Ngjela: S'ka surpriza, reforma kalon
në 21 Korrik nga presioni i SHBA

Ngjela: S'ka surpriza, reforma kalon<br />në 21 Korrik nga presioni i SHBA
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela shprehet se reforma në drejtësi do të votohet në 21 korrik. Ngjela thotë se nuk do ketë surpriza dhe se presioni i SHBA do të bëjë që deputetët të ngrenë kartonët pro reformës në drejtësi.

"Fryma perëndimore e drejtësisë, demokracisë dhe zhvillimit do të vendoset domosdoshmërisht në 21 korrik me forcën e politikës amerikane. Politika është forcë, kur zhvillimi pengohet nga keqbërësit. Me qetësi duhet të presim fillimin e historisë sonë të drejtë që do të vendoset me 21 korrik", shkruan Ngjela në një status në Facebook, pas konferencës për shtyp të kryetarit të LSI, Ilir Meta, i cili u shpreh se pas reformës duhet të krijohet një qeveri teknike dhe vendi të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme.
 
Reagimi i plotë i Ngjelës:
"Na kanë në dorë hajdutët, dhe ne po presim që ata të na japin mundësinë e drejtësisë. Ky është absurdi që sundon kohën e sotme në Shqipëri. Por do ta bëjnë. Janë të mbërthyer nga forca amerikane që sot është me shqiptarët.
Asnjëherë nuk e kemi njohur historinë, prandaj kemi gabuar. Historia nuk është përrallë që tregohet për të kaluar kohën me fjalë boshe. Historia është shkencë e saktë.
Përkohësia është gabimi ideor i shqiptarëve që kanë drejtuar Shqipërinë. Prandaj e kemi pasur kundër qytetërimit perëndimor historinë tonë moderne.
Popujt e mëdhenj janë drejtuar nga njerëz të mëdhenj që kanë punuar për historinë dhe jo për përkohësinë. E përkohëshmja, është psikologjia e hajdutit.
Edhe sot kjo dallon të ndodhë. Historia jonë do të ishte diktatoriale ende, nëse nuk do të kishte fituar koncepti amerikan i drejtësisë shoqërore dhe demokracisë që rrëzoi komunizmin në rrafsh botëror. Teknologjia, shkenca, dija e saktë, mendimi racional, mirëqenia e lartë, drejtësia dhe forca amerikane rrëzuan komunizmin. Po të ishte për këta që nuk e duan sot reformën në drejtësi, që ajo të implementohet nga amerikanet në Shqipëri, ne do ishim ende nën zgjedhën e hoxhizmit mesjetar shqiptar.
Këta janë kundërshtuesit e Reformës: ata që “jepnin djalin për Enver Hoxhën”, që nuk e lanin dorën se ia kishte prekur Enver Hoxha; ata që thoshin “nuk e duam lirinë pa socializëm dhe marksizëm”; ata që ishin spiunë të Sigurimit të Shtetit dhe kanë denoncuar për Partinë e Punës edhe vëllanë; ata që vetëm një gjë menduan tek drejtonin në shtetin postkomunist shqiptar: idenë fikse të abuzimit dhe shitjes së interesave të shqiptarëve.
Sot po e pengojnë historinë e zhvillimit shqiptar sipas qytetërimit modern, ata që u pasuruan në mënyrë të paligjshme dhe që vendosja e ligjit i ndëshkon për pasurimin e tyre të paligjshëm. Ka qenë dehja e tyre patologjike për të drejtuar në mënyrë animaleske Shqipërinë ajo që nuk u ka dalë akoma. Por do t’u dalë, se dallohet që janë të trembur. Këtu fillon besimi se fryma perëndimore e drejtësisë, demokracisë dhe zhvillimit do të vendoset domosdoshmërisht në 21 korrik me forcën e politikës amerikane. Politika është forcë, kur zhvillimi pengohet nga keqbërësit.
Me qetësi duhet të presim fillimin e historisë sonë të drejtë që do të vendoset me 21 korrik".

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)