Dhjetëra milionë njerëz mund të përballen me uri dhe vdekje nga uria nëse plehrat kimike nuk lejohen së shpejti të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, tha të hënën për AFP kreu i një task-force të OKB-së të krijuar për të shmangur një krizë humanitare të afërt.
Bllokimi nga Irani i kësaj rruge strategjike ujore përmes së cilës kalon një e treta e plehrave kimike të botës, pengon një tregti jetike për fermerët në garën kundër përfundimit të sezonit të mbjelljeve.
“Kemi vetëm disa javë përpara për të parandaluar atë që ka shumë gjasa të bëhet një krizë masive humanitare,” tha Jorge Moreira da Silva në një intervistë për AFP në Paris. “Mund të jemi dëshmitarë të një krize që do të çojë edhe 45 milionë njerëz të tjerë drejt urisë dhe vdekjes nga uria.”
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së e krijoi task-forcën në mars për të udhëhequr një mekanizëm që do të lejonte kalimin përmes ngushticës të plehrave kimike dhe lëndëve të para të lidhura me to, si amoniaku, squfuri dhe ureja.
Prej javësh, Moreira da Silva po përpiqet të bindë palët ndërluftuese të lejojnë të paktën disa anije të kalojnë dhe ka zhvilluar takime me “më shumë se 100 vende” për të mbledhur mbështetjen e shteteve anëtare të OKB-së rreth këtij mekanizmi.
Një numër gjithnjë e më i madh vendesh po tregojnë mbështetje për planin, tha ai, por SHBA-të dhe Irani, si edhe vendet e Gjirit, të cilat janë prodhues kyç të plehrave kimike, ende nuk janë plotësisht dakord.
Ndërsa shpresa përfundimtare mbetet një marrëveshje për “paqe të qëndrueshme” në rajon dhe “liri lundrimi për të gjitha mallrat” përmes Ngushticës, “problemi është se sezoni i mbjelljeve nuk mund të presë”, tha Moreira da Silva, duke shtuar se në disa vende afrikane ai përfundon brenda pak javësh.
Vëmendja globale është përqendruar te ndikimet ekonomike të pengimit të tregtisë së naftës dhe gazit, por OKB ka ngritur alarmin për kërcënimin që bllokada paraqet për sigurinë ushqimore botërore, ku vendet në Afrikë dhe Azi pritet të goditen më rëndë.
Moreira da Silva tha se OKB-ja mund ta vinte mekanizmin në funksion brenda shtatë ditësh, por edhe nëse Ngushtica do të hapej tani, do të duheshin tre deri në katër muaj për t’u kthyer në normalitet.
“Është vetëm çështje kohe. Nëse nuk ndalim së shpejti shkakun e krizës, do të duhet të përballemi me pasojat përmes ndihmës humanitare”, tha Moreira da Silva.
Ndërsa çmimet e ushqimeve ende nuk 'kanë shpërthyer', Moreira da Silva tha se ka pasur një “rritje masive” të kostove të plehrave kimike, gjë që ekspertët thonë se ka të ngjarë të çojë në rënie të produktivitetit bujqësor dhe në rritje të ndjeshme të çmimeve të ushqimeve.
Ai tha se kalimi mesatarisht i vetëm pesë anijeve në ditë me plehra kimike dhe lëndë të para të lidhura me to përmes Ngushticës do të mjaftonte për të shmangur krizën për fermerët.
Ajo që mungon, sipas tij, është “vullneti politik”.
“Nuk mund të shtyjmë më atë që është e mundur të bëhet dhe atë që është urgjente të bëhet, që është lejimi i kalimit të plehrave kimike përmes ngushticës dhe, përmes kësaj, minimizimi i rrezikut të pasigurisë masive ushqimore në nivel global”, përfundoi Moreira da Silva.
Komente










