Nikolla Pano: Drejtuesit e tranzicionit jo gjithmonë vepruan në interesin më të mirë të Shqipërisë

Nikolla Pano: Drejtuesit e tranzicionit jo gjithmonë vepruan në interesin më të mirë të Shqipërisë

Nikolla Pano

Nikolla Pano, i lindur dhe rritur në një familje shqiptare në SHBA është një historian që flet jo vetëm për të shkuarën, por edhe për sfidat e tashme dhe të ardhme të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon.

Historiani i njohur, i ftuar në emisionin “Përballë” të Lutfi Dervishit, i pyetur se cili është problemi më i madh që ka sot vendi, tha se është trashëgimia e hidhur dhe mungesa e fatit historik- një vend që ka arritur me vonesë dhe vështirësi atë çfarë kombe të tjera e kanë arritur me kohë. “Shqipërisë, thotë ai, i duhet gjithmonë të kapë kohën e humbur”.

“Për Profesor Panon, fakti që më shumë se gjysma e popullit shqiptar u la jashtë kufijve të shtetit të krijuar më 1913, është një nga tragjeditë më të mëdha të historisë tonë”.

Sot, shqiptarët në rajon, thotë profesor Pano, duhet të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin në fushën kulturore, ekonomike dhe politike, por nuk duhet të nguten drejt bashkimit.

Për idenë e “korrigjimin e kufijve” – historiani i njohur shqiptar thotë se është një mundësi që duhet parë, por duhet treguar shumë kujdes për të marrë në konsideratë interesat e popullsisë shqiptare dhe për të mos hapur kutinë e Pandorës në rajon.

I rritur nën ndikimin e shqiptarëve të mëdhenj si Fan Noli dhe Faik Konica, profesor Pano flet për rolin e madh dhe të pazëvëndësueshëm të lobit shqiptar shqiptar në Amerikë gjatë shekullit të kaluar, por edhe për kontributin tanishëm.

Institucionet si Vatra, Dielli, Kisha Ortodokse shqiptare, farkëtuan patriotizimin shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Kur Shqipëria dhe shqiptarët ishin në rrezik, ishte kontributi i një galaksie të njohur shqiptarësh që bënë të mundur që presidentët amerikanë, disa herë gjatë një shekulli, (që nga Presidenti Uillson e deri tek Presidentët Klinton e Bush) të bënin ndërhyrje vendimtare në çaste kritike për Shqipërinë dhe Kosovën.

Duke folur për sfidat e sotme të Tiranës, Nikolla Pano thotë se duhet luftuar pabarazia sociale, bjerrja e shtresës së mesme dhe i duhet dhënë fund situatës kaotike në drejtësi. Shqipëria duhet bërë thotë ai- një vend i drejtë ku njerëzit nuk duhet të vlerësohen nga fakti se kë njohin, por nga ajo çfarë dinë.

Profesor Pano që ka vizituar shpesh Shqipërinë gjatë 45 viteve të fundit i njeh personalisht drejtuesit e tranzicionit të gjatë shqiptar- ata, thotë ai- jo gjithmonë kanë vepruar në interesin më të mirë të Shqipërisë.

Intervista e plotë:

Dua t’iu pyes për vizitën e parë në Shqipëri, në vitin 1973. Dua t’u pyes pak për emocionet e përziera. Në një anë, vinit për herë të parë në vendlindjen e prindërve të tu, në anën tjetër Shqipëria në atë kohë ishte një shoqëri e mbyllur, ishte nën regjimin komunist. Njerëzit nuk mund të lëviznin lirisht, nuk mund të flisnin lirisht, feja ishte e ndaluar, prona private ishte e ndaluar. A mund të na tregosh pak si e përjetuat vizitën e parë në Shqipëri?

 

Së pari nuk e dija se çfarë më priste. Kisha kohë që përpiqesha për të marrë një vizë. Më në fund arrita ta marr një vizë. Po prisja me mall të takohesha me njerëz të familjes time. Kisha një kushëri të parë në Korçë dhe disa kushërinj të tjerë. Nuk dija shumë për ta, me përjashtim të letrave që shkëmbeja me to,… kisha lexuar shumë për Shqipërinë. Por ende nuk e dija se çfarë do të ndodhte. Por kur erdha u çudita për mirë, sepse të gjithë shqiptarët që takova, jo vetëm pjesëtarë të familjes time ishin shumë të dashur, shumë miqësor, shumë të hapur. Ishte shumë e vështirë në atë kohë të kuptoja se ky vend qeverisej nga një regjim totalitar, sepse në marrëdhëniet me familjen time më dukej sikur po takohesh me miqtë e mi në Amerkë apo në ndonjë vend tjetër të Europës.

Nuk pikase ndonjë shenjë të varfërisë apo represionit në atë kohë?

Në fillim jo, por pak më vonë kur doja të vizitoja qytete të tjera të Shqipërisë mu bë shumë e qartë se duhet të isha nën shoqërinë e një personi të besuar të regjimit, dhe më pas kur vizitova Shqipërinë, u ndaluam herë pas herë në postblloqe policie dhe shpejt e kuptova se jeta në Shqipëri nuk ishte e njëjtë me jetën në vende të tjera të Europës apo në SHBA. Kjo ishte tejet e qartë. Dhe në momentin që po largohesha nga Shqipëria ishte koha e “plenumit të katërt”, fillimi i shtypjes së intelektualëve në Shqipëri dhe ishte një nga periudhat e errëta të historisë së Shqipërisë. Mbaj mend se kur kalova në Tiranë, shihja fletërrufetë që ishin të pranishme pothuaj në gjithë qytetin dhe njerëzit ishin të shqetësuar nga çfarë po ndodhte dhe ishte edhe më e qartë për mua se Shqipëria ishte vend i shtypur, dhe i udhëhequr nga njerëz të vijës së ashpër.

Ju u lindët në SHBA më 1934 dhe prindërit e tu erdhën në Amerikë nga Korça…

Po, babai im e la Shqipërinë më 1911 dhe nëna më 1919. Ata emigruan në Amerikë. Në fillim im atë jetoi në Nju Hampsher dhe nëna ime në Mei. Më pas shkuan në Boston, aty u njohën dhe u martuan më 1930. Motra im u lind më 1931, unë u linda më 1934 dhe motra e vogël u lind më 1939.

Lindur dhe rritur në një familje shqiptare në Amerikë. Flisnit shqip?

