Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe Ambasadori i SHBA, Alexander Arvizu.(Foto Arkivë)
TIRANË, 22 Qershor/ATSH/-Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka nisur një fazë sensibilizimi kundër drogës tek të rinjtë dhe nxënësit e shkollave të Shqipërisë.
Siç njofton Gjergj Hamiti, zëdhënësi i MAS, ditën e sotme në Ishull Lezhë, ministrja, Lindita Nikolla, do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar për finalizimin e programit "Edukimi, ndërgjegjësimi, dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substancat e tjera të rrezikshme".
Ky aktivitet organizohet nga MAS dhe Ministria e Punëve të Brendshme me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë.
Në këtë program marrin pjesë 151 nxënësit më të mire të klasave të 6-ta të shkollave 9-vjeçare të cilët për katër ditë kanë zhvilluar një vizitë studiomore/ekskursion në kampin veror "Lightforce" në ishull Lezhe nga data 19-22 Qershor 2014.
Ky ekskursion ka konsistuar në zhvillimin e aktiviteteve kulturore-sportive (gjimnastikë, konkurs i dhomës më të rregullt, lojra, punë dorë, kërcim, hokey, not, etj.).
Gjithashtu, janë zhvilluar takime sensibilizuese me nxënësit për ato çështje që sot shqetësojne më së tepërmi fëmijet, familjen apo shoqërine në tërësi.
Ky aktivitet do të finalizohet sot me një ceremoni ku në praninë e Ministres së Arsimit Nikolla, Ambasadorit të SHBA, Arvizu dhe zv.ministrit të Punëve të Brendshme, Mustafaraj do të jepen çmimet për vizatimet më të mira të nxënësve konkurrues.
/y.pa/











