Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca

Pavel Durov

Autoritetet franceze ngritën të mërkurën akuza paraprake ndaj drejtuesin e aplikacionit për shpërndarjen e mesazheve Telegram Pavel Durov, duke thënë se kishte lejuar zhvillimin e aktivitetit të dyshuar kriminal në aplikacion dhe e ndaluan atë të largohet nga Franca në pritje të hetimeve të mëtejshme.

Durov u arrestua të shtunën në aroportin e Parisit, “Le Bourget”, në kuadër të një hetimi të nisur muajin e kaluar, mbi dyshimet për 12 vepra penale. Ai u mbajt për katër ditë në paraburgim për t'u marrë në pyetje mbi dyshimet se platforma e tij ishte përdorur për aktivitete të jashtëligjshme.

Ai u la i lirë të mërkurën, por në mbrëmje gjykatësit e urdhëruan të paguajë 5 milionë euro për lirim me kusht dhe të paraqitej në para autoriteteve dy herë në javë. Mes të tjerash Durov, i lindur në Rusi që ka edhe shtetësi franceze, akuzohet se platforma e tij përdoret për materiale abuzimi seksual të fëmijëve dhe trafik droge, dhe se Telegram refuzoi të jepte informacion ose të vinte në dispozicion të hetuesve dokumenta, siç e parashikon ligji.

Arrestimi i tij nxiti reagim në Rusi. Disa zyrtarë qeveritare e cilësuan arrestimin e tij si të motivuar politikisht dhe një provë se Perëndimi vepron me standarde të dyfishta në raport me lirinë e fjalës. Ky reagim ka nxitur pikëpyetje nga kritikët e Kremlinit pasi në vitin 2018, vetë autoritetet ruse u përpoqën ta bllokonin Telegramin, por dështuan, duke u tërhequr në vitin 2020.

Në Iran, ku Telegrami përdoret gjerësisht, pavarësisht se u ndalua zyrtarisht pas vite të tëra protestash kundër teokracisë së vendit, arrestimi i zotit Durov në Francë, nxiti reagim nga udhëheqësi suprem i Republikës Islamike. Ajatollah Ali Khamenei lavdëroi Francën për faktin se ishte "e rreptë" me ata që "shkelin rregullat vendase për përdorimin e internetit”.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se arrestimi i zotit Durov nuk ishte një akt politik, por pjesë e një hetimi të pavarur. Presidenti Macron postoi në rrjetin social X se vendi i tij "është thellësisht i përkushtuar" ndaj lirisë së shprehjes, por shtoi se "liritë gëzohen brenda një kuadri ligjor, si në mediat sociale ashtu edhe në jetën reale, për të mbrojtur qytetarët dhe për të respektuar të drejtat e tyre themelore".

Në një deklaratë të postuar në platformën e tij pas arrestimit të zotit Durov, rrjeti ‘Telegram’ tha se i përmbahet ligjeve të BE-së dhe se masat i tij rregullatore ishin "brenda standardeve të industrisë dhe po përmirësoheshin vazhdimisht".

“Është absurde të pretendosh se një platformë ose pronari i saj janë përgjegjës për abuzimin e plotformës”, thuhet në postimin e ‘Telegramit’. "Pothuajse një miliard përdorues në rang botëror përdorin ‘Telegramin’ si mjet komunikimi dhe si burim jetik informacioni. Ne jemi në pritje të një zgjidhjeje të shpejtë të kësaj situate”, thuhej në deklaratë.

Durov është shtetas i Rusisë, Francës, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe shtetit të ishujve të Karaibeve St. Kitts dhe Nevis. Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha të martën se ishte "duke ndjekur nga afër rastin" dhe i kishte kërkuar Francës që t'i sigurojë zotit Durov" të gjitha shërbimet e nevojshme konsullore në mënyrë urgjente".

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se shpresonte që zoti Durov "të kishte në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtjen e tij ligjore" dhe shtoi se Moska është "e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën dhe mbështetjen që kërkohet" për drejtorin e rrjetit ‘Telegram’, si qytetar rus.

“Por situata është e ndërlikuar nga fakti se ai është gjithashtu shtetas i Francës”, tha Peskov.

Rrjeti Telegram, që thotë se ka thuajse 1 miliard përdorues në mbarë botën, u themelua nga zoti Durov dhe i vëllai i tij, pasi ai vetë u përball me trysni nga autoritetet ruse. Telegrami vazhdon të shërbejë si një platformë e përhapur informacioni në Ukrainë, ku mediat dhe zyrtarët shpërndajnë informacion lidhur me luftën./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën