Kështu u shpreh kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, gjatë intervistës në "45 minuta" nga Denis Minga në Report Tv.
Sipas avokat Ngjelës, të frikësuar nga kjo firmë e kreut të qeverisë shqiptare në kuadër të reformës në drejtësi, janë partnerët e tij, por pa përmendur emra.
E rëndësishme, sipas Ngjelës, mbetet zbatimi i saj, pasi siç shpreh ai reforma në drejtësi dhe Byroja e Hetimit mund të futen edhe në "kalendat greke".
"Kryeministri firmosi pa kokëçarje një akt shumë të madh që mund të jetë një rrezik për partnerët e tij. Ai ka bërë një akt. Se si do të ecë tani e tutje nuk e di. Por besoj se do të jetë një drejtim i mbarë për hetimin", u shpreh ai.
Ngjela komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Rama ndaj kandidatit republikan për President të SHBA, Donald Trump. Sipas tij, Rama është pozicionuar në mbështetje të kandidates demokrate, Hillary Clinton dhe ai beson se ajo do të jetë Presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I pyetur për pozicionin e tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Ngjela tha se do të jetë në koalicion me më të fortin dhe sipas tij, më e fortë është e majta.
Z.Ngjela, marrëveshja e qeverisë shqiptare me FBI për reformën në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, sipas jush çfarë synon sipas jush?
Nuk ka qenë problemi se kjo ka qenë "Thembra e Akilit". Epiqendra ka qenë takimi i z.Obama me kryeministrin shqiptar. Fakti që pas vizitës, nënshkroi edhe marrëveshjen, do të thotë se kanë patur lidhje me njëra- tjetrën. Në Shqipëri janë bllokuar reformat dhe frenimi i tyre, bllokon zhvillimin e Ballkanit. Pastaj, në këtë gjendje korrupsioni dhe niveli të ulët që është politika shqiptar, ne kemi krizë hetimi. FBI i jep reflektim shumë të madh reformës në drejtësi dhe ul tonet e korrupsionit që është në pushtet. Me FBI-në këtu, nuk mund të thonë dot më, se këtë e bleu Rama. Kryeministri firmosi pa kokëçarje një akt shumë të madh që mund të jetë një rrezik për partnerët e tij. Ai ka bërë një akt. Se si do të ecë tani e tutje nuk e di. Por besoj se do të jetë një drejtim i mbarë për hetimin.
E shikoni që do të jetë përfshirje konkrete? Do të jetë FBI pjesë e Byrosë?
Ekspertiza do të jetë e tyre. Trajnimi po, investimi po. Dhe lidhja që i bënë korrupsionit e krimit të organizuar me terrorizmin, nuk është i pagjasë.
Po thoni që SHBA nuk ka besimin që duhet të kishte me raport me SHISH?
SHISH ka kontratë me CIA-n, nuk ecën kuturu. Është shumë serioze. Berisha kërkoi ta hiqte. Kjo kontratë vazhdoni edhe sot. Atëherë erdhi drejtori i CIA-s se me këtë nuk mund të luajë. Por, FBI ka tjetër aspekt. Shërbimi është një gjë dhe hetimi është diçka tjetër. Sipas të dhënave të mia ka presion për hyrje të elementëve terroristë në Shqipëri. Loja është se hyjnë me anë të refugjatëve. Lidhja midis krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit është një gjë evidente. Është natyra që i bashkon. Ata nuk janë lëvizje fetare, ISIS-i, por krim i organizuar, pavarësisht se çfarë flitet. Janë për të gjetur mbështetësit, ushtarët. Sepse lufta kundër qytetërimeve do të vazhdojë. Barbarët e kanë rrëzuar Romën. Këta kanë gjetur një luftë të veshur me religjion për të krijuar mbështetës. FBI ka bërë të gjitha përpjekjet për të krijuar këtë strukturë hetimi. Di që, kryeministri shqiptar u ka thënë se përsa kohë do të vini për luftën kundër terrorizmit, sepse ka shenja që Shqipëria të kërcënohet, i ka dhënë të drejtën edhe të hetojë krimin e organizuar e korrupsionin. Kjo i ka mërzitur të prekurit.
