TIRANË - Kreu i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Spartak Ngjela, ka reaguar në Facebook mbi situatën parazgjedhore dhe zgjedhjet që duhet të bëjnë qytetarët. Sipas Ngjelës, në nevojën për të ndryshuar, shoqëritë kanë ndryshuar duke sjellë në qeverisje ndryshimin e atyre që kanë qenë".

"Ne sot po degjojmë përditë të flitet për ndryshimin në një fushatë elektorale, që po vjen drejt fundit. Në nevojën për të ndryshuar, shoqëritë kanë ndryshuar duke sjellë në qeverisje ndryshimin e atyre që kanë qenë", nis të thotë Ngjela.

Sipas tij, vetëm sot në Shqipëri po dëgjojmë, që ndryshimi u dashka sjellë nga ata që janë në qeverisje. "Ndryshimi, pa dyshim, që ngaherë ka një karakter divergjent dhe jo konvergjent. Të thuash se "unë jam ndryshimi", pasi realisht ke sjellë shkatërrimin, është njëlloj sikur të thush se "ju kam vrarë, ju kam plaçkitur, sepse ju dua të mirën, madje do sjell edhe ndryshimin tuaj".

Ngjela i është kthyer Saliut, për të cilin thotë se "e ka humbur krejtesisht mundësinë për të sjellë ndryshimin e shkatërrimit që vetë ka shkaktuar në Shqipëri".

"Rënia e Shqipërisë është e dukshme; ajo duhet frenuar në fillim me votën e 23 qershorit, që të fillojë më pas ndryshimi drejt ngritjes apo Rilindjes sonë", përfundon Ngjela.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)