Kreu i Kuvendit tw Malit tw Zi Andrija Mandiç nuk u përball sot me votën nw parlament për shkarkimin e tij. Seanca e thirrur pas ngushëllimeve që ai i dërgoi familjes së Ratko Mlladiçit nuk u zhvillua, ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve të shumicës qeverisëse mungoi. 

Në sallë ndodheshin Artan Çobi i Forumit Shqiptar dhe Ilir Çapuni i Aleancës Shqiptare. Forumi Shqiptar, pjesë e shumicës dhe i drejtuar nga Nik Gjeloshaj, kishte bërë të ditur se do të votonte për shkarkimin e Mandiçit. Partia e kishte cilësuar të papranueshëm glorifikimin e Ratko Mlladiçit, të dënuar për gjenocidin në Srebrenicë. Deputeti tjetër i Forumit Shqiptar, Nikolla Camaj, nuk ishte i pranishëm.

Përpara nisjes së seancës, deputetët e opozitës kërkuan verifikimin e kuorumit dhe transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjes. Ata kërkuan gjithashtu që gazetarët dhe kameramanët të lejoheshin në sallë, në mënyrë që publiku të shihte cilët deputetë kishin ardhur për votimin. Sipas gazetës malazeze Vijesti, shërbimi i Kuvendit nuk lejoi hyrjen e përfaqësuesve të medias.

Mandiç nuk i pranoi kërkesat dhe u largua nga salla mes debateve. Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) i thirrën se po ia mbathte. Seanca nuk nisi dhe propozimi për shkarkimin e tij nuk u hodh në votim.

Përveç deputetëve të opozitës, në sallë ishin edhe përfaqësues të Partisë Boshnjake dhe disa deputetë të tjerë të shumicës. Nga Demokracia e Re Serbe ishte i pranishëm vetëm Mandiçi, ndërsa munguan deputetët e disa partive të tjera qeverisëse, përfshirë Lëvizjen Europa Tani dhe Demokratët.

Nismën për shkarkimin e Mandiçit e paraqiti DPS-ja më 7 shtator. Shkak u bë telegrami i ngushëllimit që kryetari i Kuvendit i dërgoi Darko Mlladiçit për vdekjen e të atit, Ratko Mlladiç. Mandiçi tha se e kishte bërë këtë në emrin e tij dhe të Demokracisë së Re Serbe, partisë që drejton.

Pas dështimit të seancës, DPS-ja njoftoi se nuk do të bashkëpunojë me qeverinë dhe shumicën parlamentare derisa deputetëve t’u jepet mundësia të votojnë për shkarkimin. Mandiçi, nga ana tjetër, falënderoi deputetët që nuk morën pjesë dhe akuzoi kundërshtarët se po e përdorin debatin për të kaluarën e Malit të Zi për ta larguar nga posti.

“Falënderoj të gjithë deputetët që sot shprehën një qëndrim të qartë: nuk duan të marrin pjesë në një tjetër diskutim për të kaluarën e errët të Malit të Zi. Mos u gënjeni. Ata që u përpoqën të më largonin nga detyra nuk e kërkonin postin e kryetarit të Kuvendit sepse donin t’u shërbenin më mirë qytetarëve. As nuk e bënë këtë sepse u intereson veçanërisht morali. Ata e përdorën dhe e shtrembëruan këtë çështje, ashtu si në dy përpjekjet e mëparshme, që gënjeshtra të kthehej në të vërtetë dhe e vërteta të fshihej”, u shpreh Mandiçi në një mesazh drejtuar qytetarëve.