Kush janë?
Ata që janë hetuar për korrupsion. Një bandë kriminale pasi ka bërë një grabitje të madhe, është fillimi i aktivitetit të saj. Vazhdimi i këtij aktiviteti është më kriminal se i pari, sepse do të vrasë, hedhë në erë, për të ruajtur paranë e vjedhur. Kjo ndodh edhe me korrupsionin. Mirë që e merr në mënyrë tangente, problemi është ku do ta investosh, cilat janë bankat, si do ecësh. S'flasim për korrupsion 100-200 mijë euro, por për miliona. Dhe korrupsioni shqiptar është i konceptuar në shuma 200-230 milionë euro.
Akuza ka që në korrupsion janë të përfshirë Rama, Berisha e Meta. Rama, me këtë marrëveshje e ka kaluar këtë problem?
Kjo është e saktë. Dhe disa të huaj më kanë pyetur e u kam thënë se kam vetëm një test që Rama s'ka frikë nga lufta ndaj korrupsionit, pranimi i FBI. Është testi që s'ke probleme me korrupsionin. Tani të shikojmë, se shpesh herë lëvizjet politike janë të tilla që pasi bëhet, zvarriten proceduralisht. E dini sa ka kaluar vonesa e kodit penal në vitet 70 në Francë? 17 vjet në parlament. Sepse palët kishin frikë. A do kemi obstruksion në parlament? Këtu do ta shikojmë. Aftësia e një avokati, është se di të bëjë vonesa procedurale.
Nga kjo periudhë qeverisje çfarë keni kuptuar nga z.Rama?
Kam qenë kritik i qeverisë. Por në këtë aspekt e kam përkrahur, pasi ka qenë i vendosur. Nëse kjo do të kalojë në "kalendat greke", atëherë kryeministri nuk është në binarë. Por, reforma në Shqipëri nuk do të ketë kthim pas. "Shqipëria është kushti pa të cilin" për politikën europiane perëndimore. Për një shtet si Shqipëria, për këtë impakt kaq të vogël, të merret Presidenti aktual është shumë e veçantë. Kur erdhi Sekretari i Shtetit, obstruksionistët, Saliu me të tjerë, filluan ta turbullonin. Këta sabotuan kërkesën e Sekretarit të Shtetit. Edhe dje Saliu thoshte për muxhahedinët.
Ai që ka votat edhe do të kërkojë të imponojë palën tjetër. Nëse nuk do të arrihet brenda kësaj legjislature të kalojë reforma në drejtësi? Duhet të vazhdojë qeverisja deri në 2017-ë?
Për këtë reformë, zgjedhjet janë domosdoshmëri. Është në funksion të zhvillimit historik të Shqipërisë. Duhet t'i kishte bërë. E dini që të bësh zgjedhje parlamentare edhe duke patur mbështetjen e ambasadorit amerikan e të politikës amerikane? Do ta kishte shumë të lehtë, qoftë dhe i vetëm. Drejtësia sot është "Thembra e Akilit", kthen shpresën te shqiptarët dhe krijon te diaspora personalitetin e atdheut të tyre. Hajdutët që i vodhën shqiptarët dhe kërkojnë ta çojë drejtësinë në "kalendat greke", është një turp historik. Është një hap shumë i guximshëm i politikës amerikane që hyn në Shqipëri përmes FBI. Kjo tregon se Shqipëria është një kusht i perspektivës europiane të rajonit. Do ta dëgjoni nga ekspertët gjermanë, se Berishën e konsiderojnë në politikën europiane, një pengues serioz i zhvillimit të Ballkanit.