Po flisnim shqip. U rritëm me dygjuhë dhe dy kultura siç i themi ne andej. Im ati hapi një dyqan ushqimor, kështu që natyrisht ne filluam të mësojmë edhe anglisht, nëna nisi të mësoj dhe të flasë anglisht, por në të njëjtën kohë ne flisnim shqip në shtëpi. Gjyshja vinte dhe qëndronte shpesh tek ne dhe me të ne mësuam shumë mirë shqipen. Më vonë, edhe im atë më mësoi të lexoj shqip dhe sillte në shtëpi gazetën Dielli dhe më pas edhe gazetën Iliria dhe im atë më mundësoi që të takoj edhe personalitete të shquara shqiptare si Fan Noli dhe të tjerë që jetonin në zonën e Bostonit. Ne shkonim në kishën ortodokse shqiptare të Shën Gjergjit dhe shërbesat në kishë ishin në gjuhën shqipe, dhe gradualisht ne mësuam shumë mirë gjuhën shqipe, ndoshta jo shkëlqyeshëm, sepse me kalimin e kohës ne përdornim pak më rrallë, por ne si fëmijë u rritëm duke mësuar dhe folur gjuhën shqipe në familje.

Ju jeni pagëzuar me emrin Nikolla Kristo, në nderim të shqiptarit të parë që ka shkuar në Amerikë në vitin 1886, ai kthehet disa vite më pas në Shqipëri në vitin 1892 dhe merr me vete 17 shqiptarë të tjerë dhe kjo është kolonia e parë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Po kjo është e vërtetë, 17 djemtë ishin nga katundet e Korçës dhe ata ishin bërthama e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe gradualisht në fund të shekullit 19 dhe në filim të shekullit 20 gjithnjë e më shumë shqiptarë emigruan në Amerikë dhe në fillim të Luftës së Parë Botërore, ishin afro 10 mijë shqiptarë në SHtetet e Bashkuara. Numri i saktë është pak i vështirë sepse deri në nëntor të vitit 1912, nuk kishte Shqipëri dhe shumica e atyre që erdhën kishin pasaporta turko-osmane, disa erdhën nga Greqia, disa nga Rumania, disa nga Egjipit, pra është vështirë të thuash një numër të saktë, por ne besojmë se më 1914 ishin 10 mijë shqiptarë në SHBA.

Shqiptarët që lanë Shqipërinë për Amerikën, shkuan për punë, për biznes, më ambiciozët për t’u bërë mjek, avokatë, por …jo historianë. Pse zgjodhët të bëheshin historian?

Së pari, atë që edhën në fillim erdhën për të mbijetuar, për të punuar, për të kursyer dhe disa prej tyre për t’u kthyer sërish në atdhe dhe ndoshta edhe për të nisur biznes. Por ata që ndenjën në Amerikë, mblodhën para dhe një nga arsyet që mblodhën para shumë dhe jetuan me shumë kursime, është që t’i jepnin fëmijëve një të ardhme më të mirë, psh si unë që jam brezi parë i lindur në Amerikë, prindërit donin të na dërgonin në shkollë. Unë isha i interesuar në histori, shumë shokë të mi ishin të interesuar për mjekësi, ligj apo biznes dhe kjo për shkak të lidhjeve dhe shoqërive të krijuara në fëmijëri dhe shumë zgjodhën biznesin sepse fryma e sipërmarrjes ishte nxitur nga prindërit- shumë prej tyre kishin biznese të vogla- dhe shumë prej tyre bënë goxha pasuri.

Cili ishte ndikimi që patën tek ti njerëz të mëdhenj si Fan Noli, Faik Konica, dhe më pas Stavri Skëndo?

Fan Noli, sigurisht nuk ishte vetëm lideri shpirtëror i komunitetit shqiptar, por ishte edhe lideri intelektual, ai shkroi si historian, ai shkroi shumë artikuj në gazetat e kohës, ai ishte intelektual i madh dhe shumë prej nesh, në fakt jo shumë, por disa prej nesh e adhuronim dhe kishim edhe fatin të bisedonim disa herë me Fan Nolin, ai na nxiste dhe ishte shumë i kënaqur që disa prej nesh do të studionim për historinë e Shqipërisë për kulturën shqiptare dhe betejat e shqiptarëve për të ruajtur identitetin shqiptar.

Njerëz të mëdhenj si Fan Noli dhe Faik Konica, të dy u përpoqën të jepnin kontributet e tyre në Shqipëri, por nuk ja dolën. Ishte Shqipëria vend i vogël për t’i mbajtur këtu njerëzit e mëdhenj?

Interesant është fakti se si Noli ashtu edhe Konica jetuan shumë pak vite të jetës së tyre në Shqipëri, por kurrë nuk humbën sensin e identitetit shqiptar apo kombëtar, por siç edhe ju sugjeroni, kontributin e tyre më të madh për Shqipërinë e dhanë jashtë saj. Aktivitetet e Nolit dhe Konicës për Vatrën janë shumë të rëndësishme. Kontributi Nolit dhe Konicës është shumë i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë sepse ata ndihmuan që Shtetet e Bashkuara të ktheheshin në qendrën kryesore të nacionalizmit shqiptar.

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte farkëtuesi i tre institucioneve kryesore që ndihmuan zhvillimin dhe përparimin e nacionalizmit shqiptar: së pari formimi i Kishës Ortodokse shqiptare, këtë vit përurojmë 110 vjetori e liturgjisë së parë në gjuhën shqipe në Kishën Ortodokse:

Së dyti gazeta “Dielli” që ende publikohet edhe sot e kësaj dite, gazeta më e vjetër shqiptare në botë. Dhe së treti: shoqëria Vatra që funksionon edhe sot dhe ka një rol të rëndësishëm në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan. Këto 3 “institucione”, ndihmuan komunitetin shqiptar në Amerikë, dhe fortifikuan patriotizmin shqiptar. Ky është teatri në të cilën operoi Noli dhe Konica dhe duke patur parasysh që Amerika është vendi më i lirë në botë ata ishin në gjendje që të ushtronin aktivitetin e tyre krejt lirshëm, gjë që nuk do të ishte e mundur në vende të tjera të botës. Kjo ishte skena në të cilën ata operuan.

A ishte ndikimi i Nolit që ju u fokusuat në studimin e historisë shqiptare?

