Acari ka vendosur të mos e lërë Shqipërinë. Rinisin reshjet e dëborës në disa zona të veriut, kryesisht në Pukë, ku komuna Iballë vazhdon të jetë e bllokuar prej mëse një jave. Ndërkohë akulli ka krijuar mjaft vështirësi në akset kryesore. Në aksin Qafe Mali-Fierzë ka prezencë të madhe akulli, ndaj kalimi është i detyrueshëm me zinxhirë. Po kështu edhe aksi Qafe Mali-Kukës e Gjegjan-Reps.

Akulli dhe ngricat kanë krijuar probleme edhe në akset Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi, Kukës-Krumë e Morinë-Kalimash, të cilat janë detyrimisht të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Shumë zona të vendit janë përfshirë nga temperatura të ulëta. Në Korçë, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, ku në ditët e kaluara ka pasur vështirësi, sot nuk ka probleme, pasi bora dhe akulli në rrugë janë shkrirë tërësisht.