FIER, 18 Tetor/ATSH/- Pas përmbytjeve të javëve të fundit, Bashkia e Fierit ka nisur aksionin për pastrimin dhe thellimin e shtratit të lumit Gjanica .
Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi deklaroi se "nuk është zbatimi i projektit për rehabilitimin e lumit, që do t'i jepte fund këtij problemi shumëvjeçar, por është një zgjidhje emergjente për të evituar përmbytjet".
Ai shtoi se pas përfundimit të fazës së parë nga grykderdhja e Gjanicës deri në Urën e Sheqit, do të nisë dhe faza e dytë.
"Kur arrijmë të shikojmë në ç'gjëndje është katandisur këtu besoj që është shumë e lehtë për të kuptuar se pse kanë ndodhur përmbytjet gjithmonë e më shumë çdo vit, nga 10- 15 herë në vit. Në radhë të parë duhet të shmangim përmbytjet që kanë ndodhur në të gjithë këto vite", deklaroi ai.
Ai shtoi se "kjo pastaj do të jetë si një trampolinë, si një fazë e parë për të vazhduar pastaj me gjithë atë projekt të madh dhe ambicioz që ne kemi për lumin Gjanica".