Sipas Ngjelës, Rama duhet të mësojë se gjeopolitika kërkon miliarda si politikë dhe ato sot i ka vetëm Amerika dhe BE. Për këtë, avokati i kërkon Ramës të lërë budallaqet dhe t’i nënshtrohet fatit të tij, sepse Stambolli dhe Moska po tallen me rrugën e zgjedhur prej tij, pasi ata nuk kanë as të dhjetën e parave që ka SHBA-BE.
Postimi i plotë:
Rama me memdjelehtesinë e një profani, por gjithë emocion hoxhist, mendon të mundë Uashingtonin dhe Berlinin në Shqipëri me Turqinë dhe Rusinë. Por kur do të mësojë ky kryeministër i zënë në hall që gjeopolitika kërkon miliarda si politikë dhe ato sot i ka vetëm Amerika dhe Bashkimi Europian!
Kaq i cektët është ky hallexhi që kërkon të shpëtojë veten duke fundosur Shqipërinë? Çështja shqiptare është sot në epiqendër të gjeopolitikës moderne, dhe ketë epiqendër vërtet mendon kryeministri pa mend i Shqipërisë se mund t'ia japë Turqisë dhe Rusisë?
Halli sigurisht që të çon në mendim fëminor, dhe kjo po i ndodh sot edhe kryeministrit shqiptar. Po cili është halli Rama? Është vetëm një dhe shumë i rëndë: kryeministrin shqiptar e kap Reforma në Drejtësi. Po shqiptarët nuk i kanë asnjë faj. Kurse ky zhurmëmadh pa substancë mendore, mendon të shpëtojë me politikë mesjetare.
Që të hyjnë në Shqipëri, domethënë në epiqendrën e gjeopolitikës botërore sot Turqia dhe Rusia, iu duhen minimumi 80 miliardë dollarë. Prandaj Uashingtoni dhe Berlini qeshin ndërkohë me manovrat që po bën kryeministri në hall i Shqipërisë.
Lëri budallallëqet Rama! se ata të dy që ti po kërkon të hyjnë në Shqipëri nuk kanë jo aq para, por as një të dhjetën e tyre. Nënshtroju fatit tënd Rama! se nuk ke rrugë tjetër. Me rrugën tënde Stamboll-Moskë po tallen. Kurse neve këtu na kujton Enver Hoxhën që, për t'i shpëtuar burgut antistalinian, ankoroi Shqipërinë në Kinë. Po ku do t'i gjesh o derëzi gjithë këto miliarda!
Duhet shtuar edhe diçka: Penalizimin i Ramës dhe të gjithë korrupsionit shqiptar, Berisha e të tjerë pas tij, do të krijojë një gëzim të madh në Shqipëri. Në fakt këtu, pas njëqind vjetësh, fillon çlirimi real i Shqipërisë dhe të gjithë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, të gjymtuar padrejtësisht nga korrupsioni permanent shqiptar dhe akti ahistorik i disa fuqive të mëdha.
Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com











