TIRANE - Nikolin Kurti, nipi i Janaq Paços, djali i motrës së skulptorit, shprehet se kjo skulpturë që është 3.30 metra e gjatë renditet e treta në botë. Pasi tregon sesi kanë kaluar pesë ministra me radhë në mbrojtje të veprës së bashku me të birin e Janaq Paços Klitonin dhe të bijën e skulptorit të njohur Dorinën, ai na rrëfen se si ky kompleks monumental i përbërë nga dy gladiatorë, është vlerësuar nga komisioni i vlerësimit të veprave të artit pranë Ministrisë me 200 mijë Euro, në pasaportën që është lëshuar.

Pra familja gjithë këtë dhuratë ja jep popullit shqiptar, skulpturës  shqiptare, artit shqiptar, qytetit muze të Durrësit, pa pretenduar asgjë, vetëm që vepra, djersa dhe puna e Janaq Paços të shkoj aty ku ai e kishte menduar. Kurti thotë se “Janaq Paço, ka mbi 20 vjet që ka vdekur, nuk i ka pirë asnjë kafe veprës së vet, megjithatë kënaqësia do të jetë që kjo vepër të bëhet pjesë e kulturës dhe e qytetërimit Shqiptar”.

Nikolin, ju keni folur edhe më herët për veprat e dajës suaj, sidomos për “Dy gladiatorët”. Çfarë po ndodh me ta?
-Që sot në mëngjes jam irrituar kur kam mësuar se përgjegjësi i firmës Mihal Delijorgji do të marrë në përdorim pronën dhe do të zhduket qendra e artit, një qendër e rëndësishme për të gjithë skulptorët dhe artin e skulpturës shqiptare.
 
Pra ju duket shqetësuese mbajtja në kushtet aktuale atje?
-Shqetësuese ka qenë që prej tre katër vjetësh. I pesti ministër kulture në radhë nuk ka bërë asgjë që kjo kryevepër të shkojë në vendin që i takon. U premtua se do të vendosej në Durrës për 100-vjetorin, nuk e vunë, se i çuan fondet dëm në vepra pa vlerë dhe nuk e vrau mendjen njeri për afatin e veprave të trashëgimisë. Është e treta skulpturë e madhe në botë 3.30 metra e gjatë. Ky lajmi i sotëm që do ta marrë qendrën e artit firma Delijorgji më ka shqetësuar shumë. Ku do të shkoj vepra. Më erdhi si një rrufe në qiell që një skulpturë që s’e ka bërë njeri në Shqipëri, ku u derdh mundi për ta restauruar dhe janë derdhur para, të qëndrojë në rrezik për katër vjet.
 
Cila është historia e mbijetesës së kësaj skulpture?
- Paço u detyrua që Gladiatorët të mos pësonin të njëjtin fat me nudot, i fshehu ato në një pjesë private të tij, në mënyrë që askush të mos i dinte. i druhej një ndëshkimi tjetër alla komunist i kësaj vepre. Në vitin 1993 ai nuk trashëgoi studio, pasi studioja e tij ishte pronë e familjes Toptani. U detyrua që e gjithë vepra e tij të shpërndahej lart e poshtë. Një pjesë i ka në shtëpi, një pjesë tek firma “Halili”, ndërsa 43 pjesët e ndara të Gladiatorëve nuk ishte e mundur të mbaheshin në një ambient tjetër.

Më ndihmën e Profesor Neritan Cekës, u urdhërua Muzeu Arkeologjik i Durrësit, të hapte një ambient për tu vendosur, dhe aty u strehuan deri në vitin 2008, afro 15 vjet. Më pas u poq mendimi se që kjo vepër duhet çuar atje ku ishin ideuar, dhe projektuar për tu vënë në shërbim të popullit. Së bashku me Klitin djalin e Janaqit vajtëm në Durrës, i gjetëm, i identifikuam, dhe i sollëm pranë kësaj qendre. Ajo ka një vlerë prej 200 mijë euro, dhe ka rrezik të prishet, kjo është pasaporta e saj, që të mos shitet.

Gjithë ajo punë nuk duhet të shkojë për dhjamë qeni. Për hir të pallateve 120 metra të lartë. Jam shumë i tensionuar dhe i nervozuar. Ju kujtoj se në kohën dikaturës Janaq Paço theu nudot nga trajtimi që i bën. I tash Klitonit, të birit: “më mirë thyeji dhe ti veprat e babës, sepse këtu nuk ka mendjen njeri për kulturë. Le të vijë ministër Delijorgji ta rrafshojë fare Shqipërinë dhe le të bëjë pallate. E t’ia vëmë emrin kësaj që bën “Gërdeci i dytë, gërdeci i kulturës”.
 
Po drejtori i qendrës së artit pohon se janë në gjendje të mirë?
-Drejtori i qendrës vegjeton atje dhe sa merr rrogën. Tani tani që prishet qendra e artit nuk ndihet. Romët janë më të civilizuar se drejtori i qendrës, u ngritën në protestë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)