Nis Festivali i Filmit DokuFest
homazhe regjisorit Albert Maysles

Nis Festivali i Filmit DokuFest<br />homazhe regjisorit Albert Maysles
TIRANE- U prezantua dje në Tiranë programi i plotë i edicionit të 14-të të festivalit të filmit DokuFest, i cili do të mbahet nga data 8-16 gusht në Prizren, Kosovë. Organizatorët e DokuFest, drejtori ekzekutiv Eroll Bilibani dhe drejtori artistik Veton Nurkollari, kanë deklaruar se festivali do të prezantojë 228 filma nga 43 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale.

Është sjell dje në Tiranë një pjesë të vogël e programit të filmave të këtij edicioni të festivalit, shfaqja e të cilëve u bë në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve në Tiranë. Në konferencën që u mbajt për mediat në Ministrinë e Kulturës në Tiranë ishte e pranishme edhe ministrja Mirela Kumbaro, e cila kujtoi ndër të tjera se DokuFest është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor të Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërsa drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari u shpreh dje se filmat e këtij viti “janë zgjedhur nga një numër rekord i mbi 3 000 aplikimeve”.

Nurkollari bëri me dije se edhe Dokufest do të ketë prioritet trajtimin e temave të emigrimit (siç ndodh rëndom në aktivitetet e viteve të fundit), ku sipas tij “filmat e sjellë në festival i drejtohen kontekstit shoqëror e global të emigracionit. Në programin garues janë edhe disa nga titujt më të mirë të filmave dokumentarë botërorë, si dhe atyre të shkurtër dhe eksperimentalë. Oerganizatorët pohuan se DokuFest gjithashtu do të prezantojë një numër rekord të filmave shqip nga regjisorë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë.

Si një nga organizimet më të rëndësishme të festivalit është homazhi për njërin ndër regjisorët më të mëdhenj botërorë, Albert Maysles, me shfaqjen e gjashtë filmave të tij, përfshirë filmat legjendarë “Gimme Shelter” dhe “Grey Gardens”, si dhe dy filmat e tij të fundit “Iris” dhe “In Transit”.

Albert Maysles ka ndërruar jetë në fillim të këtij viti, në moshën 88-vjeçare. Së bashku me vëllin e tij David Maysles, ridefinuan filmbërjen e dokumentarëve dhe ndikuan tek një brez i regjisorëve me aftësinë e tyre për të kapur realitetin ashtu siç ndodh. Ndërkohë, në festival nuk do të mnugojnë panelet, master klasat dhe punëtoritë që do të sjellin figura të njohura në fushat e tyre përkatëse dhe do të trajtojnë shumëllojshmëri temash që kanë të bëjnë me filmin, sipas drejtorit të festivalit Eroll Bilibani.

Do të ketë një debat të titulluar “Ballafaqimi me të kaluarën”, ku do të përcjellë rolin e rëndësishëm që arti dhe kultura kanë në krijimin e vlerave të reja që do të mund të ndihmojnë në ballafaqimin me traumat e konflikteve të viteve të ‘90. Një debat tjetër do të jetë për shqetësimet mjedisore dhe ndryshimet klimatike në rajon.

Debatet do të mbahen në hapësirën e Muzeut të Hamamit, të ndjekura nga temat mbi tregun e filmave të shkurtër, rolin e mediave në luftimin e korrupsionit, mbi dhunën seksuale gjatë konflikteve në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë dhe pasojat për të mbijetuarit, dhe tri debatet që do të shqyrtojnë temën e migrimit nga kënde të ndryshme.

Moderatorja e ligjëratave për master klase, Lucy Walker, regjisore e nominuar dy herë për Academy Award do të jap këshilla për procesin dhe anën praktike të editimit të filmave dokumentarë. Në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës, do të mbajë një ligjëratë rreth artit bashkëkohor edhe shkrimtari turk Vasif Kortun.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës