Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bllokuar dekretimin e një pjese të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke çuar çështjen për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Shkaku? Partitë politike kanë dërguar më shumë emra sesa lejon Kushtetuta.

Sipas Osmanit, situata është bërë e paqartë pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar tre kandidatë, ndërkohë që i takojnë vetëm dy vende, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar dy emra, por është emëruar vetëm një.

“Për shkak se janë kërkuar tre nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa lejohen vetëm dy, dhe janë kërkuar dy nga PDK dhe është emëruar vetëm një. Për shkak se ka më shumë propozime sesa i lejon Kushtetuta. Meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese dhe kam kërkuar të sqarohet tani. Ky rast është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore dhe jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga presidenti Thaçi apo nga ana ime. Kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president dhe në momentin që sqarohet do të vijohet tutje”,tha Osmani

Ajo sqaroi se këtë herë rasti është ngritur mbi bazën e nenit 113 të Kushtetutës, ndryshe nga rastet e mëparshme, dhe pret një vendim përfundimtar që t’i hapë rrugë zgjidhjes.

Deklaratat u bënë pas një aktiviteti në Prishtinë, ndërsa Kosovapress bën me dije se në lojë janë disa emra konkretë: Alban Krasniqi, Violeta Emini dhe Njazi Isaku nga LVV; Ilir Gashi dhe Rashit Qalaj nga PDK; Sami Hamiti nga LDK dhe Muharrem Nitaj nga AAK.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga 11 anëtarë. Sipas Kushtetutës, gjashtë prej tyre emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa në raste të caktuara mund të ketë edhe emërime shtesë.