Ish drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, e kujton shumë mirë kohën kur mbi tavolinën e tij të punës mbërriti propozimi që Dritan Berisha, të emërohej oficer kontakti në Romë, sepse bashkëshortja e tij, kishte marrë detyrën atje në zyrën konsullore.
"Po e mbaj mend si rast, thotë ish drejtori i policisë Ahmet Premçi për gazetën "Shqiptarja.com". Ma sollën strukturat e policisë si propozim për ta emëruar në detyrën e oficerit të kontaktit në Romë. Por Dritan Berisha, ishte i përjashtuar nga radhët e policisë për një incident që unë se mbaj mend në atë kohë, (sepse kërkova informacione) dhe tani po e rikujtoj nëpërmjet gazetës suaj, pra ishte përjashtuar nga strukturat. Nuk kishte asnjë motivim pse duhet të hynte sërish në strukturat e policisë. Në atë kohë ministër ka qenë Bujar Nishani" kujton Ahmet Premçi.
Por nuk është dashur shumë për të bërë emërimin që ishte planifikuar të bëhej. Menjëherë pas Bujar Nishanit, në krye të dikasterit të rendit emerohet Lulzim Basha. Ky i fundit s'ka ngurruar fare kur nëndrejtori i policisë, Agron Kuliçaj, i ka çuar propozimin e emërimit të Dritan Berishës në postin e oficerit të kontaktit në Romë. Basha, e ka firmosur menjëherë emërimin e tij, duke mos ditur në fakt, sesi pas përjashtimit, u arrit që nipi i Sali Berishës të rikthehej në strukturat e policisë.
DIPLOMACI
Në fakt, janë shkelur disa ligje sa i përket emërimit të Dritan Berishës në postin e oficerit të kontaktit të Shqipërisë në ambasadën tonë në Romë. Burime nga diplomacia bëjnë me dije për "Shqiptarja.com" se procedura e tij e emërimit është bërë shpejt e shpejt. "Shqipëria duhet të ketë tre oficerë kontakti, një në Romë, një në Milano dhe një në Bari. Por sot rezulton se kemi dy në Romë, dhe i dyti ishte Dritan Berisha, asnjë në Milano dhe një në Bari. Kjo sepse, Dritani ka edhe bashkëshorten në Romë. Edhe ligji përcakton një oficer kontakti" thotë një diplomat në Ministrinë e Jashtme Shqiptare.
Por të gjitha këto emërime kalojnë në heshtje. Askush nuk raporton në ndonjë vend apo institucion për mënyrën sesi hyjnë në shërbim këta njerëz.
REAGIMI I OPOZITES
Deputetët e opozitës në komisionin e sigurisë që merren me survejmin e punëve të ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes, do të kërkojnë nga ministria e brendshme informacion të detajuar për mënyrën e emërimit të nipit të kryeministrit Sali Berisha, në ambasadën tonë në Romë.
"Ky është një tjetër rast i patolerueshëm. Ministri Nishani, do të vijë të raportojë në Kuvend, për të na sqaruar se pse ky njeri është sot në këto struktura, dhe pse deri dje nuk e firmosi" thotë Ilir Gjoni, deputet i PS në komisionin e sigurisë.
Ju e kishit më parë një informacion të tillë?
Duket se ka një terr informativ për këtë çështjen e emërimeve në administratë. Dhe falë medias, konkretisht gazetës suaj, arritëm sot të marrim vesh se ç'po ndodh me oficerët e kontaktit në ambasadat tona në botë.
Po zoti Berisha, nipi i kryeministrit, mund të jetë kthyer në bazë të procedurave në sistemin e policisë....
Nëse kjo ka ndodhur, atëherë zyrtarët e ministrisë së brendshme do të na thonë se cilat procedura janë zbatuar dhe çfarë ka bërë mirë nipi i kryeministrit, i cili përveçse qenka kthyer në sistemin e policisë, paska fluturuar direkt në Romë.
Kjo prish ndonjë raport të veçantë? Ai nuk është kundërshtuar nga asnjë zyrtar?
E para, në sytë e partnerëve me të cilët punojmë, rasti i nipit të Berishës, përveçse dukshëm është një vendim nepotik, sepse ai ka gruan atje, është edhe prishje e imazhit të zyrtarit shqiptar me shtetin. Një ish oficer policie, që në mes të Tiranës, gjuan pa shkak me pistoletë, duke kërcënuar jetën e qytetarëve, duke u sjellë si një bandit, të shkojë dhe të bëhet oficer kontakti, është i papranueshëm.
Cilat janë hapat e tjera që do të ndërmerrni?
Përveçse do të kërkojmë sqarime në komisionin e sigurisë, do të kërkojmë informacionin e plotë për të gjitha emërimet nepotike që janë bërë në administratë, jo vetëm të oficerëve të kontaktit, por edhe për zyrat e NATO-s dhe ato të shërbimeve diplomatike. Kjo situatë, na dëmton në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
RRJETI I FACEBOOK
Dritan Berisha, menjëherë pas daljes së lajmit në gazetën Shqiptarja.com, ka fshirë gjithë profilin e tij në rrjetin social në facebook në mënyrë që askush të mos shofë fotot e nipit të kryeministrit dhe aktivitetin e tij.