NIGERI - Grupi militant islamist “Boko Haram” ka publikuar një video të re në të cilën tregohen rreth 100 prej vajzave të rrëmbyera nga ky grup muajin e kaluar. Lideri i grupit tha se vajzat do të mbaheshin deri sa të liroheshin të gjithë militantët e burgosur të grupit dhe se vajzat ishin kthyer në fenë islame.

Në video shfaqen vajzat e veshura me veshjen muslimane që citojnë Kuranin dhe shprehje të fesë islame, ndërsa lideri i Boko Haramit shfaqet në një pjesë të ndarë të videos, por asnjëherë bashkë me vajzat. Nuk ka të dhëna se ku mund të jetë regjistruar videoja dhe korrespondentët thonë se vajzat në të shfaqen të qeta.

Grupi islamist “Boko Haram” ka nisur një fushatë të dhunshme kundër qeverisë nigeriane që prej vitit 2009. Në maj të vitit 2013, nëpërmjet një videomesazhi lideri i grupit deklaroi se do të fillonte të rrëmbente vajza të reja. Rrëmbimet, tha ai do të ishin hakmarrje ndaj forcave nigeriane të sigurisë që rrëmbejnë bashkëshortet dhe fëmijët e anëtarëve të grupit”.

Muajin e kaluar më 14 prill ai e vuri në zbatim planin e tij kur rrëmbeu mbi 200 vajza nga një shkollë e Chibokut në Borno të Nigerisë.