janë vetëm pak metra nga Pallati Kensington, rezidenca zyrtare e Princit William dhe Kate Middleton. Sipas raportimeve, Mojtaba Khamenei i zotëron këto apartamente që nga viti 2014.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se ai ka një rrjet më të gjerë pronash në Londër. Përmes një kompanie të regjistruar në Ishullin e Manit, ai thuhet se zotëron edhe 11 shtëpi luksoze në zonën e Hampstead, në veri të qytetit. Në total, portofoli i pronave që lidhen me të vlerësohet në qindra milionë paund.
Sipas raportimeve, fondet për blerjen e këtyre pronave dyshohet se kanë ardhur nga skema që Irani përdor për të anashkaluar sanksionet ndaj eksportit të naftës.
Fakti që apartamentet kanë pamje drejt ambasadës izraelite ka ngritur dyshime se ato mund të jenë përdorur për qëllime spiunazhi. Një ekspert i sigurisë dhe terrorizmit tha se afërsia me ambasadën mund të lejojë monitorimin dhe fotografimin e stafit dhe vizitorëve, madje edhe regjistrimin e bisedave në kopshtet e jashtme të ndërtesës.
Zbulimi vjen në një moment kur policia britanike ka arrestuar katër iranianë në veri të Londrës me dyshimin se po spiunonin për inteligjencën iraniane. Ata dyshohet se monitoronin vende dhe persona hebrenj, përfshirë sinagoga.
Ndërkohë interesi për figurën e Mojtaba Khameneit është rritur edhe për arsye politike. Media izraelite dhe perëndimore raportojnë se Asambleja e Ekspertëve në Iran mund të ketë arritur një marrëveshje për pasuesin e Ali Khameneit.
Emri që përmendet më shpesh është pikërisht djali i tij, i njohur për qëndrimet e forta dhe lidhjet e ngushta me Gardën Revolucionare Islamike.
I lindur në vitin 1969 në Mashhad, Mojtaba Khamenei u rrit në një familje shumë të përfshirë në politikë. Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 familja u zhvendos në Teheran. Ai studioi teologji islame dhe gjatë viteve të rinisë u bashkua me Gardën Revolucionare, ku krijoi lidhje të forta me strukturat e sigurisë.
Pavarësisht profilit të ulët publik, ai konsiderohet prej kohësh një nga figurat më me ndikim në sistemin politik dhe ushtarak të Iranit. Në vitin 2019 SHBA vendosi sanksione ndaj tij, ndërsa raportet flasin për një rrjet të gjerë investimesh dhe pasurish jashtë vendit, nga llogari bankare në Zvicër deri te prona luksoze në Britani.
Komente












