Mungesa e Kryebashkiakut Erion Veliaj në Mbledhjen e këshillit, pasi SPAK refuzoi t’i jepte leje, përfshiu në debat këshilltarët. Dorian Teliti, këshilltari i PD, tha se Tirana ndodhet në kolaps, por sipas kryetares së komanduar Anuela Ristanin, ngërçi është vetëm politik dhe shërbimet për qytetarët nuk janë penguar.
Pavarësisht rikthimit në detyrë si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk mori pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të pavlefshëm shkarkimin e tij.
SPAK refuzoi kërkesën e vetë Këshillit, që Veliaj të ishte prezent në mbledhje, por çështja e tij u kthye në objekt debati të ashpër. Këshilltari i Partisë Demokratike Dorian Teliti tha se Tirana është në gjendje kaotike dhe se askush nuk jep përgjigjen kush do t’i drejtojë punët e qytetit.
“Morët një vendim të njëanshëm, ku u bashkuam dhe ne, nxorët nga dera kryetarin e Bashkisë dhe e futët nga dritarja, a mund të diskutojmë sesi po menaxhohet kjo bashki?
Sot që kryetari i Bashkisë u kthye nga Gjykata kushtetuese në detyrë, duhet të diskutojmë çfarë do të ndodhë. A vendosëm pak kohë më parë ta shkarkonim bashkërisht? Jemi në situatë emergjencë në Tiranë, situatë kaotike”, tha Dorjan Teliti.
Në vendin e Veliajt, sërish ishte kryetarja e komanduar Anuela Ristani që tha se pavarësisht mungesës së kryetarit të bashkisë, shërbimet qytetarëve po i jepen.
“Nuk futem në pjesën politike, kam përgjegjësi vetëm për punën, nuk ka asnjë proces të bllokuar. Asnjë shërbim nuk është i penguar”, tha Ristani.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në burg prej 10 shkurtit të këtij viti ndërsa vetëm pak javë më parë gjykata kushtetuese rrëzoi shkarkimin nga Këshilli Bashkiak e më tej nga kryeministri duke e quajtur anti-kushtetues.
Komente