Një element tjetër ku Shqipëria është në qendër të politikave amerikane?
Amerika na ka krijuar si shtet6. Ajo e kapi e para se ekuilibrat në Ballkan janë bota shqiptare, që nuk është e vogël. Bota është këtu, në Ballkan. Janë 9 milionë shqiptarë. Ka edhe dy shtete shqiptare në Ballkan. Dhe shqiptarët nuk kanë konotacion sllav, që të jetë presioni rus. Duhet të kemi të qartë se mosmiratimi i reformës në drejtësi, i humbet Shqipërisë nga BE, 3 miliardë dollarë në vit.
Raporti i Freedom House, rrëzonte propagandën boshe të qeverive të këtyre viteve. S'është bërë asnjë hap përpara nga viti 2004-ër. Kush është përgjegjës?
Ekspertët e huaj që kanë thënë këtë, kanë kapur thembrën e Akilit, që është pushteti gjyqësor. Diktaturat nuk ekzistojnë dot nëse nuk kanë në dorë pushtetin gjyqësor. Me një gjykatë të pavarur nuk mund të ketë totalitarizëm dhe as diktaturë. Demokracia në një vend është gjykata, nuk është ekzekutivi.
Ka patur pakënaqësi nga SHBA për kryeministrin Rama, sa i takon armëve kimike...
Kryeministrit i është dhënë një suport i madh. Nga Kerry, por sidomos këto ditë që është në SHBA. Nuk mund të bëhen dot reformat pa kryeministrin shqiptar. Do t'i qëndrojë apo jo, është çështje që do ta shohim. Por unë them se do t'i qëndrojë. FBI është një "qen" që shkon pas gjurmës dhe jo pas prioritetit politik. Erdhi te shtëpia jote, dorëzoji çelësat. Për mua nuk ka njeri shpëtim. Vetëm nëse bëhet kompromis për çështje shumë të mëdha. E dini me kë e ka bërë SHBA reformën në Japoni? Ishte e pushtuar nga ushtria amerikane Japonia dhe reformat i bënë japonezët, i bëri perandori japonez, Hirohito, kundërshtari i madh i amerikanëve që bombardoi Pearl Harbor-in.
M.q.s, vizita ka qenë interesante edhe një spektër të gjerë. insistimi i tij ndaj kandidatit Trump, si ju duket në raport me kandidatin e republikanëve, që mund të jetë edhe President...Kanë të bëjnë me një mungesë pjekurie politike? Apo ka diçka tjetër?
Po t'i bëjmë një analizë politike, ai ka rriskuar. Sepse mendon se do të vijë Klinton Presidente. Dhe kuptohet që ka dalë në krah të fushatës elektorale të zonjës Klinton. Kjo është analiza politike. Për ato që thotë ka një mbështetje edhe nacionale e kombëtare. Janë komentet e Trump për luftën në Ballkan, qëndrimin e tij për myslimanët.
Nëse vjen Trump, si shkojnë marrëdhëniet mes vendeve? Ngec reforma në drejtësi...
Politikat nuk ndryshojnë nga presidentët. Mund të mos ketë vullnet për të punuar, por kjo do të vijojë. Interesat tona kanë konverguar në një pikë me interesat e SHBA dhe të Europës. Nëse nuk do të dimë t'i përdorim, kemi bërë një gafë të madhe.
Për përfshirjen e lëndëve fetare në shkolla, cili është mendimi juaj?
Teologjia është lëndë që bëhet në gjitha universitetet botërore. Ashtu siç është filozofia. Kanë qëllim të informojnë, të të japin koshiencën e ekzistencën e zotit sipas religjionit. Shkenca dhe religjioni janë në përplasje, por sot janë të buta. Shkolla i takon shkencës, religjioni metafizikës. Kanë bërë një kompromis në perëndim që të mos e nxjerrin shkencën si armike të fesë. Problemi qëndron se shkenca ecën në një drejtim, religjioni nuk ecën, por shkon në cep. Nuk i bën dëm shkollës, nuk i heq laicitetin. Mënyra sesi do të jepet në shkolla, ajo mbetet për tu parë.