Po, siç e thashë, kam biseduar disa herë me Nolin për këtë. Sigurisht ka shumë pak universitete në botë që ofrojnë kurse për historinë e Shqipërisë, por unë kam bërë shumë kërkime dhe fokusi im ka qenë historia e Shqipërisë dhe historia e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Nëse dikush ju pyet: çfarë është shqiptari? Si ja përshkruani shqiptarin një të huaji?

Së pari duhet t’u shpjegosh ku është Shqipëria..

...nga pikëpamja gjeografike.

..po nga pikëpamja gjeografike, në fakt jo kaq shumë tani, por kur unë kam qenë i ri, ky ishte një problem, tani duhet t’u shpjegosh diçka për historinë e Shqipërisë. Ne shqiptarëve na u është dashur të luftojmë përgjatë gjithë historisë, për të ruajtur identitetin kombëtar, një nga veçoritë është beteja për të zhvilluar gjuhën shqipe, beteja për të ngritur shtetin shqiptar dhe beteja për të arritur progres në fushën sociale dhe ekonomike, brenda shtetit shqiptar. Këta janë gjëra që njerëzit duan të dinë. Duan të dijnë nga vijmë? U flas për teoritë se nga vijmë ne, por kryesisht njerëzit duan të dinë, çfarë jemi, çfarë na bën krenar për trashëgiminë që kemi, kjo është interesante sepse ne e kemi sensin e krenarisë për trashëgiminë që ne kemi, nga heronjtë tanë ndërkombëtar- nga Skënderbeu- ai është burimi i unitetit kombëtar,… ne kemi plot intelektualë për të cilët jemi krenarë, për shembull NaimFrashëri dhe ka një listë me shqiptarë të mëdhenj, mendjendritur, Noli, Konica e shumë të tjerë, sot kemi Ismail Kadarenë dhe kemi plot të tjerë që na bëjnë krenar për trashëgiminë tonë, për atë që ne jemi dhe për aspiratat tona, ne sot duam të jemi pjesë e Europës. Por ne duam të theksojmë siç bëri Fan Noli në shumë prej shkrimeve të tij, Konica, gjithashtu, se Shqipëria është pjesë e rëndësishme e civilizimit Perëndimor, se ne tradicionalisht më shumë kemi parë nga Perëndimi se nga Lindja.

A ka qenë historia pak e padrejtë me Shqipërinë, siç ju thoni dëshira ka qenë për të parë drejt Perëndimit, por mbeti 500 vjet në Perandorinë Osmane, ka qenë Shqipëra pak e pa fat?

Patëm fatin e keq të ishim pjesë e perandorisë Osmane, na mbajti për një kohë jashtë rrjedhave të qytetërimit perëndimor, por gjithmonë kanë ekzistuar kontaktet me Perëndimin, që nga shekulli 16 dhe 17, patëm shumë klerik nga Kisha katolike, në shekullin e 18 dhe 19 patëm fillimet e lëvizjes kombëtare dhe nga u orientuan këta njerëz, ku u orientuan pionerët e lëvizjes kombëtare? Ata panë drejt Perëndimit.

Kur flasim për kontributin e komunitetit shqiptar në SHBA. Vatra për një periudhë të konsiderueshme kohe, pas 1913 veproi si de facto edhe si qeveri shqiptare. Duke parë historinë, dhe rolin e presidentëve amerikanë që nga ëillsoni, te Klintoni e Bushi duket që është një politikë amerikane miqësore ndaj Shqipërisë. Ishte kjo vetëm falë kontributit të komunitetit shqiptaro- amerikan apo ka patur edhe konsiderata gjeopolitike?

Kur sheh historinë e Shqipërisë, Shqipëria e arriti pavarësinë në nëntor të 1912, pas më pak se dy vitesh nisi Lufta e Parë Botërore, vendi ishte në anarki, Shqipëria u pushtua dhe nuk kishte qeveri shqiptare dhe kishte shumë vakum politik dhe në këtë boshllëk nisi punën komuniteti shqiptaro amerikan, i prirë nga Noli, Konica dhe një galaksi e liderëve të shquar shqiptarë në SHBA. Këta njerëz krijuan Vatrën, këta njerëz panë që Shqipëria ishte në rrezik dhe kemi thirrjen: Shqipëria në rrezik dhe këta njerëz kuptuan që vendi ishte në rrezik dhe mbodhën fonde, dërguan një delegacion në Konferencën e Paqes në Paris, ishte Noli Konica dhe të tjerë miq të Shqipërisë si Çarls Telford Erikson që mbajtën kontakte me njerëz të rëndësishëm. Noli shfrytëzoi lidhjet që kishte nga Harvardi për kontakte me departamentin e shtetit. Ai pati një intervistë me ish Presidentin Theodor Rusvellt, që kishte qenë në Harvard, ai takoi Presidentin Uillson siç bënë edhe shqiptarë të tjerë dhe bindi ata për rëndësinë e ruajtes së Kombit shqiptar dhe Uillson mbajti qëndrimin që tashmë dihet në Konferencën e Paqes në Paris dhe ai nuk pranoi ndarjen Shqipërisë. Dhe nga ky moment ne kemi idenë e mikut të madh, e aleatit të madh të Shqipërisë. Roli i Uilson-it, nganjëherë ndoshta është ekzagjeruar, por sidoqoftë kemi këtë kontekst. Nëse gjykojmë aktivitetet mes dy Luftërave Botërore, kemi aktivitetin e Kryqit të Kuq amerikan, hapja e shkollave, siç është shkolla e Fultz në Tiranë, shkolla bujqësore në Kavajë. Pra. patëm bashkëpunim në fushën e kulturës dhe arsimit, kishim misionin amerikan në Tiranë, patëm kontribute konkrete, si lufta ndaj malarjes dhe kemi ende dhe sot e kësaj dite marrëdhënie të ngrohta miqësore. Për fat të keq, Shqipëria u pushtua gjatë Luftës së Dytë Botëore. Pas Luftës së Dytë të Botërore, patëm imponimin e regjimit komunist në Shqipëri. Komuniteti shqiptaro-amerikan bëri më të mirën e mundshme për t’i mbajtur gjallë lidhjet me shqiptarët në Shqipëri, lidhjet familjare dhe shoqëore… dhe pas përfundimit të regjimit komunist, edhe një herë tjetër SHBA u ofruan për të ndihmuar shtetin shqiptar.    për t’i ikur problemeve të krijuara nga makthi i gjatë komunist. Ishte presidenti Bush (i vjetri) që ndihmoi  në rivendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe sërish komuniteti shqiptaro-amerikan punoi prapa skene për të arritur këtë qëllim dhe jemi me shumë fat që kishim njerëz të tillë si Elez Biberaj, Frank Shkreli dhe të tjerë që promovonin lidhje më të ngushta mes SHBA dhe Shqipërisë.

