Nga se mund të ndikohen të rinjtë amerikanë që do të votojnë për herë të parë?

Nga se mund të ndikohen të rinjtë amerikanë që do të votojnë për herë të parë?

Foto ilustruese

Shtetasit amerikanë 18-vjeçarë, që i përkasin të ashtuquajturës gjenerata Z, do të kenë të drejtën për të votuar për herë të parë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, intervistoi disa prej tyre për të mësuar se cilat çështje politike dhe ligjore janë të rëndësishme për ta.

Personat e lindur diku pas vitit 1996 janë një grup me shumëllojshmëri më të madhe racore dhe etnike krahasuar me dy brezat e mëparshëm. Ata u bënë të njohur me emërtimin gjenerata Z ose zoomers, për shkak të aftësive të tyre në përdorimin e shpejtë të teknologjive dixhitale. Këta të rinj kanë përgjithësisht prirjen të anojnë nga politikat liberale, por kjo nuk do të thotë se kanë botëkuptime uniforme.

“Gjenerata Z ka prirjen të lërë mënjanë përkatësinë partiake dhe përqëndrohet tek çështjet politike konkrete”, thotë ekonomisti politik Brian A. Marks.

Studentët e universitetit, që do të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, thonë se po ndjekin me vëmendje se si politikanët reagojnë ndaj një sërë vendimesh konservatore të Gjykatës së Lartë, përfshirë vendimin për të drejtën e abortit dhe për pranimet në universitete.

“Siç po zhvillohen gjërat tani, po na kthejnë pas me 100, 150 vite, për shkak të çështjeve si ‘Roe kundër Wade’ që po i rrëzojnë, apo përfshirjen e kriterit të racës në pranimet në universitet, apo të drejtat e komunitetit LGBTQ”, thotë studentja Emily Daly.

Preston Raven, student i gazetarisë në vitin e dytë në Austin, të Teksasit, nuk ka problem me vendimin e marrë së fundmi nga gjykata për t’i dhënë fund pranimeve në kolegje duke patur parasysh përkatësinë racore.

“Duhet të shohin aplikimin dhe ta marrin vendimin bazuar tek aplikimi dhe jo tek raca. Megjithëse jam person me ngjyrë, thjesht mendoj se të gjithë duhet të jenë të barabartë”, thotë ai.

Tek vota e studentes Elizabeth Andrew mund të ndikojnë të drejtat e grave dhe politikat ekonomike.

“Patjetër që e drejta për abort ka qenë përparësi në mendjen time vitin e kaluar, si dhe sigurisht huatë studentore”, thotë ajo.

Është megjithatë tepër herët për të kuptuar nëse dhe se si votat e gjeneratës Z mund të ndikojnë tek rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2024.

“Nëse krahasojmë një 20-vjeçar me një 45-vjeçar; 45-vjeçari ka më shumë gjasa të votojë pasi e ka ushtruar këtë dhe e kupton më mirë se si funksionon politika”, thotë Andra Gillespie, studiuese e shkencave politike.

Duke folur për vendimet më të fundit të Gjykatës së Lartë, studentja 20-vjeçare Oishee Mukhopadhyaya nuk është e sigurtë për nivelin e pjesëmarrjes së gjeneratës Z në votimet e vitit të ardhshëm.

“Unë do të votoj patjetër, por mendoj se është një çështje e pavendosur ndër bashkëmoshatarët e mi, pasi kam disa shokë që mendojnë se vota e tyre nuk ka rëndësi”, thotë ajo.

Por çfarë mund të bëjnë politikanët për ta ndryshuar këtë perceptim?“Duhet të ulen dhe të bisedojnë me votuesit e gjeneratës Z. Nëse i dëgjojmë, ata do të na i thonë shqetësimet e tyre”, thotë Robert Destro, profesor i juridikut.

Analistët vunë në dukje gjithashtu se votuesit për herë të parë të gjeneratës Z, do të kenë nevojë për udhëzime se si të regjistrohen, ndërkohë që po familjarizohen me procesin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja