Komisioni i Sigurisë miratoi ngritjen e një grupi hetimor për të ushtruar Kontroll në Shërbimin Informativ, për veprimtarinë e tij. Pjerin Ndreu, Pirro Lutaj dhe Xhemal Qefaliaj janë 3 anëtarët e këtij grupi të zgjedhur nga mazhoranca ndërsa opozita ka braktisur këtë mbledhje dhe nuk ka dhënë dy emrat e saj, pjesë e këtij grupi hetimor.
Opozita nuk ka pranuar të bëhet pjesë e këtij grupi hetimor, me argumentin sipas tyre se në më parë duhet marrë "nga sirtaret" e Kuvendit projektligji për kontrollet e sigurisë Kombëtare.
Sipas nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka, mazhoranca po sillet si të ishte në opozitë, pasi kërkon këtë grup hetimor menjëherë pasi kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi dha raportimin e tij në këtë komision. Ai tha se ky vendim vjen i pakonsultuar dhe pa u diskutuar me opozitën, cka është përthyer në braktisjen e kësaj mbledhjeje dhe në mos dhënien e dy emrave të opozitës që do të bënin pjesë në grupin hetimor që do të ushtrojë kontrollin ndaj SHISH.
Për deputetin socialist Paulin Stërkaj, sulmi është rruga më e mirë me të cilën është mësuar opozita.
Deputeti demokrat Flamur Noka tha se ky komision ka shkelur ligjin dhe rregulloren me rrëzimin e kërkesës të opozitës për të zhvilluar një seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, përsa i përket një tjetër cështjeje, asaj të pretendimeve se Forcat e Armatosura janë të përfshira në trafikun e drogës.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Spartak Braho tha se ishte opozita ajo që braktisi mbledhjen në momemtin që nisi diskutimi për kërkesën për raportimin e ministres Kodheli. Megjithatë, Braho theksoi se opozitës i është thënë të depozitojë provat në Prokurori pasi për këtë cështje do të merret komisioni hetimor që pritet të ngrihet për Forcat e Armatosura.
Por sipas Brahos, Noka ka shkelur ligjin edhe dje gjatë raportimit të kreut të SHISH, kur nxorri për mediat informacion të klasifikuar. Braho tha se për këtë veprim do të njoftojë kryetarin e Kuvendit.
Një ditë më parë u mësua nga burime të A1 Report se Kreu i SHISH Visho Ajazi Lika në raportimin para Komisionit të Sigurisë pranoi se institucioni që ai drejton është gjetur në befasi në rastet e shpërthimeve të tritolit duke mos zbuluar në kohë informacione që do t’i shërbenin policisë për të arrestuar autorë e parandaluar ngjarje.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)