Pra, ne kemi SHBA që janë të interesuara ta shohin Shqipërinë të çliruar nga komunizmi dhe në rrugën e progresit drejt demoklracisë. Dhe së fundi, sigurisht është edhe periudha e luftës në Kosovë. Kemi fluskin e kosovarëve nga ky rajon në SHBA. këta njerëz ishin mjaft të ndjeshëm nga pikëpamja politike dhe ata u organizuan politikisht. Ne patëm krijimin e lobit shqiptar dhe dua të theksoj se kjo nisëm u nis nga kosovarët, të ndihmuar  nga ish kongresmeni Xhozef  Dio Guardi i Nju Jorkut  dhe më vonë u fitua mbështetja e kongresmenit Engel, që ndoshta do të jetë kryetari i Komitetit për marrëdhëniet me jashtë në kongres.

Një pozicion shumë i rëndësishëm….

Shumë pozicioni rëndësishëm. Dhe mendoj se për këtë arsye ne kemi këto lidhje. Eshtë roli dhe kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan që i mban gjallë dhe i promovon këto marrëdhënie.

Roli i komunitetit shqiptaro-ameikan përgjatë gjithë historisë është mjaft i qartë. Pasi Kosova fitoi pavarësinë a ka më ndonjë rol komuniteti shqiptaro-amerikan për të luajtur sot e tutje?

 Kosova është shtet i pavarur, ashtu si edhe Shqipëria. Por ne kemi anëtar të komuniteti amerikan që kanë interes për të dy shtetet. Mendoj që komuniteti shqiptaro-amerikan dëshiron që të shoh që të dy shtetet shqipare të kenë institucione të forta demokratike, shtete ku sundon ligji, të drejtat e njeriut. Duam që të dy shtetet të zhvillohen nga pikëpamja ekonomike. Duam që të dy shtetet të jenë pjesë aktive dhe e përgjegjshme e komunitetit europian dhe botëror. Pra, ka një interes që të dy shtetet shqiptare të jenë shtete të zhvilluara me kontribute në komunitetin botëror.

Profesor Pano, le të flasim pak për çështjen shqiptare që mbeti e hapur pas konferencës së ambasadorëve në Londër, në 1913-ën. Me pavarësinë e Kosovës dhe faktin që tashmë kemi dy shtete shqiptare, si e shihni çështjen shqiptare duke pasur parasysh që tashmë shqiptarë kemi edhe në vendet e tjera fqinje, si Maqedonia, Mali i Zi apo edhe në Greqi?

 Fakti që më shumë se gjysma e popullit shqiptar u la jashtë kufijëve të shtetit të krijuar në 1913-ën është një nga tragjeditë më të mëdha të historisë tonë. Si rezultat i kësaj Kosova mbeti nën Serbinë dhe më pas nën Jugosllavinë dhe, edhe Maqedonia si pjesë e Federatës Jugosllave. Edhe në Maqedoni shqiptarët kanë qenë të diskriminuar. Nuk u lejuan të përdorin gjuhën e tyre, etj. Dhe fakti që shqiptarët në Shqipëri mbeten nën regjimin komunist për një kohë të gjatë shpjegon sot dallimet. Por sidoqoftë me zhvillimet pas rënies së komunizmit, shumë lidhje të shkëputura janë vendosur dhe po zhvillohen dhe si pasojë e kësaj, mendoj se tani ekzistojnë shumë mundësi për marrëdhënie më të ngushta politike,diplomatike, ekonomike, kulturore dhe mendoj se kjo është rruga që shqiptarët në rajon duhet të ndjekin. Mendoj që e ardhmja e marrëdhënieve të shqiptarëve të Shqipërisë dhe popullsisë shqiptare në rajon duhet të ndjekë një rrugë evolucionare të natyrshme. Më shumë marrëdhënie të ngushta ekononomike, politike dhe kur këto marrëdhënie të maturohen le të shohim se ku do të na çojnë. Besoj se nuk duhet të ketë një lëvizje masive të sforcuar për të krijuar një bashkim artificial mes shteteve në këtë kohë dhe sigurisht Maqedonia është në një situatë krejt tjetër nga Kosova. Gjithmonë jam në favor të një qasje evolucionare ndaj çështjes shqiptare në Ballkan.

Por liderët e Shqipërisë dhe Kosovës mund të luajnë një rol duke e përshpejtuar ose duke e ngadalësuar këtë proces. A po e bëjnë ata siç duhet punën e tyre?

 Mendoj se në këtë stad e vetmja gjë për të cilën duhet të jemi të kujdesshëm është se nuk duhet të nxitojmë për një marrëdhënie më të ngushtë dhe nuk duhet që në mënyrë të parakohëshme të lëvizim për marrëdhënie më të ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës apo vendeve të tjera të rajonit.

Pse jo?

Sepse do të krijohej një problem. Sepse nëse do të bashkohej sot Shqipëria me Kosovën….Jo për t’u bashkuar, por për të nxitur hapat që do të krijonin marrëdhënie më të ngushta ekonomike, për të inkurajuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit në sferën shqiptare…

Ky është një qëllim fisnik dhe duhet ndjekur kjo rrugë, ndërkohë që po ecet në këtë drejtim.

Duke folur për sfidat me të cilat përballet sot Kosova, ju i ndiqni nga afër zhvillimet në rajon, veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë. Do doja të flisnim rreth bisedimeve të fundit për statusin final në raportin me Serbinë dhe ideja e korrigjimit të kufijëve, që do të thotë se disa zona të populluara nga shqiptarët në jug të Serbisë të shkëmbehen me zonat në veri të Kosovës. Si e shihni këtë propozim? Por përgjigjen do ta doja pas një momenti të shkurtër publiciteti.

Profesor Pano cili është opinioni juaj rreth zhvillimeve të fundit gjatë pushimeve të verës sa i përket korrigjimit të kufijëve, që është një eufemizëm për ndryshimin e kufijëve. Si e shikoni këtë?

Mendoj se është një lëvizje që ndoshta mund të eksplorohet. Por mendoj se duhet të kihet parasysh një element kryesor  që është popullsia shqiptare në Serbi, që është subjekt i këtij debati për statusin. Besoj se duhet të konsultohen me kujdes dhe është thelbësore që vendimet nuk mund të merren pa pjesëmarrjen e popullsisë shqipare. Për shembull, a duan ata të heqin dorë nga disa të drejta? çfarë do të ndodh me pensionet e tyre? çfarë do të ndodh me buxhetin për shkollën? A do të kenë mbështetje në të njëjtin nivel për aktivitetet e jetës së përditshme. Mendoj se ata duhet të pyeten dhe jam i sigurt se serbët në zonën e diskutuar në veri të Kosovës, ndoshta ata duan ndryshim kufijsh. Por duhet të ketë bisedime shumë të kujdesshme dhe shqytime të imtësishme të interesave dhe shqetësimeve për njerëzit e përfshirë dhe veçanërisht popullsisë shqiptare. Ndryshimet e kufijve mund të ndodhin përsa kohë ky proces është paqësor, që nuk bëhen me dhunë dhe unë shpresoj që para se të ndërmerret ndonjë veprim konkret, të ndodhë ky proces që unë përmenda.

Ndërsa flasim për këtë temë duket se ka një dallim mes atij që quhet pozicion europian dhe pozicionit amerikan. Pozicioni europian është se nuk duhet të ketë ndryshime kufijsh sepse nga kjo ide ka patur shumë gjakderdhje në rajon dhe nga ana tjetër ka disa zëra në Amerikë se nëse mund të arrihet një marrëveshje nuk ka asnjë problem.

Unë bie dakord se nëse ka një përgatitje tejet të kujdesshme dhe një sqarim të plotë të opinionit publik dhe gjithësecili është dakord që të ecet përpara me marrëveshje, atëherë ky mund të ishte një hap që do t’ia vlente. Por sërish dua që ta përsëris, kjo do të kërkonte përgatitje tejet, tejet të kujdesshme, dhe nuk është një gjë që mund të merret lehtë, dhe nuk është një çështje që mund t’i besohet përgatitjeve të vetëm një qeverie.

Kufijtë e Ballkanit historikisht janë përcaktuar nga fuqitë e mëdha. A erdhi koha tashmë që për kufijtë mund të merren vesh vetë vendet në rajon?

Unë hezitoj që t’i hyjë këtij shtegu, veçanërisht në këtë kohë.  Ka shumë probleme në Ballkan që duhen adresuar, ka probleme sociale dhe ekonomike. A do të ndikoheshin këto probleme nga ndryshimi i kufijëve? Sigurisht do të preferoja të mendohesha për këtë çështje, por në këtë periudhë të ndjeshme për historinë e Ballkanit duhet lëvizur shumë ngadaltë dhe në mënyrë racionale.

Cili mendoni se duhet të jetë pozicioni i qeverisë shqiptare për këtë çështje? Deri tani ka patur kryesisht heshtje. A ka Shqipëria një rol për të luajtur?

Sapo hap temën e ndryshimit të kufijëve, do të ngrihen çështje të tjera, si për shembull kufijtë jugor të Shqipërisë. Kjo është një nga arsyet që nuk dua që të zhytem shumë në këtë çështje. Cilat do të ishin implikimet për shtete të tjera si Bosnje Hercegovina? Sapo fillon të flasësh për këtë çështje…..

Hapet kutia e Pandorës?

… po, është kutia e Pandorës dhe një zot e di se kur mbaron. Dhe në këtë rast rrezikon të hapësh dhe orekset e disa fuqive që historikisht kanë qenë të interesuara për rajonin. Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm kur merremi me këtë çështje.

Duke folur për rajonin, janë më pak se 17 milion banorë që jetojnë këtu, por gjithsesi duket sikur ka një interes për këtë rajon, por gjithmonë e më pak interes nga SHBA dhe më shumë nga ish fuqitë perandorake, si Turqia dhe Rusia dhe një fuqi e re si Kina. është ky rajon nga pikëpamja gjeostratagjike aq i rëndësishëm sa ç’na pëlqen ne të jemi?

Po, mendoj se interesi i vendeve si Rusia, Turqia dhe vendeve që po rriten si Kina janë pjesë e një loje të re mes fuqive. Loja që po zhvillohet….

Pa përmendur këtu BE-në…

Po, dhe ka disa konsiderata, ju shihni pansllavizmin e vjetër, rolin që Rusia po përpiqet të shfaq dukshëm në Ballkan, veçanërisht nën Putinin që ka sensin e historisë, ai po përdor edhe Kishën Ortodokse si një agjenci të ndikimit rus në rajon. Ai ka këtë interesin historik në rajon dhe e gjitha kjo është pjesë e një procesi të ri. Por ajo, për të cilën unë jam i shqetësuar, është potenciali për të krijuar destabilitet në këtë rajon.

Nga kush?

 Nga përzjeria e këtyre fuqive. Dhe një nga interesat themelore të SHBA ka qenë ruajtja e stabilitetit në Ballkan dhe refromat e tij të brendshme të tij dhe ndryshimet e brendshme, forcimi i ekonomisë dhe reformat sociale, forcimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit të bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e rrjedhës kryesore te ngjarjeve për të gjithë Ballkanin. Gjithë vendet e Ballkanit kanë probleme të brendshme dhe si rezultat i kësaj….

Cili është interesi specifik i SHBA?

 ShBA në mënyrë specifike duan stabilitet në rajon, SHBA duan që këto vende të zhvillojnë institucione të forta demokratike, përfaqësuese, SHBA duan të shohin sundimin e ligjit të vendosur, duan të shohin luftë ndaj korrupsionit. Pothuajse të gjitha vendet kanë një nivel të lartë korrupsioni.  SHBA duan të shohin përparim ekonomik, më shumë vëmendje për çështjet e barazisë sociale, që shtet të jenë më kohezivë dhe të kontribuojnë për zhvillimin dhe stabilitetin në rajon.

Çështjet e Ballkanit ndoshta nuk mbërrin kurrë në tavolinën e Presidentit të SHBA, për shkak se ka prioritete të tjera. A është administrata e re e ndërgjegjshme për  potencialet për destabilizim të rajonit, që janë ende të pranishme?

Mendoj se në mënyrë korrekte e thatë se shqetësimet e përditshme të Ballkanit nuk mbërrinë tek Presidenti, por sigurisht kanë vëmendjen e Departamentit të Shtetit. Nëse e keni vënë re përgjatë viteve, ka pasur angazhim dhe aktivitete të zyrtarëve të lartë të administratës. Zëvendës ndihmës sekretar për çështjet e jashtme dhe shumë drejtorë të departamenteve kanë vizituar vendet e Europës Juglindore. Ata në mënyrë konstante e monitorojnë situatën, inkurajojnë qeveritë në rajon për t’u përballur me disa nga çështjet që sapo përmenda. Kemi një politikë koherente, kemi bërë avokati për reforma dhe ndërmarrjen e politikave që i bëjnë këto vende më të qëndrueshme dhe rajonin më të sigurtë. Do të thotë pra, që politika e SHBA ka qenë koherente në Ballkan dhe qëllimi i kësaj politike është që rajoni të mbetet stabël dhe ta ruaj atë që të mos bëhet siç ka qenë Ballkani i mëparshëm…..

Fuçi baruti….

Kukull në duart e fuqive të tjera konfliktuese.

Nëse dikush nga Departamenti Amerikan i Shteti ju kërkon një këshillë se çfarë duhet bërë që ky rajon të lëvizë më shpejt drejt BE-së dhe jo të mbetet një shesh beteje për interesat e vendeve që po përmendët si Kina apo Rusia…

Siç e përmenda SHBA këtë po e bëjnë në mënyrë të vazhdueshme. Shba kanë inkurajuar reforma të ndryshme, kanë monitoruar nga afër çështjet që mund të sillnin rrezik për stabilitetin e rajonit dhe unë do t’i inkurajoja SHBA që të vijojnë t’i ndjekin këto politika, ndoshta duke u fokusuar dhe duke shtuar disa programe në rajon dhe mbi të gjitha duke vijuar me mbështetjen teknike për t’i ndihmuar këto shtete që të jenë efiçente.

Profesor Pano, ju përmendet që interesi i SHBA është që rajoni të jetë stabël, të sundojë shteti ligjor dhe të forcohen institucionet. Por ajo që po shohim, dhe jo vetëm në Shqipëri, është fenomeni i ri i rritjes së populizmit dhe liderëve të fortë. Dhe ky fenomen nuk po ndodh vetëm në rajon, por edhe në vendet europiane. Dhe liderët e fortë nuk janë në përputhje me institucionet e forta. A është ky paradoksi i kohës sonë, që në njërën atë flasim dhe predikojmë forcim institucionesh dha në anën tjetër ajo që shohim praktikisht janë liderët e fortë?

Ne po shohim lindjen e të ashtuquajturit populizëm në Europë, por edhe në SHBA, e në Lindjen e Largët. Filipinet janë një shembull pikant. Po, ka një populizëm dhe shoqërohet me polarizimin politik, që çon në paralizën e shumë qeverive dhe krijohen kushtet për rritjen e këtyre liderëve të fortë. Njerëzit lodhen nga destabiliteti, lodhen nga konflikti dhe presin që dikush të hyjë në lojë, t’i zgjidh problemet, të vendos rregull. Ky është një rrezik dhe është shumë e vështirë për t’u ballafaqur sepse po shohim elementë të tij edhe në demokracitë e përparuara siç janë SHBA. Ne duhet t’i adrejsojmë këto çështje, qofshin ato në demokracitë e avancara apo në vende si rajoni, apo Europa Lindore apo Europa Qëndrore. Duhet t‘i adresojmë këto probleme dhe t’i bindim njerëzit që qeveritë po punojnë për ta, se interesi më i mirë i qeverive është për njerëzit dhe duhet bërë shumë punë për edukimin qytetar në shkolla. Ne sigurisht nuk duam të shkojmë tek indoktrinimi politik, por sidoqoftë njerëzit duhet të kuptojnë natyrën e problemeve që po na çon në një polarizim politik dhe rëndësinë që qeveria t’i adresojë këto çështje.

Le të kthehemi tek marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën. Ju keni vizituar shpesh Shqipërinë. Vizita e parë ishte në 1973-shin. Dy dekada më pas erdhët në dhjetor të vitit ‘90. Dhe që në atë kohë keni ardhur shpesh në Shqipëri. është e qartë se ka ndryshime. Por njerëzit gjithmonë e më shumë duan të largohen nga vendi dhe në vend që të përpiqen t’i ndryshojnë gjërat këtu dhe të ndryshojnë qeverinë këtu, ata ndryshojnë vendin ku duan të kalojnë pjesën tjetër të jetës. Shkojnë në Gjermani, SHBA dhe vende të tjera perëndimore. A mundet që Shqipëria të kishte pasur një tranzicion më të lehtë dhe më të shpejtë se ky?

Ky është një problem i madh. Pozicioni i Shqipërisë ka qenë tejet, tejet i vështirë. Ka kaluar një seri krizash, duke filluar me krizën ekonomike fill pas rënies së regjimit komunist. Pastaj patëm tragjedinë e madhe të skemave piramidale dhe në këtë periudhë që mund ta quash edhe si luftë civile patëm trazira që e destabilizuan edhe më tej situatën. Gjatë dekadës së parë të tranzicionit, shumë njerëz, veçanërisht të rinj, nisën të largoheshin nga vendi, disa për arsye sigurie, disa për arsye ekonomike. Ka qenë e vështirë për Shqipërinë që ekonomia e saj të ecë. Ky ka qenë, le të themi, problemi fillestar. Nuk pati Shqipëria atë nivel ekonomie që njerëzit me përvojë dhe zanate të bindeshin që të qëndronin e të mos largoheshin. Në Shqipëri nuk ka burime njerëzore. Shkolla prodhon shumë diplomantë, por jo në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Ne ende e kemi tribalizmin, betejë të ashpër politike, kemi nepotizmin dhe kjo i shkurajon shumë njerëzit dhe në Shqipëri nuk ka rëndësi se çfarë di, por kë njeh dhe kjo shton pesimizmin. Këto janë disa çështje që duhen adresuar dhe duket sikur po përsëris vetveten, por duhen krijuar kushtet brenda Shqipërisë, duhet krijuar barazia sociale. Ne po shohim në Shqipëri bjerrjen e asaj që mund të quhej klasë e mesme e zhvilluar dhe ky është një problem shumë serioz. Kemi problemin e stabilizimit të sistemit drejtësisë. Në momentin që flasim, Shqipëria ka një situatë kaotike, ndoshta edhe nga përpjekja për të struktuar nga e para sistemin gjyqësor. Kjo i shkurajon investimet e huaja në vend. Korrupsioni sigurisht që i shkurajon investimet e huaja. Aktiviteti kriminal i shkurajon investimet e huaja. Ju keni nevojë për investimet e huaja. Ju keni nevojë për aktivietet e tyre që të krijohen kushtet për të krijuar vende pune në Shqipëri, veçanërisht për të rinjtë, të cilët janë ata që duan të largohen më së shumti.

