TIRANE - Kryetari i Lëvizjes Demokristiane Nikollë Lesi, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se Berisha e kishte prerë në besë, pasi marrëveshja e koalicionit e nënshkruar ditë më parë parashikonte që asnjë kryetar aleat të mos ishte në listat e PD. Lesi thotë se po të kishte nënshkruar me Ramën, ai sot do të ishte në listë prioritare dhe më 24 qershor deputet.

Pse vlerësoni në deklaratën tuaj se Berisha ka shkelur marrëveshjen me LDK, dhe më konkretisht cilat janë kontestimet tuaja në lidhje me këto shkelje?
Partia Demokratike e shkeli brutalisht dhe në mënyrë të pabesë marrëveshjen e nënshkruar me LDK. Ishte rënë dakord që, asnjë kryetar partie aleate të mos ishte në listën e kandidatëve për deputetë të PD. Kjo e bënte koalicionin më konkurrues dhe shtonte votat për të. Këtë marreveshje e shkeli PD, duke iu dhënë vend në listat e sigurta disa kryetarëve të partive aleate dhe duke na vënë para faktit të kryer.

Nëse do të kishte patur një konsultë nga PD me argumentimin se "duhej t’i vendosim disa", edhe mund të kisha pranuar. Por jo kështu, duke na vënë para faktit të kryer dhe duke vepruar me prepotence. Para firmosjes së marrëveshjes mes LDK dhe PD, kishim një klimë të qetë e gazmore me zotin Bode dhe zotin Bylykbashi, të cilët ishin negociatorët e PD me partitë aleate.

I kam pyetur disa herë dhe fort, nëse kanë ndërmend të fusin në listë ndonjë kryetar partie të vogel. Ata më janë përgjigjur prerë: "JO". Pra ata vendosën kë deshën në listën e kandidatëve të PD, duke e shkelmuar sinqeritetin e partneritetin e vendosur më parë sipas marrëveshjes në koalicion. Është faji i tyre e jo i imi për këtë veprim. Une ruaj të drejtën time të flas e të mos tutem nga asnjeri, qoftë dhe kryeministri i vendit.

Çfarë ju ofroi konkretisht Rama për koalicion me PS dhe pse e refuzuat atë, ndërkohë që mendohej kalimi juaj me opozitën?
Para se të firmosja marrëveshjen e koalicionit me PD unë kam zhvilluar negociata dhe me zotin Rama, i cili duhet pranuar se më priti shumë mirë dhe më ofroi ofertën për koalicion me PS. Bile sot do të isha në listën fituese të kandidatëve për deputetë të PS.

Por e degjova miqësisht. U mendova disa ditë dhe ndërkohë nga PD, ku isha në koalicion bashkëqeverisës, na u ofrua bashkëpunimi korrekt, pra që asnjë kryetar partie aleate nuk do të jetë në listën e PD.

Do të konkurronim secili veçmas për të parë forcën tonë reale në elektorat. Ndaj, meqenese isha drejtues i një force politike kristiane të qëndrës së djathtë, e duke menduar se nuk është e udhës që të lëviz andej-këtej, vendosa të refuzoj ofertën e zotit Rama, duke e falenderuar dhe publikisht për ftesën që më bëri.

Tani e shikoj se po të ishte në interesin tim, duhej të kisha kaluar tek Rama dhe më 23 qershor në darkë do të isha deputet. Sërish jam i bindur se kam bërë mirë, natyrisht duke e ruajtur miqësinë me zotin Rama, por si LDK këtu ku jam më duhet të qëndroj e luftoj fort. Të luftoj të keqen që kemi nga brenda si mazhorancë, per t’u përmirësuar për qeverisjen e vendit.

Duke parë listën e kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet e vendit, si i vlerësoni kandidatët e partive aleate dhe ata të PD, largimet dhe afrimet e reja në këto lista të publikuara tashmë?
Në fillim kisha dyshime për ndonjë kandidat të PS. E kam fjalën për ata që përfliteshin dhe në media. Por kur shikoj listën e tyre sot në media, vërej se janë kandidatë shumë të mirë. Ndaj përballja jonë mes dy palëve në zgjedhje do të jetë e vështirë, për të evidentuar se cili bllok politik do të fitojë.

Ndersa nga kandidatët e partive aleate vlerësoj zotin Dashamir Shehi. Nga kandidatët e PD vlerësoj shumë kandidatin që u ofrua në orët e vona të datës 6 maj, dhe konkretisht trajnerin e futbollit dhe specialistin e madh të futbollit, zotin Vasil Bici. Është njeri me vizion të madh dhe korrekt.

Ai u përzgjodh në listën e PD në qarkiun e Lezhës si numri katër, ose de facto është deputet dhe mund të jetë nesër një ministër sporti në vend të Visar Zhitit, pasi është shumë i aftë. Në lidhje me largimet jam surprizuar me Mark Markun dhe Enkeled Alibeajn, që ishin dy figura me dinjitet në PD, por dhe me largësinë me të cilën e ka lënë zoti Berisha deputetin Ilir Rusmajlin në listën e qarkut Tiranë, poshtë vijës përfituese.

Ky i fundit është i vetmi ministër në botë që ka dhënë dorëheqjen kot, pra vetëm se e akuzuan se gjoja i vëllai apo mundet kushuriri paska patur ndërmend t’i drejtohej dikujt për një tender! Në të cilin as që mori pjesë!

Mendoni se ka një fuqizim të klanit të Bashës brenda PD dhe dobësim të klanit të Topallit dhe më konkretisht në këtë kontekst si e parashikoni rezultatin e 23 qershorit për mazhorancën?
Nuk ka klan të askurkujt po nuk deshi zoti Berisha. Ai është gjithçka në PD, edhe kryetar, edhe kryeministër, edhe ministër, edhe prefekt, edhe portier! Nuk ia mban as Bashës e as Jozit të krijojnë grupe, se i shkrin Doktori. Nëse më pyesni se kush mund ta drejtojë më pas PD, unë kam qënë dhe jam me qëndrimin se atë PD vetëm një me mbiemër “Berisha” mund ta drejtojë, pasi të ikë Doktori. Dhe e vetmja është Argita.

Ku do të kandidosh vetë në këto zgjedhje?
Në qarkun e Tiranës, në krye të LDK dhe fushatës së saj. Po më votuan qytetarët, do t’i bëj spektakël Berishës dhe Ramës në Parlament.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)