TIRANE- Pas heqjes se licencës së 18 universiteteve jopublike, 6 mijë të rinjtë që studionin në këto institucione, do të vijojnë studimet në shkollat e larta publike. Pas marrëveshjes me tre universitetet kryesore në vend, atë të Tiranës, të Mjekësisë dhe Universitetit Politeknik, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla deklaroi mundësinë që u jepet këtyre të rinjve për t’i transferuar studimet në publik.

“Është zgjidhja e duhur, më e mira e mundshme për këta studentë, për familjet e tyre, sepse ne jo vetëm ofrojmë një shans të dytë për ta, po është një program specifik që nuk cënon cilësinë e universiteteve tona, nuk cënon asgjë nga cilësia e formimit të studentëve që tashmë janë pjesë e arsimit të lartë publik në vend, nuk cenon asgjë nga buxhetet e këtyre universiteteve, po përkundrazi fitojnë të gjithë.

Hap dyert universiteti i Tiranës, universiteti i Mjekësisë, Universiteti Politeknik, pa dyshim dhe universitetet e rretheve do të jenë universitetet që do të mundësojnë në të njëjtën cilësi pritjeje akomodimin e këtyre studentëve", tha Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit. Ende nuk dihen kriteret e përzgjedhjes së studentëve dhe fakultetit që do të përcaktohen për ta në varësi të listës së notave dhe universitetit privat që kanë ndjekur. Megjithatë, është e sigurt, këta të rinj jo vetëm nuk do të mbeten pa shkollë të lartë, por tashmë do të marrin të njëjtën diplomë me ata studentë që i janë nënshtruar procesit meritë-preferencë.

“Në vitet e dyta, në vitet e treta dhe në vitin e dytë të sistemit master ne jemi të gatshëm të ofrojmë gatishmërinë maksimale për të gjithë ata të cilët do të jenë në kushtet e pamundësisë për të vazhduar studimet në universitetet që u mbyllën” ka pohuar Dhori Kule, Rektor i UT-së. E pyetur në lidhje me disa universitete të mbyllur që refuzojnë t’u japin studenteve listën e notave, ministria Nikolla iu beri apel institucioneve të mos krijojnë pengesa, në të kundërt do të ketë sanksione ndaj tyre.

Studentët që kanë tërhequr dosjet nga universitete e mbyllura duhet të presin deri në udhëzimet e radhës. Ndërsa ato institucione që nuk pranojnë të lëshojnë dokumentacionin, kanë afat për të dorëzuar dosjet e studentëve në ministri deri në 10 shtator. Pas sistemimit edhe të 6 mijë studenteve të universiteteve të mbyllura, viti i ri akademik do të nisë në 20 tetor.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)