Ju thatë se në Shqipëri është më e rëndësishme kë njeh se sa çfarë di. Ju i njihni gjithë liderët politik në Shqipëri dhe po ju kërkoj një mendim të sinqertë. çfarë mendoni për liderët që një farë mënyre e kanë dominuar apo dominojnë skenën politike shqiparë gjatë këtij tranzicioni të gjatë dhe të vështirë?

Kam patur mundësinë të njoh gjithë presidentët e Shqipërisë që nga Sali Berisha tek Bujar Nishani, edhe Ilir Metën sigurisht. Kam shumë respekt për Sali Berishën. Ai ishte një nga intelektualët më brilant që drejtoi këtë vend. Por mund të them të njëjtën gjë për Fatos Nanon. Ata ishin njerëz të zotët, por fatkeqësisht në momentin kur erdhën në pushtet u përballën me një seri të madhe problemesh, disa prej të cilave nuk i përballuan dot. Disa prej tyre u trajtuan politikisht dhe për interesa politike dhe kjo më duket pas stresuese. Dhe si pasojë e kësaj ata nuk arritën që të prodhonin lidershipin për të cilin Shqipëria kishte nevojë. Ata ranë pre e zakoneve të trashëguara nga regjimi komunist.  Shumë sociologë thonë se kjo ndodh  sepse këta njerëz u rritën në atë sistem. Kjo ishte gjithçka që ata dinin dhe kjo është arsyja që ata u sollën si liderë në mënyrën që u sollën. Por ata u përballën edhe me shumë probleme të rënda dhe mënyra se si ata u përballën me këto probleme nuk ka qenë gjithmonë në interesin më të mirë të Shqipërisë.

Me këta liderë që ju keni njohur historia do të jetë më bujare apo më e ashpër në krahasim me atë që thuhet sot në gazeta apo në televizor për ta?

Mendoj se historia do të shoh problemet që këta liderë trashëguan, do të shohin disa nga faktorët që  ndoshta i çuan këta liderë në një shteg që ndoshta nuk ishte ai i dëshiruari, nëse ata u përpoqën të ngrinin institucione demokratike. Domethënë ju duhet ta gjykoni një lider bazuar në kushtet që kanë mbizotëruar kur ky person ishte kryetar shteti apo kryetar qeverie. Për fat të keq, siç e thashë, rruga e ndjekur nga gjenerata e parë e liderëve nuk ka qenë gjithmonë në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe kjo ka kontribuar në polarizimin dhe në problemet si krimi dhe korrupsioni, që ekzistojnë në vend dhe kjo edhe më tej pengon ardhjen e investitorëve të huaj dhe krijimin e politikave sociale që do të ishin në interesin më të mirë të shoqërisë.

Kur dikush flet për sfidat e Shqipërisë, dikush mund të pyes cili është problemi? Vend i vogël, i pasur, komb i ri, me minerale, dy dete, liqene, lumenj, kulturë dhe klimë mesdhetare dhe ende mbetet pa përgjigje pyetja e madhe: çfarë problemi ka Shqipëria që nuk po i bashkohet dot klubit të vendeve të BE-së?

Pjesë e problemit të Shqipërisë është historia. Shqipëria ka qenë vendi më pak i zhvilluar… ndoshta Moldavia është më pak e zhvilluar. Pra, Shqipëria ka qenë vendi nga më të fundit, në mos i fundit sa i përket zhvillimit. Shqipëria nuk është se pati ndonjëherë mundësinë që të fillonte të adresonte këtë problem. Shqipëria e mori pavarësinë vetëm në vtin 1912-1913. Menjëherë nisi Lufta I Botërore. Pasoi një periudhë anarkie në Shqipëri. Pastaj kemi një restaurim të shtetit shqiptar në vitin 1921 me Kongresin e Lushnjes. Dhe më vonë kemi një betejë të fortë politikë në 1921-1924 dhe pastaj kemi ardhjen e Mbretit Zog që i duhej të stabilizonte vendin dhe të vendoste autoritetin e tij. Atij i mungonin fondet për zhvillim dhe u kthye nga Italia dhe gradualisht u bë vasal ekonomik i saj. Dhe kur u mendua se u arrit një farë progresi, Shqipëria nuk arriti kurrë që të përballej plotësisht me sfidat e veta. Zogu ia doli të bënte diçka. Ai krijoi shtetin. U ndërtua burokracia. U përpoq të ndërtonte një sistem arsimor. Ai qëndroi në pushtet nga viti 1925-1939. Pastaj Shqipëria u pushtua nga Italia dhe u kthye në shesh betejë gjatë Luftës II Botërore dhe sërish nuk pati mundësi për një progres të vërtetë. Pastaj Shqipëria mbeti nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe siç e theksuam kushtet në vend ishin të tmerrshëm. Shqipëria pati një progres të kufizuar si satelit i Bashkimit Sovjetik. Shqipëria ishte prapë vendi më pak i zhvilluar në sferën e Bashkimit Sovjetik, të udhëhequr më parë nga Stalini e më pas nga Hrushovi. Shqipëria ishte periferi. Shqipëria ishte menduar që t’i delegohej Ish Jugosllavisë. Pak gjëra ndodhën. Shqipëria lëvizi nga tutela sovjetike në tutelën kineze, por edhe kjo aleancë ra në kolaps. Pastaj Shqipëria e Enver Hoxhës ra në autarki dhe u bazua vetëm në burimet e brendshme. Kjo ishte një politikë e tmerrshme për Shqipërinë. Vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës në 1985-ën, Shqipëria filloi të kthehej gradualisht drejt Europës Perëndimore. Por nuk kishte institucioneve të zhvilluara. Pra, Shqipëria ka pasur gjithmonë një start shumë të keq. Edhe vende si Bullgaria dhe Rumania, që ishin nën regjimin komunist, kishin një gjendje ekonomike dhe një sistem më të zhvilluar. Shqipëria nuk i kishte këto institucione, që këto vende të tjera i kishin, edhe pse de facto ishin diktatura. Pra, Shqipëria ka këtë trashëgimi me të cilën po lufton. Shqipërisë gjithmonë i duhet që të kapë kohën e humbur. Shqipëria përmbysi regjimin komunist dhe kishte gjithë ato sfida për të cilën ne folëm në fillim të viteve ‘90. Shqipëria tani gradualisht po kap kohën, por institucionet do të duhet që ende të zhvillohen. Sistemi gjyqësor duhet të zhvillohet. Shqipëria po përballet me gjithë këto probleme dhe të gjitha këto e kanë një efekt në zhvillimin e saj.

Pra, historia po na përndjek. Shqipëria ka qenë në perifieri të Perandorisë së Bizantit, Perandorisë Otomane, Perandorisë Ruse dhe më pas në marrëdhënie me Kinën. A është ky momenti i parë që jemi në anën e duhur të historisë?

 Ne mund ta argumentojmë se Shqipëria ka pasur disavantazhet e veta për shkak të trashëgimisë.

Profesor Pano, do të doja t’ju bëja një pyetje për kohët e sotme. Duket sikur jetojmë në një kohë të çmendur. Nga njëra anë duket sikur jemi me fat që jetojmë në kohën e informacionit, në kohën e internetit që është një bekim nga njëra anë sepse në një dorë t’i mund të kesh botën, mund të kesh afër njerëzit ke larg, por në të njëjtën kohë ajo që ju e quani polarizim, ndarjet e hidhura mes njerëzve që njihen dhe s’njihen me njëri tjetrin….

Në mënyrë të qartë media sociale ka anët pozitive, por ka edhe anët negative. Ndër anët negative është fakti se ke këto komunitetet e vogla në internet, por nga ana tjetër ke edhe këtë mundësinë e komunikimit të liderëve përmes rrjeteve sociale. Presidenti Trump në SHBA përdor gjerësisht rrjetet sociale. Një nga personat më të ndjekur në rrjetet sociale në Shqipëri është Sali Berisha, që duket se ka 500 mijë ndjekës…

Ka 1 milion, po ashtu edhe kryeministri ka 1 milione ndjekës…

Pra, njerëz që vendosin politikat e tyre apo linjën e tyre propagandistike, sido që ta quash. Dhe këto janë disa gjëra që mund të çojnë në ato që i konsiderojmë probleme politike. Sepse njerëzit gjithmonë e më tepër po e shpenzojnë kohën në rrjetet sociale dhe gjithmonë e më tepër po shpenzojnë më pak kohë për të lexuar gazeta, libra, për të parë programe serioze në televizion. Dhe po krijohen probleme serioze, edhe në Shqipëri, sepse ju keni kaq shumë informacion dhe programe dhe keni kaq shumë debate televizive dhe shpesh nuk është se sheh ndonjë diskutim serioz të çështjeve. Me një fjali, revolucioni i medias sociale ka të mirat dhe të këqijat e veta. Një nga aspektet negative është ndikimi në jetën politike të vendit dhe në jetën kulturore dhe sociale të vendit. Dhe kjo është një gjë që ia vlen të shqetësohesh.

Pra, Shqipëria vendi që gjithmonë ka vuajtur nga të paturit pak, tani po vuan ngaqë ka shumë?

Për këtë që po flasim, po.

Pra, në vendin që penalizoheshe për lirinë e fjalës, tani po vuajmë ngaqë po flasim shumë. Më shumë kakofoni sesa pluralizëm.

Po.

Nëse do të ishe President i SHBA-ve, çfarë do të dëshirorje të shihje të realizuar në një vend si Shqipëria?

Do të doja të shihja një qeveri që të niste seriozisht të përballej me sfidat që ka vendi. Do të doja të shihja një qeveri që është e shqetësuar të ndjek një politikë të jashme konstruktive, që mbështetet së pari në sigurinë kombëtare, brenda rajonit të Ballkanit dhe pastaj të krijojë ato kushte që i duhen Shqipërisë për t’u bërë pjesë e komunitetit europian, si dhe të adresojë problemet sociale që kanë kapur vendin. Këto janë gjëra që çdo president amerikan do të donte për një aleat të palëkundur si Shqipëria. Padyshim, Shqipëria është aleat i palëkundur i SHBA dhe si president i SHBA do të dëshiroja ta mbaja Shqipërinë si mike dhe aleate të palëkundur dhe besnike.

Le të vijojmë edhe me një pyetje tjetër hipotetike. Nëse do të ishit president i Rusisë, çfarë do të dëshironit të shihnit të realizuar në një vend si Shqipëria?

Do të doja një vend më të hapur ndaj influencës ruse, do të doja një vend që të ndiqte linjën diplomatike të Rusisë dhe një Shqipëri të lidhur më ngushtë ekonomikisht me Rusinë.

Pyetja e fundit profesor Pano. Vizita e fundit që keni bërë në Shqipëria ka qenë në vitin 2013 dhe tani jemi në nëntor 2018. Si e shihni vendin pas 5 viteve, ju që vini nga SHBA, si e shihni qytetin dhe vendin?

Sa herë vij në Shqipëri ka ndryshime të mëdha fizike, jo vetëm në Tiranë. Siç e dini, unë isha në Korçë fundjavën e kaluar dhe pashë ndryshime edhe atje. Kam udhëtuar në pjesë të tjera të vendit dhe është e qartë se ka ndryshime befasuese nga pikëpëmja fizike, por ende ka probleme serioze për t’u adresuar. Nëse Shqipëria do të jetë e suksesshme në turizëm dhe mendoj se turizmi do të jetë një faktor i rëndësishëm i ekonomisë së Shqipërisë, ka ende rrugë të papërfunduara, ka hotele që qartësisht duhet të përmirësojnë shërbimin e tyre, ka probleme të tjera. Unë dhashë një leksion për studentët e Universitetit të Tiranës, pata mundësi të flisja me studentët, ka probleme në universitete, mungesë fondesh në shkolla. Ka probleme sociale që duhen adresuar. Pra edhe njëherë, ka ndryshime të mëdha fizike, por ka ende probleme bazë që mbeten për t’u adresuar.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi