/ATSH-AFP/ - Fushata multipartiake në favor të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian "Vote Leave" nisi sot zyrtarisht fushatën me mbështetjen e donatorëve të rëndësishëm politikë në perspektivën e një refendumi për çështjen e parashikuar deri në fund të vitit 2017.
Kjo fushatë është mbështetur nga tri grupe euroskeptikësh, "Business for Britain", "Labour Leave" dhe "Conservatives for Britain".
Fushata do të financohet nga ish-financieri i Partisë Konservatore, Peter Cruddas një nga donatorët kryesorë të Partisë Laburiste, John Mills dhe biznesmeni Stuart Wheeler, ish-financier dhe donatori i partisë eurofobe UKIP.
Kjo është fushata e dytë e nisur në favor të Brexit-it pas "Leave EU" dhe, ndërkohë që data e referendumit ende nuk dihet, David Cameron është aktualisht i angazhuar në negociatat me partnerët evropianë.
Ai shpreson të sigurojë një numër të caktuar objektivash për Britaninë e Madhe, në këtë këndvështrim mund të bëjë fushatë për qëndrimin e vendit të tij në një union të reformuar.
Konservatorët dhe laburistë euroskeptikë dëshirojnë të mos bashkohen me liderin e UKIP-it, Nigel Farage i cili i është bashkuar fushatës "Leave EU" me synim shmangien e tematikave ksenofobe.
Edhe deputeti i vetëm i UKIP-it në Westminster, Douglas Carswell, i cili ka braktisur radhët e konservatorëve për t'iu bashkuar partisë anti-imigracion në zgjedhjet e fundit, ka refuzuar të bëhet pjesë e "Leave EU".
Ai është palë e "Business For Britain" dhe është regjistruar në "Vote Leave".