Nga protesta e dhunshme e Berishës te 6 dhjetori, viti i vështirë brenda PD-së! Në zgjedhje të ndarë, dy kampet ende larg bashkimit

Kështu do të niste një vit i vështirë për demokratët, të cilët përplasjet e ideve, i kthyen në përplasje fizike më 8 janar. Një protestë e thirrur nga Sali Berisha para selisë së PD, të cilën asokohe ende e kishte nën zotërim Lulzim Basha do t’i jepte një kthesë të fuqishme zhvillimeve në PD duke sjellë përforcimin e akuzave dhe sulmeve të dy palëve nga njëra tjetra.

Në mars, demokratët do të përballeshin me sfidën e parë elektorale të ndarë nga njëri-tjetri. Lulzim Basha garoi me kandidatët e tij, nën logon e PD, ndërsa Berisha nxori emra të tjerë në garën për 6 bashki, duke i strehuar nën logon e LSI. Nën këtë koalicion, të quajtur “Shtëpia e Lirisë”, fitoi edhe bashkinë e Shkodrës ndërsa PD u rendit forca e tretë, me vetëm 26.662 vota, ndjekur nga kandidatët e Shtëpisë së Lirisë, me rezultat më shumë se dy herë më të lartë se logoja zyrtare e PD, ndërsa PS mori 106.703 vota. Ky rezultat që konfirmoi, se të paktën në 6 bashki, Berisha mbështetej më shumë se Lulzim Basha, solli rritjen e presioneve të deputetëve ndaj Lulzim Bashës për t’u larguar nga drejtimi I PD dhe për t’i hapur rrugë bashkimit.

Nisur nga këto rrethana, të cilat gjithsesi nuk i quante humbje, Lulzim Basha dha më 21 mars 2021 dorëheqjen. Në një seli pa kryetar, Sali Berisha e pati më të lehtë futjen më 25 mars kur Gjykata e Tiranës me Gjyqtar Agron Zhukrin, i dha të drejtën për të marrë drejtimin. Që prej asaj kohe, Berisha, ndonëse vendimi u ankimua nga i deleguari i Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeaj, drejton selinë, por pa të drejtën për të patur vulën dhe firmën e partisë.

Komod me një vendim të shkallës së parë në xhep, Sali Berisha nisi ristrukturimin e partisë, duke zëvendësuar të gjithë drejtuesit e strukturave të Kohës së Lulzim Bashës. Procesi u përmbyll me konfirmimin e tij kryetar i PD së që e mbështet atë, me rreth 40 mijë vota demokratësh.  Por vetëm 1 muaj më vonë selia blu u trondit nga shpallja për herë të dytë non Grata e Berishës, këtë herë nga Mbretëria e Bashkuar.

Prej asaj kohe, Berisha mori në duar edhe aksionin e opozitës në terren. Përballë një PD që njeh Enkelejd Alibeajn, që e përqendroi betejën e vet në parlament, me nisma ligjore e oponencë përballë ligjvënësve socialist, Berisha thirri në harkun kohor të 5 muajve 3 protesta, atë të 7 korrikut, 12 nëntorit dhe 6 dhjetorit, ku Berisha u qëllua me grusht nga një i ri 32-vjecar, moment që shkaktoi një tjetër valë akuzash ndaj kryeministrit Rama.

Përgjatë vitit, demokratët patën vetëm 1 nismë për bashkim, atë për daljen me 1 kandidat në zgjedhjet vendore të 14 majit të 2023, duke ia besuar procesin e negocimit Edi Palokës dhe Gazment Bardhit. Kjo tentativë dështoi dhe Berisha zgjodhi më 4 dhjetor kandidatët e tij në të gjitha bashkitë, ndërsa Alibeaj ka miratuar kandidimin nën logon e PD të kandidatëve në disa bashki.

Fundviti riktheu temën e bashkimit, pas një dreke festive që deputetët e PD bënë bashkë! Por as trokitja e gotave nuk e mbylli plagën e ndarjes, duke konfirmuar se edhe viti që vjen do ta gjejë PD në dyert e gjykatës, për të gjetur vulën e humbur, sërish në luftë… me veten.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Socialisti: 31/12/2022 15:27

    Mos u merrni me saliun o degjenerim merruni me ngritjen e cmimeve edhe jeten e shtrenjte qe na ka kaptuar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi