Nis Bienalja e Akuarelit në Tiranë
artisti turk pikturon Nënë Terezën

Nis Bienalja e Akuarelit në Tiranë<br />artisti turk pikturon Nënë Terezën
Rreth 400 artistë nga 65 vende të botës nga Amerika, Tajlanda, India, Kina, Japonia, Turqia, Koreja e më gjerë kanë ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në edicionin e dytë të Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit në Tiranë “VIZart”. 

Bienalja nisi në orët e para të së dielës me një konferencë për mediat, ku është shpalosur një projekt i pasur nga kuratori i bienales Helidon Haliti, drejtori i Muzeut Kombëtar, Dorian Koçi dhe drejtori i Kulturës në Bashkinë e Tiranës Abaz Hado. 

Ndërsa ekspozita çelet në mbrëmje, bienalja që sfidon me elementin e pikturimit Live tashmë ka nisur. Mjeshtërit e akuarelit, turku Atanur Dogan dhe indiani Amit Kapur kanë nisur menjëherë të pikturojnë para publikut e kamerave. Dogan befason me zgjedhjen, kur deklaron se do të nis të pikturojë portretin e Nënë Terezës. 

“Nënë Tereza është frymëzim dhe dritë. Për mua sytë e saj që përcjellin paqen janë të paharruar. Ajo ishte një grua e madhe, që mbart cilësite e një nëne të mirë shqiptare, por që bëhet simboli i dashurisë dhe paqes fetare në gjithë botën “, u shpreh Dogan.

Dogan ka bërë kohë më parë edhe një portret për shkrimtarin e madh Dritëro Agolli. 
Dita e parë e bienales së akuarelit ka vijuar me demonstrimet live të pikturimit nga artistët Igor Sava dhe Ekaterina Sava, Linda Doll dhe Besnik Xhemali. 

Artistja e njohur amerikane Linda Doll vjen për herë të parë në Shqipëri. Ajo shprehet se një nga arsyet që aplikoi për të qenë pjesë e bienales është edhe dëshira për të qenë në Shqipëri, ku ka shumë relieve të bukura dhe peizazhe për të pikturuar

Bienalja është e përqendruar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, por aktivitetet e saj do të mbahen edhe në Qendrën TEN, Qendrën Rinore, sallën COD në Kryeministri e më gjerë. Bienalja e akuarelit në Tiranë do të vijojë me pikturimet live nga data 12 deri më 22 mars.


[gallery]21414[/gallery]

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë