Në qarkun e Fierit ka nisur verifikimi e dëmeve, të shkaktuara nga përmbytjet.
Banesat, por edhe dëmet e mëdha në bujqësi e blegtori po regjistrohen nga autoritetet, një proces që pritet të vijojë edhe gjatë ditëve në vijim.
Grupet e punës në terren po evidentojnë dëmet e shkaktuara nga uji në banesa, orendi dhe infrastrukturë, në një proces që sipas autoriteteve vendore kërkon kohë.
Ndërkohë, situata në Mbrostar paraqitet shumë problematike për shkak të rritjes së nivelit të lumit Seman, ku janë raportuar edhe ngordhje të bagëtive. Fermerët po përballen me humbje të konsiderueshme, ndërsa autoritetet vendore dhe emergjencat civile qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.
“Të paktën po tentojmë të sigurojmë ushqim për bagëtitë e mbetura”,- thotë një prej banorëve.
Për Nusret Avdullain, nënkryetar i Bashkisë Fier, verifikimi i dëmeve nuk është një proces i lehtë dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë me banorët e prekur nga përmbytjet. Ai apeloi për ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve, veçanërisht gjatë njoftimeve paraprake për rrezikun dhe marrjen e masave mbrojtëse.
"Thirrjet për evakuim nuk bëhen rastësisht, por bazohen në vlerësime dhe rreziqe reale. Banorët duhet t’u përgjigjen njoftimeve në kohë, për të shmangur situata të rrezikshme për jetën dhe pronën",- thotë Avdullai.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar, të respektojnë udhëzimet zyrtare dhe të shmangin zonat e rrezikuara deri në përmirësimin e situatës.
Komente