Avokat, po vijnë zgjedhjet. Ku do të rreshtoheni?
S'e kam vendosur akoma. Jam në aleancë me mazhorancën, por politika nuk është një shkencë e saktë. Unë do të jem me më të fortin. Dhe për momentin më e fortë është e majta.
Z.Blushi do të nisë një lëvizje të çuditshme, "Shqipëria mbi Partinë"? Si e gjykoni?
Çdo lëvizje që ka një sens morali i bën mirë demokracisë. E përkrah apo jo populli, është diçka tjetër. Blushi ishte në rritje, sepse kapi një çështje që edhe socialistët e dinin që e drejta morale ishte me të, por jo ajo politike.
Ka një përplasje mes presidentit dhe kryetarit të Bashkisë. Pse vjen ky konflikt sipas ju?
Vjen sepse kur këta vendosën Bujar Nishanin President, edhe me miratimin e Ramës, se ai s'nxori kandidat. Të dyja palët ishin dakord më këtë. Por, treguan historikisht se në Shqipëri çdo njeri mund të jetë President. Pa asnjë aktivitet, vetëm se i ka shërbyer Saliut e PD-së. Ky s'ka qenë ndonjëherë President, përveç 2-3 rasteve të rralla. Shkoi te parku i lojërave, por nuk mund të shkojë Presidenti i një vendi me kaq halle, për një park. Nëse parku ka shkelje, duhet parë pasi të jetë bërë, sepse pastaj fillojnë gjyqet e me radhë. Ajo që dyshoj unë do të jetë se, këndi aty do të jetë shumë i bukur, përsa kohë kundërshtarët po e sulmojnë. Ç'i duhet Presidentit me kopshtin e fëmijëve? Nuk tu duk qesharake që i shkoi te shkallët John Kerryt? U habit e gjithë bota. Ky është niveli i Saliut, se Presidenti është më i aftë se Saliu, por është në urdhrat e tij. Dhe ai po e çon një degradim total. Në këto momente moraliteti në Shqipëri, vendosja e ligjit dhe reforma në drejtësi, në kaskierën politike sot ka dalë "mbretëreshë".
Po gjuha e përdorur nga z.Veliaj?
Edhe mund të ishte frenuar diçka, por ai është në betejë.
Edhe për pasardhës të Ramës?
S'e di këtë. Por është në betejë për punën e tij dhe ai është i detyruar ta çojë deri në fund. Pasi iu ka thënë qytetarëve se është diçka që u shërben atyre. Nëse qytetarët e Tiranës, pasi të kenë mbaruar, do të jenë entuziastë për të, ky fiton kredo të madhe. Vijmë në Amerikë, është rriskimi që bën Rama, por nëse fiton Klintoni, ky ka favor.
Ngjelën do ta shohim përkrah Ramës nëse do ta çojë në fund reformën në drejtësi?
Padyshim që po.
Keni kërkuar të jeni protagonist për reformën në Drejtësi. do ta kërkoni sërish?
Nuk e di. Por unë kam doktrinën time, është një punim 15 vjeçar për drejtësinë shqiptare.
Zgjedhjet për Presidentin si i shikoni?
Do ta marrë mazhoranca.
PS apo LSI?
Do të jetë herë e parë që nëse Rama e nxjerr nga parlamenti, do të thotë se s'ka marrë vesh nga politika. Parlamenti ka 7 kandidatë potencialisht në zgjedhje. Po nxori sërish një, është turp, është antidemokraci. Po të kishte President këtu e ministër drejtësie, s'do kishte nevojë për reformë në drejtësi. Por janë të kapur nga korrupsioni.
Redaksia Online
Shqiptarja.com