Nis puna për zbulimin dhe kthimin 
në identitet të amfiteatrit të Durrësit

Nis puna për zbulimin dhe kthimin <br />në identitet të amfiteatrit të Durrësit
DURRËS -Pas shumë vjet përpjekjesh sot nisi puna për prishjen e 3 prej banesave që gjenden mbi arenën e amfiteatrit të qytetit të Durrësit. Ministria e Kulturës në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit kanë mundësuar dëmshpërblimin e banorëve që jetojnë mbi amfiteatër për t’i krijuar mundësi gërmimeve të mëtejshme për zbulimin e plotë të tij.

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro inspektuan fillimin e punimeve për prishjen e banesave të para.

Vangjush Dako theksoi se bashkia e Durrësit ka në vizionin e saj zbulimin e plotë të amfiteatrit, këtij aseti kaq të rëndësishëm të qytetit të Durrësit si dhe transformimin e të gjitha objekteve arkeologjike në burime për zhvillimin ekonomik të qytetit.

Më tej ai theksoi edhe bashkëpunimin e frytshëm me qeverinë dhe me Ministrinë e Kulturës jo vetëm për projektin e amfiteatrit por edhe për realizimin e projekteve të tjera ku veçohet rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik.

"Falenderoj qeverinë shqiptare,zonjën Kumbaro,të cilët bënë të mundur pas shumw pwrpjekjesh që të largojnë këto banesa të cilat ndodhen këtu. Ato kanë qenë pengesë për të vazhduar gërmimet arkeologjike,kanë qenë pengesë për institucionet financiare si dhe për bashkëpunëtorët tanë për të vazhduar investimet në këtë aset kaq të madh që ka qyteti i Durresit", tha Dako.

Më pas kryebashkiaku shpalosi edhe strategjinë e bashkisë sa i përket trajtimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.S ipas tij ato do të mirwmbahen dhe do të jenë që të gjitha të vizitueshme.
"Së bashku me Muzeun Arkeologjik dhe amfitetarin, Durrësi merr vlerat e vërteta që meriton për trashëgiminë kulturore. Kjo trashëgimi veç vlerave historike që bart duhet kthyer në një potencial për zhvillimin ekonomik të qytetit", - tha Dako.

Nga ana e saj ministrja e kulturës Mirela Kumbaro sqaroi rrugën që do të përshkojë prishja e banesave mbi arenën e amfiteatrit si dhe gërmimet për zbulimin e plotë të tij.

“Gjithçka do të kryhet në mënyrë manuale në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj dëmtimi”,  - ka sqaruar Kumbaro.

Projekti do të kalojë nëpër dy faza. Fillimisht do të prishen 3 objektet e para dhe në një fazê të dytë edhe 9 objektet e tjera. Qeveria shqiptare ka shpronësuar me 46 milion lekë pronarët e 3 banesave të cilat po i nënshtrohen procesit të prishjes dhe gjithashtu ka vënë në dispozicion edhe 4 milion lekë të tjerë për të mundësuar prishjen manuale të banesave dhe rehabilitimin e trojeve të tyre.

Kumbaro tha gjithashtu se këto punime nuk do ta cënojnë sezonin turistik.

"Ne do të procedojmë për realizimin e fazës së dytë të projektit pasi të përfundojë sezoni turistik sepse nuk duam që të pengojmë vizitat që shtohen nga javë në javë", tha ministrja.

Sipas ministres së Kulturës ky është një investim shumë i rëndësishëm sepse do të hapë të plotë të gjithë harkun e amfiteatrit të Durrësit.

Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, është ndërtuar në fillim të shekullit të I të erës se re gjatë sundimit të perandorit Trajan. Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali.  Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 15-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës