TIRANË-  Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, organizoi sot në IEVP Fushë-Krujë hapjen e "Kampionatit të Futbollit në IEVPenale". Në këtë kampionat marrin pjesë 14 skuadra nga IEVP "Ali Demi", Fushë- Krujë, Vaqarr, "Jordan Misja", Lushnje, Peqin, Lezhë, Rrogozhinë, Elbasan, Burrel, "Mine Peza", Durrës, Vlorë dhe Korçë.
Ndeshjet do të zhvillohen në IEVP të ndryshme, ndërkohë që kjo është një nismë e re e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në funksion të procesit rehabilitues dhe pasurimit të jetës kulturore- sportive në IEVP.
Në aktivitet mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Shqiptar, Millan Baci, si dhe disa drejtues të tjerë të IEVPenale të ndryshme që do të jenë pjesë e kampionatit.
"Është një kënaqësi që po nisim sot një aktivitet të tillë, i cili do të vendosë përballë ekipe të ndryshme nga disa IEVPenale të vendit. Ky kampionat futbolli bëhet në kuadër të disa veprimtarive të reja që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë, ku fokusi është tek zhvillimi i aftësimit sportiv e profesional të të burgosurve.Falenderoj për mbështetjen me bazën materiale Federatën Shqiptare të Futbollit. Gjithashtu, përfitoj nga rasti që të prezantoj për ju edhe këshilltarin anglez të burgjeve, i cili i atashohet DPB dhe do të qëndrojë në Shqipëri për të dhënë ekspertizën e tij në sistemin penitenciar."- u shpreh para lojtarëve të burgosur dhe për mediat Drejtori Zoto.
Ndeshja  e sotme u mbyll me rezultatin 8- 4 për ekipin e IEVP Fushë- Krujë, duke skualifikuar ekipin e IEVP "Ali Demi". Gjatë ndeshjes nuk ka munguar mbështetja e ekipeve nga stafi social i secilit institucion, që ishin të pranishëm në aktivitet, si dhe nga vetë të burgosurit.
Kampionati do të zgjasë edhe përgjatë muajit Tetor, për tu finalizuar me një ekip fitues nga të gjitha ekipet e IEVPenale të vendit. Skuadra fituese do të zhvillojë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen kombëtare të futbollit në stadiumin "Selman Stërmasi", Tiranë, ku do të marrin pjesë emrat më të njohur të futbollit shqiptar ndër vite./ATSH/