Dy persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi u kapën duke tentuar të hapnin derën e një banese me qëllim vjedhjen.

Sipas Policisë, dy të arrestuarit u kapën në lagjen "Bashkimi" në Vlorë, në momentin kur me pajisje të posaçme, po tentonin të hapnin derën e një banese për të kryer vjedhje.

Nga verifikimet rezultoi se ata kishin thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të vendosur për veprën penale "Vjedhja".

Gjatë operacionit u sekuestruan pajisje për hapjen e bravave dhe kasafortave, një automjet tip "Mercedes-Benz" që përdorej nga autorët, si dhe dy telefona celularë.

"Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. G., 48 vjeç dhe A. H., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë. Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në momentin që, me pajisje të posaçme, po tentonin të hapnin derën e një banese në lagjen "Bashkimi", me qëllim vjedhjen. Nga verifikimet rezultoi se të dy kishin thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të caktuar për veprën penale “Vjedhja”, dhe ishin zhvendosur nga Tirana në Vlorë, për të vijuar veprimtarinë e tyre kriminale", njofton Policia. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprat penale "Vjedhja", mbetur në tentativë, dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit".

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë